English

Presidenti Topi uron besimtarët katolikë shqiptarë me rastin e Festës së Pashkëve

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi dërguar Ipeshkvit të Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës, dhe njëkohësisht Kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Rrok Mirditës, shpreh urimet më të mira për të gjithë besimtarët katolikë shqiptarë me rastin e Festës së Pashkëve.

“I nderuar Imzot Rrok Mirdita,
Të nderuar besimtarë katolikë shqiptarë, kudo ku ndodheni!

Më lejoni që me rastin e Festës së ndritshme të Pashkëve, t’ju uroj nga zemra ‘Gëzuar dhe përshumëvjet’!

Dita e Pashkëve është ditë e shenjtë e ringjalljes së Krishtit, ditë e ringjalljes së shpirtit njerëzor dhe e ripërtëritjes së besimit tek Zoti! Nëpërmjet kësaj simbolike të mrekullueshme fetare të ringjalljes së jetës, në këtë vit shumë të rëndësishëm për Shqipërinë e për gjithë shqiptarët të festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë, përfitoj nga rasti të uroj më shumë fat dhe begati për popullin shqiptar!

Le të shërbejë kjo ditë për të reflektuar e përmirësuar vetveten, por dhe për të evidentuar më shumë vlerat e mëdha të bashkëjetesës fetare e shpirtërore të shqiptarëve!

Njëkohësisht me të gjithë besimtarët katolikë, ju urojmë dhe Juve, i nderuar Imzot Rrok Mirdita, shëndet të mirë e jetë të gjatë në misionin Tuaj të shenjtë për të mirën e njerëzimit!” – theksohet në mesazhin e urimit të Presidentit Topi.

KOMENTE