English

Sali Berisha letër urimi presidentit të ri të Francës, Hollande

“I nderuar zoti President,

Kam kënaqësinë e veçantë, që, me rastin e fitores Suaj në zgjedhjet presidenciale të datës 6 maj 2012 në Francë, t’Ju përcjell, në emrin tim e të qeverisë shqiptare dhe të të gjithë qytetarëve të vendit tim, përshëndetjet më të përzemërta, si dhe urimet më të ngrohta e miqësore për suksese në detyrën e lartë përpara Jush.

Me votën e tyre, qytetarët francezë Ju zgjodhën Ju dhe programin Tuaj për përballimin e krizës së sotme evropiane dhe botërore, bazuar në rritjen ekonomike dhe nxitjen e prosperitetit.

Me këtë rast dëshiroj edhe një herë të shpreh mirënjohjen Francës dhe kombit francez për mbështetjen e madhe që i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë e shqiptarëve në përpjekjet e tyre për ndërtimin e demokracisë, shtetit ligjor dhe integrimin në BE.

Unë dua t'Ju siguroj Ju zoti President se për mua dhe vendin tim, miqësia dhe bashkëpunimi me Ju dhe Francën mike është dhe mbetet një përparësi e vecantë.

Me dëshirën për t'Ju pritur në Shqipëri në kohën më të përshtatshme për Ju, shfrytëzoj rastin për t’Ju përsëritur sigurimet e konsideratës më të lartë.

Juaji

Sali Berisha

KOMENTE