English

Tuneli i Kërrabës do të jetë tuneli i 100 vjetorit të pavarësisë, shprehet Berisha në ceremoninë e sotme

Kjo është pranvera e realizimit të qindra projekteve infrastrukturore, e cila e ngjit Shqipërinë një kat më lart në gratacelën e zhvillimit që ajo duhet të ngjisë.

Javët që vijnë ne do të inaugurojmë fillimin e punimeve në të gjitha segmentet të rrugës të vazhdimit të saj drejt Korçës, në segmentin Qukës Qaf-Plloçë, duke bërë kështu që Korça dhe e tere Shqipëria Juglindore ta kapë Tiranën një kohë 70 % më të shkurtër sesa para ndërtimit të kësaj infrastrukture.

Tuneli i Kërrabës do të mbahet mend në shekuj e mijëvjeçarë si tuneli i 100 vjetorit të pavarësisë.

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e fillimit të punimeve për dy segmente të rëndësishme të Autostradës Tiranë- Elbasan, të segmentit të parë (Sauk -Tuneli i Krrabës) me gjatësi 13 km dhe segmentit të tretë (Tuneli i Krrabës – Elbasan) me gjatësi 11.7 km, të cilat nisin në kuadrin e festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë.

Punimet për këto segmente do të realizohen nga firma Jv Copri Construction & AKTOR S.A” dhe do të financohen nga buxheti i shtetit, Banka Islamike për Zhvillim dhe Fondi Abu Dhabi.

Duke përshëndetur të pranishmit, kryeministri Berisha u shpreh se kjo autostradë së bashku me tunelin përbën autostradën me impaktin më të madh për qytetarët shqiptarë, si dhe veprën më të rëndësishme në infrastrukturën “Shqipëria, vend i zhvilluar”. Kryeministri tha se vetëm një infrastrukturë moderne do të kthejë pasuritë e këtij vendi në vlera të mëdha zhvillimore për mbarë qytetarët shqiptarë.

Kryeministri Berisha informoi se javët që vijnë do të inaugurohet fillimi i punimeve në të gjitha segmentet e rrugës, të vazhdimit të saj drejt Korçës, në segmentin Qukës Qaf-Plloçë, duke bërë kështu që Korça dhe e tërë Shqipëria Juglindore të arrijë Tiranën në një kohë 70 % më të shkurtër, sesa para ndërtimit të kësaj infrastrukture. “Vazhdimi i ndërtimit të autostradës Tiranë-Elbasan dhe Elbasan- Korçë, në segmentin Qukës-Qaf Plloçë është dëshmi e kristaltë e performancës ekonomike të Shqipërisë, e forcës ekonomike të këtij vendi” u shpreh kryeministri.

Kryeministri falënderoi me mirënjohje drejtuesit dhe punonjësit e firmës Jv Copri Construction & AKTOR S.A” për punën e shkëlqyer që ata kanë realizuar, duke e cilësuar atë si një dhuratë të madhe për shqiptarët në 100 vjetorin e pavarësisë.

Kryeministri tha se pranvera e cila ka nisur pas një dimri të fortë që vendi kaloi është stina e realizimit të qindra dhe qindra projekteve infrastrukturore në të katër anët e vendit, e cila do ta ngjisë Shqipërinë në një nivel të ri dhe më të lartë të zhvillimit.

Autostrada Tiranë-Elbasan, arteria kryesore e Korridorit 8, është një rrugë me standardet më të larta të ndërtuara deri më sot, në vendin tonë, por edhe në Ballkan. Me gjatësi 31 kilometra përfshirë edhe tunelin, gjerësi 28,2 metra, kjo rrugë ka 6 korsi, 1,7 kilometra ura dhe vijadukte, si dhe shumë mbikalime dhe nënkalime.

Autostrada do të shkurtojë distancën me Tiranën me më shumë se 50 %, duke shkurtuar me 40 % kohën e udhëtimit. Kjo distancë shkurtohet gjithashtu për të gjithë qytetet pas Elbasanit, në drejtim te Korçës dhe Ersekës apo doganave respektive dhe per keto qytete do te shkurtoje kohën e udhëtimit deri ne 60%, krahasuar me atë qe behet sot. Gjithashtu rruga shkurton me 1 orë distancën mes Tiranës dhe Shkupit.

Projekti i Autorstradës Tiranë-Elbasan është realizuar mbi bazë të një studimi të kujdesshëm nga pikëpamja e sigurisë dhe mjedisit. Ne pjesët ku rruga intersekton lumejte, kryesisht Lumin e Kushes është marre parasysh dhe sistemimi i lumenjve. Keshtu që me këtë projekt Elbasani përfiton dhe një projekt të dytë atë të sistemimit tokave dhe ndalimit te gërryerjeve për shkak të këtij lumi që shumë herë ka sjellë probleme për tokat apo dhe ndërprerjen e rrugës së fshatrave.

Së bashku me Kryeministrin ishin të pranishëm në këtë fillim punimesh, Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, zoti Sokol Olladashi, autoritete të pushtetit vendor, drejtues dhe punonjës të firmave JV COPRI CONSTRUCTION & AKTOR S.A”, etj

KOMENTE