English

Topalli-Tsacheva. Bashkë në NATO, bashkë në BE

Kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli priti sot në një takim Kryetaren e Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë, znj. Tsetska Tsacheva, si dhe delegacionin që e shoqëronte.

Dy homologet vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira midis dy parlamenteve por dhe dy vendeve si dhe shprehën angazhimin për intensifikimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

Znj. Tsacheva shprehu kënaqësinë për të vizituar Shqipërinë në një kohë kur vendi ka shënuar progres me reformat e integrimit ndërsa tha se falë këtyre arritjeve Shqipëria duhet të meritojë statusin kandidat. Me këtë rast, ajo shprehu mbështetjen e të gjitha institucioneve të larta të Bullgarisë në çdo etapë që Shqipëria do të kalojë në funksion të integrimit europian duke ofruar edhe eksperiencën e tyre mbi këtë proces.

Kryetarja e Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë, Tsacheva tha se të dy popujt ndajnë historinë e tyre por si dy vende fqinjë mike kanë objektiv të përbashkët strukturat europiane. Të dy vendet, tha znj. Tsacheva janë anëtare të NATO-s, bëjnë pjesë në nisma të rëndësishme ndërkombëtare, mirëpresim të jemi së bashku edhe në Bashkimin Europian. Ne besojmë tek e ardhmja europiane e Shqipërisë.

Kryetarja Jozefina Topalli vuri theksin në përkushtimin dhe përpjekjet e Shqipërisë për të finalizuar të gjitha reokmandimet duke bërë të ditur se në funksion të këtij procesi po punohet intensivisht dhe janë kaluar një sërë ligjesh e kodesh që kërkojnë 3/5 e votave, dhe po punohet për finalizimin e dy reformave të rëndësishme Zgjedhore dhe Parlamentare.

Kryetarja Jozefina Topalli dhe Kryetarja Tsacheva shprehën angazhimin e përbashkët për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, përmes grupeve të miqësisë, delegacioneve të komisioneve parlamentare, por edhe shkëmbimit të vizitave në të gjitha nivelet.

Dy homologet biseduan për projekte të mëdha në interes jo vetëm të të dy vendeve por dhe rajonit në tërësi. Kështu u vlerësua rëndësia e Korridorit 8, si njё projekt me përparësi, për realizimin e infrastrukturës, ku palët duhet të tregojnë një angazim të përbashkët.

“Është e rëndësishme që ne të forcojmë kontaktet dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat. Është koha që të gjitha vendet e rajonit të bëhen pjesë e projekteve të mëdha me impakt nxitës në ekonomitë si në shkëmbimet tregtare, investimet ambicioze në energjetikë, infrastrukturë, turizëm etj” tha Kryetarja Jozefina Topalli.

Duke shprehur falenderimet për mikpritjen, Znj. Tsacheva i përcolli Kryetares Jozefina Topalli ftesën për të vizituar Asamblenë Kombëtare të Bullgarisë, ftesë, të cilën Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, e pranoi me kënaqësi.

KOMENTE