English

Edmond Haxhinasto: Investimet kanadeze duhet të jenë të pranishme në Shqipëri

Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme z. Edmond Haxhinasto, zhvilloi një vizitë zyrtare dy ditore në Kanada, ku pati takime me Kryetarin e Senatit Noel A. Kinsella, Kryetarin e Dhomës së Ulët Andrew Scheer, Ministrin e Punëve të Jashtme John Baird, Sekretarin Parlametar për tregtinë ndërkombëtare Gerald Keddy, Kryetarin e Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Parlamentit kanadez Dean Allison, etj. Në këto takime u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe, me theks të veçantë në kuadër të bashkëpunimit ekonomik, zhvillimet në rajon, etj.

Në takimin me Kryetarin e Senatit, z. Kinsella, Zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm z. Haxhinasto shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe asistencën e vazhdueshme të Kanadasë, posaçërisht në drejtim të transformimeve demokratike në vend, si dhe për futjen e Shqipërisë në NATO. Marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve tona, tha z. Haxhinasto duhet që të materializohen në marrëdhënie dhe bashkëpunim ekonomik më të fortë. Investimet dhe kompanitë kanadeze duhet të jenë më të pranishme në Shqipëri në fusha të tilla si: energjia, infrastruktura, turizmi, burimet natyrore, miniera, naftë e gaz. Bashkëpunimi me Shqipërinë, tha senatori Kinsella, do të sigurojë një mundësi më të madhe që Shqipëria të jetë si porta e Ballkanit, ku mallrat do të shpërndahen më tej nëpërmjet sistemit hekurudhor apo atij rrugor, edhe drejt Lindjes së Mesme e të Largme. Në takim me kryetarin e Senatit u diskutua edhe për lehtësimin e lëvizjes së shqiptarëve drejt Kanadasë, për të cilën z. Kinsella dha mbështetjen e tij të plotë, si dhe garancinë se do të punojë në parlament për të mundësuar një gjë të tillë. Po ashtu, dy bashkëbiseduesit vlerësuan si mjaft të rëndësishëm forcimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit, duke u mundësuar studentëve të dy vendeve të studiojnë në vendet respektive.

Pas takimit, Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Haxhinasto dhe kryetari i Senatit Kinsella morën pjesë në ceremoninë e dhurimit të bustit të Nënë Terezës, Senatit kanadez, si dhuratë e Qeverisë Shqiptare. Në këtë ceremoni morën pjesë deputetë, miq të Shqipërisë si dhe shumë bashkëatdhetarë me banim në Kanada.

Në takimin me kryetarin e Dhomës se Ulët në parlamentin kanadez Andrew Scheer, biseda u përqëndrua në domosdoshmërinë e realizimit të një sërë marrëveshjesh për të krijuar një bazë solide ligjore bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve, si vende që gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dhe vende partnere, jo vetëm në NATO. Bashkëbiseduesit nënvizuan rëndësinë e zhvillimit dhe forcimit të diplomacisë parlamentare si mënyrë efikase për të realizuar objektivat e bashkëpunimit dypalësh.

Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtmez, z. Haxhinasto pati një takim edhe me Kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme në parlament, ku morën pjesë deputetë dhe biznesmenë kanadezë. Në takim u diskutua mbi mundësitë që Shqipëria ofron në drejtim të tërheqjes së investimeve kanadeze në Shqipëri. Shqipëria, tha z. Haxhinasto ofron mundësi investimesh në fusha të tilla si energjia, turizmi, infrastruktura, bujqësia, burimet natyrore dhe minierat.

Në takimin e z. Haxhinasto me Ministrin e Jashtëm kanadez, John Baird u konfirmua klima e shkëlqyer e marrëdhënieve dhe u shpreh vullneti i përbashkët për të materializuar ato në fushën e bashkëpunimit ekonomik. Duke shprehur falenderimin për mbështetjen e Kanadasë për tranzicionin në Shqipëri, për futjen në NATO, si dhe për njohjen e Kosovës, ai tha se Shqipëria, pavarësisht se është një vend i vogël, ofron mundësi të mëdha për investime në fusha të tilla si: energjia hidrike, minierat, burimet natyrore, naftë e gaz, turizëm etj. Për këtë të fundit, ai tha se është e rëndësishme që të krijojmë mundësitë që operatorët turistike të të dy vendeve të bashkëpunojnë për njohjen e mundësive dhe për lidhje të qëndrueshme në drejtim të shkëmbimeve turistike.

Ministri i Jashtëm Kanadez, z. Baird tha se zhvillimet në fushën ekonomike në Shqipëri janë të dallueshme dhe kjo duhet të shërbejë si bazë që ekspertiza kanadeze në fusha të tilla, si energjia apo minierat, të përdoret edhe në Shqipëri.

Po në kuadër të bashkëpunimit ekonomik, bashkëbiseduesit theksuan se mbetet e një rëndësie prioritare përfundimi i bazës ligjore të këtij bashkëpunimi, duke përfunduar marrëveshjet që tashmë janë në proces, si ajo e mbrojtjes dhe nxitjes së investimeve, etj. Me mjaft interes u diskutua mbi nënshkrimin, në një të ardhme të afërt, të marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore, nga e cila do të përfitojnë kryesisht shqiptarët që kanë emigruar në Kanada.

Lehtësimi i lëvizjes, ishte një nga temat e diskutuara në takim. Ministri Haxhinasto kërkoi që pala kanadeze të vlerësojë mundësinë për të lehtësuar procedurat për vizat për shqiptarët. Nga kjo nuk do të përfitojnë vetëm shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, por edhe shqiptarët që jetojnë e punojnë në Kanada, sepse do të ruajnë më tepër lidhjet me Shqipërinë dhe të afërmit e tyre. Lehtësimi i vizave, tha z.Haxhinasto, mund të fillojë me kategori të caktuara dhe më tej të shtrihet për të gjithë qytetarët, praktikë që është përdorur edhe me vende të tjera.

Në kuadër të rritjes së kontakteve njerëzore, bashkëbiseduesit diskutuan mbi nënshkrimin e një marrëveshjeje në fushën e arsimit, e cila do të mundësonte që shqiptarët të studiojnë në Kanada, por edhe shqiptaro-kanadezët që jetojnë në Kanada të mund të studiojnë në Shqipëri.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajon. Duke vlerësuar kontributin e Kanadasë në Kosovë si një kontribut në drejtim të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit në të gjithë rajonin tonë, ministri Haxhinasto i kërkoi mikut kanadez angazhimin e vendit të tij për njohjet e reja për Kosovën, si dhe për përfshirjen e saj në organizatat ndërkombëtare.

Ministri Haxhinasto vazhdon vizitën në Kanada.

KOMENTE