English

Presidenti Topi dhe Zonja e Parë urime për kremtimin e Pashkëve katolike

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi u uruan sot të gjithë besimtarëve katolikë shqiptarë: “Gëzuar Festën e Pashkëve!”, gjatë vizitës së zhvilluar sot në Selinë e Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës në Tiranë.

Me këtë rast, gjatë takimit të përzemërt me Ipeshkvin e e Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës, dhe njëkohësisht Kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Rrok Mirditën, në ditën e kremtimit të Pashkëve Katolike, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi shprehën kënaqësinë e veçantë të kësaj vizite në një ditë të shënuar të festimit të një prej ngjarjeve më të rëndësishme të fesë katolike, ringjalljes së Jezu Krishtit, dhe u drejtuan urimet më të mira e më të ngrohta mbarë besimtarëve katolikë shqiptarë, kudo ku ata jetojnë, me rastin e Festës së Pashkëve.

Kreu i Shtetit i shprehu urimet më të përzemërta për të gjithë besimtarët në këtë Festë madhështore të Krishterimit edhe nëpërmjet mediave të pranishme: “Së pari dëshiroj të uroj të gjithë besimtarët katolikë në këtë ditë të shënuar! Gëzuar Pashkët! Është një ditë e veçantë, sikurse janë të gjitha ato ditë që lidhen me ringjalljen, edhe kjo ditë sot në themel ka pikërisht kuptimin e ringjalljes: ringjallja e jetës, por edhe ringjallja e besimit. Por në kontekstin e Shqipërisë, besoj edhe të çdo shoqërie tjetër, është nevoja për ringjallje të besimit, nevoja për ringjallje të komunikimit dhe nevoja që kjo ringjallje të sjellë një dominim të harmonisë dhe të altruizmit mbi egoizmin. Shoqëria jonë e ka pasur gjithmonë harmoninë. E ka dhe jam i bindur që do ta ketë, por këtë mesazh e jap më shumë për moralin e politikës, i cili ka nevojë të ripërtërihet që sikurse e thashë komunikimi duhet të jetë ai që të jetë në bazën e dialogut dhe dialogu jep pastaj të gjitha zgjidhjet e mira pozitive. Dhe të mos kemi rast të shohim me shumicë shprehje të egoizmit, që i shohim ndoshta shpesh në mjediset e politikës ku dëshira për pushtet, shpeshherë lë prapa atë që është më e rëndësishme për misionin e politikës: kujdesin për qytetarin.

Kështu që në këtë ditë të bukur, këto mesazhe janë të nevojshme besoj. Janë në radhë të parë për njerëzit, për t’iu uruar atyre këtë festë të madhe që është festë, të cilën besoj e festojnë të gjithë shqiptarët, por në mënyrë të veçantë besimtarët katolikë, por pastaj edhe për të gjithë të tjerët që kjo shoqëri të jetë në harmoni dhe të ketë prosperitet të qartë. Urime edhe njëherë!”

* * *
Presidenti Topi dhe Zonja e Parë vizituan dhe uruan Festën e Pashkëve edhe në Bashkësinë fetare “Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë” ku u pritën nga Presidenti i VUSH-së, Pastor Fitim Muça dhe drejtues të tjerë të këtij komuniteti.

KOMENTE