Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
A është energjia politikë?
English

A është energjia politikë?

Edhe pse në qeverisje është i domosdoshëm menaxhimi dhe kërkohet efikasiteti, ajo shkon përtej këtyre të dyjave dhe i ka këto të dyja si mjete për qëllime e jo qëllime në vete. Së këndejmi qeverisja nuk mund dhe as që bën të jetë teknokratike. Qeverisja duhet të jetë politike, në shërbim dhe mbrojtje të së mirës dhe vullnetit të përgjithshëm, si dhe në synim të krijimit të hapësirave të reja të zhvillimit shoqëror e ekonomik për popullin. Kjo do të duhej të ishte Republika jonë.

Të gjitha këto janë të mundshme vetëm në një vend të pavarur dhe sovran. Pavarësia nuk është vetëm formale e politike, por ajo bëhet e tillë vetëm kur është edhe ekonomike. Në këtë drejtim edhe pavarësia nga Serbia duhet parë nga ky prizëm. Nuk mund të kemi pavarësi të mirëfilltë nëse e lejojmë Serbinë që në aspektin ekonomik të na mbajë të varur. Kjo gjë deri tash nuk ka ndodhur, dhe madje një pavarësi e tillë është luftuar me zell nga Qeveria e Kosovës.

Mallrat e Serbisë vazhdojnë të hyjnë pa pengesë në Kosovë, ndërkohë që Qeveria e Kosovës e shpërfilli, e pastaj e zhbëri brutalisht vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për reciprocitet me Serbinë, duke kulmuar ky brutalitet me nxitjen dhe përdorimin e deputetëve të koalicionit qeverisës për ta votuar një kundërmocion të PDK-së kundër këtij reciprociteti. Pra, për ta bërë një vendim Kuvendi me të cilin kërkohej nënshtrimi politik e ekonomik karshi Serbisë.

Kjo varësi na shfaqet fare haptazi në sektorin energjetik. Informatat e fundit që janë publikuar në gazetën “Zëri” janë tejet shqetësuese dhe, nëse të vërteta, të papranueshme. Interkonjeksioni 400 KW i Kosovës me Shqipërinë e mundëson pavarësimin energjetik të Kosovës nga Serbia. Por jo vetëm kaq. Kjo linjë do ta mundësonte bashkëpunimin më të ngushtë energjetik mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe do ta mundësonte komplementaritetin energjetik mes termo-energjisë së Kosovës dhe hidro-energjisë së Shqipërisë.

Kështu do të reduktohej dukshëm mungesa e madhe e energjisë të cilën e kemi të dyja vendet, por edhe do të ndërpritej varësia energjetike nga Serbia dhe kompanitë mafioze të saj në energji. Ky është një projekt për të cilin është folur shumë, dhe rëndësinë e të cilit e njohin të gjithë, qofshin ekspertë të fushës apo laik në të. Janë bërë gati dhjetë vjet qëkur flitet për realizimin e këtij projekti, dhe ende jemi aty ku kemi filluar – te fjalët. Deri tash e kemi ditur se ai nuk po ndërtohet por vetëm kemi mundur të hamendësohemi për arsyet e mosndërtimit. Për shkak se sikur në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë të gjithë krerët institucionalë vazhdimisht e pranonin se ky është një projekt tejet i rëndësishëm dhe i domosdoshëm.

Ndërkohë që tash kanë filluar të qartësohen edhe arsyet e zvarritjes së këtij projekti. Te shqiptarët përherë e më shumë po zgjerohet hendeku mes qeveritarëve dhe të qeverisurve. Jo vetëm në pasuri, se kjo tashmë ka filluar të duket sikur e vetëkuptueshme (gjë që absolutisht nuk është e vetëkuptueshme e as e ligjshme e pranueshme) por në interesa dhe në qëllime. Ky hendek në të gjitha këto aspekte është shenjuesi më i mirë i degradimit të politikës te ne dhe i shpërfytyrimit të shtetit mes nesh.

Sa më shumë që po privatizojmë, aq më shumë po na privatizohet shteti. E sa më shumë që po na privatizohet shteti aq më shumë po na e privatizojnë dhe përdorin të tjerët për qëllime të tyre, dhe kundër nesh. Kjo është e vërtetë për Kosovën dhe Shqipërinë, për Thaçin dhe Berishën. Në të dyja anët e kufirit po përfiton Serbia dhe eksponentë të caktuar të biznesit serb, qofshin ata të kombësisë serbe apo shqiptare. Dhe, pavarësisht përkatësinë kombëtare, po përfiton Serbia.

Serbia përfiton miliona euro në vit nga Kosova përmes eksportit të energjisë. Këto shuma parash të gatshme janë shumë të rëndësishme për ekonominë e Serbisë. Pra, është njëri prej aspekteve ku shqiptarët më së shumti e ndihmojnë Serbinë, dhe me këtë e dëmtojmë veten, sikur në rastin tonë, duke blerë rrymë shumë të shtrenjtë në kohën e kërkesës së rritur, dhe praktikisht duke i falur rrymë Serbisë kur e kemi atë të tepërt.

Por jo vetëm kaq. Po të ndërpritej importi i rrymës elektrike nga Serbia atëherë rrjeti i Serbisë do të mbingarkohej dhe kështu Serbia do të gjendej në një pozitë të njëjtë me Kosovën ku do të detyrohej t’i japë rrymë falas Rumanisë dhe Bullgarisë kur e ka të tepërt dhe sigurisht të blejë nga ata rrymë të shtrenjtë kur ka mungesë. Ashtu siç na e bën ne Serbia sot do të mund t’ia bënim ne dhe të tjerët asaj.

Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Qeveria e Shqipërisë ka shprehur interesim që të jetë bashkëfinancuese e projektit të termocentralit Kosova e Re (atëherë Kosova C). Këtë shprehje të interesimit e pat bërë publik edhe kryeministri Sali Berisha, por për të pat folur edhe kryeministri Hashim Thaçi. Prapë kemi pasur një përbashkim të përkryer deklarativ të dy kryeministrave, i cili nuk rezultoi kurrë të shkojë përtej fjalëve. Në pak a shumë të njëjtën kohë, Wikileaks raporton se kryeministri Thaçi është ankuar të diplomatët e SHBA-ve për rrezikun që mund të paraqesë panshqiptarizmi.

Kjo çështje është politike. Energjia përherë ka qenë dhe mbetet politikë. Dhe pengesat ndaj këtij projekti po shihet se janë politike. Ashtu sikur çintegrimi energjetik i Kosovës për së brendshmi është mundësuar nga kjo qeveri, ashtu edhe mosintegrimi energjetik i Kosovës me Shqipërinë po pengohet nga këto qeveri. Këto çështje duhen hetuar hollësisht, duhet të gjenden fajtorët dhe të mbajnë përgjegjësi. Shqiptarëve sot u duhet pavarësia dhe bashkimi ashtu siç iu është dashur përherë. Për këtë duhet institucione të vullnetit dhe përgjegjësisë kombëtare, e jo institucione të biznesit dhe marrëveshjeve në dëm të qytetarëve dhe të kombit.
(Visar Ymeri)

KOMENTE