English

Muret rrethuese të shtëpive në Tiranë, do të zevendësohen me kangjella

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka inspektuar punimet të cilat janë drejt fundit në një prej rrugëve më të amortizuara në Tiranë, “Sadik Petrela”. Në këtë rrugë është bërë riveshja dhe riasfaltimi total i saj. Rikonstruksioni i kësaj rruge u premtua rreth një muaj më parë nga kryetari i Bashkisë Lulzim Basha, ndërsa inspektonte punimeve për Ujësjellësin e ri i cili furnizon me ujë 35 mijë banorët e Kodrës së Priftit, të cilët prej vitesh vuanin mungesën e tij. Sot këta banorë, krahas furnizimit me ujë, kanë dhe rrugën tërësisht të rikonstruktuar.

“Ky është modeli i ri i punës dhe standarti që Bashkia e Tiranës do të imponojë anë e mbanë qytetit, duke filluar me zonat e harruara dhe ato në nevojë, duke pasur si parim jo vetëm qendrën e qytetit por kudo ku qyteti shtrihet, duke filluar nga pragu i qytetarëve, për t’ju ofruar qytetarëve të Tiranës një cilësi më të mire jete dhe për ta bërë Tiranën një qytet ku jetohet më mire”, tha Basha.

Kryebashkiaku bëri të ditur dhe nisjen e punës për riparimin e 88 rrugëve të kryqytetit të cilat i shtohen 100 rrugëve të riparuar gjatë muajve Mars-Prill. Basha theksoi se afro një e treta e këtyre rrugëve që po i nënshtohen riparimit kanë ardhur si rezultat i shqetësimit të qytetarëve që e kanë raportuar këtë drejtpërdrejt nëpërmjet shërbimit të Zërit të Qytetarit në Bashkinë eTiranës. Zoti Basha bëri gjithashtu të ditur se këtë muaj nis procesi i investimit në 30 rrugë të cilat nuk do të riparohen por do të ndërtohen nga fillimi.

“Bashkë me planin urbanistik dhe planet e mëdha me të cilat po ecim, ne nuk do të harrojmë për asnjë çast nevojat e mëdha që ky qytet ka për shkak të problematikës së madhe që është përballur dhe krahas këtij investimi që shikoni, ne nisim këtë fundjavë projektin e riparimit të 88 rrugëve të tjera të qytetit që do t’i bashkangjitet 100 rrugëve që ne riparuam në periudhën Mars-Prill. Pra gjithsej 188 rrugë të qytetit do t’i nënshtrohen procesit të riparimit. Jam i ndërgjeshëm që këto 188 rrugë janë vetëm një fraksion i vogël i nevojave të qytetit. Por të gjithë duhet ta kuptojmë që në 10 muaj nuk mund të zhbëjmë apo të ndreqim atë që nuk është bërë në dhjetra vite. Por ju siguroj që në këto 10 muaj dhe në muajt e ardhshëm ne do të hedhim hapa të mëdhenj përpara, në drejtim të cilësisë së jetës së qytetarëve në lagjet ku jetojnë”, tha Basha.

Këto investime në rruge dhe ujësjellës, sipas Bashes, janë vetëm fillimi pasi një tjetër projekt është parashikuar për këtë zonë, projekt i cili sipas Bashës, do të sjellë një model qytetërimi në këtë zonë.

“Ne nuk i lajmë duart me kaq. Do të vazhdojmë derisa i gjithë blloku të përjetojë një standard dhe model të ri qytetërimi, një standard europian, dhe për këtë kërkojmë bashkëpunimin e tyre. Rehabilimi i bllokut padyshim, por edhe zëvëndësimi i mureve të vjetra dhe të reja me kangjella dhe gjelbërimin e oborreve. Një pjesë e mirë e banorëve e kanë bërë këtë që në konceptimin e shtëpive të tyre të reja, dhe ata që nuk e kanë bërë do t’ju japim shansin që ta bëjnë këtë me ndihmën e Bashkisë. Dhe do ta përdorim këtë model të ri anë e mbanë qytetit, por i takon kësaj zone dhe në tërësi “Kodrës së Priftit” ta përjetojë këtë standard të ri dhe këtë përkushtim, këtë angazhim, këtë vizion të Bashkisë së Tiranës”, deklaroi kryebashkiaku Basha.

KOMENTE