English

Kryeministri Berisha takon Gianfranco Fini

Vazhdon vizita e Kryeministrit Berisha në Itali. Ai u takua sot, në Montecitorio, me Presidentin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian, Gianfranco Fini.

Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për ta falënderuar zotin Fini, për kontributin e tij dhe atë të qeverisë dhe popullit italian për ndihmën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e saj drejt demokracisë dhe integrimit euroatlantik.

Zoti Fini shprehu kënaqësinë e veçantë për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe popujve. Pasi nënvizoi interesin e Italisë në stabilizimin dhe progresin e Ballkanit, si një interes parësor i Italisë, siguroi Kryeministrin për angazhimin e pandryshuar në thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë.

Kryeministri Berisha e njohu zotin Fini me zhvillimet pozitive politike dhe ekonomike të Shqipërisë. Ai theksoi se zgjedhjet lokale të vitit 2011 shënuan një moment kthese në zhvillimet politike në Shqipëri dhe se tashmë jeta politike dhe ajo parlamentare i janë kthyer normalitetit të plotë dhe se tashmë opozita i është rikthyer rolit të saj institucional. Kryeministri theksoi se këto zhvillime kanë ndikuar në një progres të dukshëm në plotësimin e prioriteteve të vëna nga Bashkimi Evropian. Zoti Fini i vlerësoi pozitivisht këto zhvillime, në kuadër të vendimmarrjes së BE-së për dhënien e statusit kandidat Shqipërisë.

Bashkëbiseduesit diskutuan tema të interesit dypalësh në marrëdhëniet ekonomike dhe potencialet që Shqipëria ofron për investitorët italianë. Kryeministri Berisha u shpreh se është me rëndësi të madhe paraqitja sa më e mirë tek investitorët italianë e këtyre potencialeve dhe forumet e biznesit, si ai që u zhvillua sot, janë një mundësi e shkëlqyer.

Në takim u diskutua edhe për projektet e mëdha energjetike pan-evropiane. Lidhur me këtë u nënvizua interesi strategjik i projektit TAP, në kuadër të sigurisë energjetike jo vetëm në Shqipëri dhe në Itali, por dhe në mbarë rajonin dhe Evropën.

Gjithashtu, në takim u diskutua edhe për zhvillimet politike në eurozonë dhe në rajonin e Ballkanit, ku fokus të veçantë pati diskutimi në lidhje me krizën ekonomike në Greqi, masat që BE po merr për përballimin e krizës financiare dhe nevojës për rritje ekonomike dhe stabiliteti në Ballkan.

Kryeministri Berisha e ftoi zotin Fini të vizitojë Shqipërinë në kuadër të festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë, ftesë e cila u mirëprit me kënaqësi nga zoti Fini.

KOMENTE