Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Plani Urbanistik i Tiranës evropiane, shprehet Basha
English

Plani Urbanistik i Tiranës evropiane, shprehet Basha

Pas afro 10 muajsh pune intensive dhe ashtu siç Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha kishte premtuar, Tirana ka sot draft - planin e saj urbanistik, një plan që do të garantojë një zhvillim të qëndrueshëm të Tiranës moderne europiane.

“Ky është një moment kulmor në 22 vitet e fundit të kryeqytetit tonë, Tiranës, një moment historik për vetë temën që trajtojmë sot dhe problematikat që ajo mbart në këtë periudhë kohe, por një moment historik edhe për sfidat dhe problemet me të cilat përballet realiteti ynë urban. Kjo kënaqësi e veçantë vjen, pasi vetë takimi për Planin Urbanistik të Tiranës, është përmbyllja e një premtimi të mbajtur” – u shpreh z.Basha.

Ky plan, i quajtur “Plani i Tiranës Metropolitane” shtrihet në 8 njësi vendore, dy nga të cilat bashki dhe 6 komuna. Kjo shënon një risi, një model bashkëpunimi dhe natyrisht bën të mundur, që qytetarëve t’u krijohen kushte më të mira të lëvizjes, shërbimit dhe infrastrukturës.

“Përkundër një historie të lodhshme të frymës konfliktuale dhe mungesës së bashkëpunimit, edhe me vetë administratat vendore kufitare, ne synuam që në fillim të procesit që të ndërtojmë një klimë mirëbesimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me njësitë vendore përreth. Me shumë përgjegjësi dhe kënaqësi, ne njëkohësisht u angazhuam në një protokoll bashkëpunimi, për ndërtimin e një vizioni të përbashkët zhvillimi metropolitan” – theksoi Kryebashkiaku.

Ky Plan ka në themel të tij parime të forta të respektimit të pronës private, mjedisit dhe zhvillimit ekonomik. Me këtë Plan rivendoset hierarkia e strukturës urbane që nis nga blloku, ku parashikohen 600 të tillë, kompleksi avancon me lagjet dhe përmbyllet me njësitë administrative. Hapësirat e gjelbra zënë një vend të rëndësishëm. Po qartë, përcaktohet edhe pasaporta për secilin bllok dhe formula e menaxhimit të pronës.

Studimi urbanistik sjell një vlerësim të barabartë të pronës private, si në rastet kur ndërtohet pallat, ashtu edhe kur është e destinuar për lulishte apo për rrugë.

“Jemi dëshmitarë të një modeli të dështuar, që ka bërë që një pjesë e pronave të fitojnë vlerë, përmes një procesi planifikues selektiv dhe një pjesë të humbasë vlerë pikërisht për të njëjtën arsye. Kjo praktikë do të marrë fund. Plani aktual synon ta adresojë këtë problematikë, duke sjellë komponentin europian të formulës së menaxhimit, çka do të thotë në themel, që të gjithë banorëve, pronarëve, ndërtuesve t’u ofrohen shanse të barabarta zhvillimi të pronës së tyre, duke ulur barrat e funksionimit të një tregu të lirë, normal në qytet”

Ky Plan parashikon krijimin e 7 poleve të zhvillimit të Tiranës:

Një pol zhvillimi është ai që shtrihet poshtë Stacionit të Trenit dhe që merr një hov të madh zhvillimi, me zbatimin e projektit të “Grimshaw Architects”, për Bulevardin e ri dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës.

Një tjetër pol shtrihet në zonën e spitaleve, i cili ka dimension kryesor aktivitetin shëndetësor, por natyrisht do të ketë edhe shërbime të tjera për qytetarët.

Një pol tjetër do të shtrihet në qytetin Studenti, me funksion kryesor arsimin, por Plani sugjeron pasurimin e kësaj zone me shërbime të tjera rekreative, sociale dhe administrative, në mënyrë që të pasurohet dhe forcohet roli i këtij poli.

Një pol i ri, ai jug - perëndimor do të krijohet rishtas, duke akomoduar shërbime që Tirana i ka me mangësi, kryesisht do të jenë shërbimet rekreative dhe sportive.

Një tjetër pol është ai që shtrihet përgjatë Fushës së Aviacionit, në të cilin planifikohen shërbime biznesi dhe rekreacioni. Gjenerimi i këtij poli do të katalizojë dhe rizhvillimin e kësaj zone, si një nga zonat më të neglizhuara të qytetit.

Në Polin e Kombinatit është parashikuar dhe akomodimi i disa funksioneve sportive, me sfond olimpik.

Ndërsa, poli veri-perëndimor parashikon forcimin e funksionit arsimor të Kodër -Kamzës dhe pasurimin e shërbimeve dhe funksioneve në këtë zonë.

“Zhvillimi ekonomik, mirëqënia dhe krijimi i vendeve të punës mbeten prioriteti numër një i Bashkisë së Tiranës, por më shumë se kaq, nuk e shohim Planin, thjesht si një dokument formal, por si një model pune dhe bashkëpunimi, i cili jo thjesht vendos njolla ndërtimore mbi Tiranë, por që ndërton mbi problematikat e jep skemat e zhvillimit dhe partneritetet që duhet të ndërtojmë, për të rritur cilësinë e banorëve të qytetit tonë dhe për t’iu përkushtuar me të vërtetë vizionit tonë, për një Tiranë moderne dhe europiane” – u shpreh Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar rrjetit rrugor dhe transportit. Tirana do të ketë një rrjet prej 5 unazash. Unaza 2 është ajo që dikur quhej Unaza e Mesme, që gjithashtu do të funksionojë me sens unik lëvizjeje, por në drejtimin e kundërt të lëvizjes me Unazën 1. Unaza 3 është praktikisht Unaza ekzistuese e qytetit, por që sugjerohet plotësimi i saj për pjesën jugore të qytetit. Plotësimi i saj në pjesën jugore është tejet i vështirë, në krijimin e një gjurme të plotë, ndaj mund të pranohet një ridimensionim i saj, duke komprometuar një pjesë të fluksit të lëvizjes. Unaza 4 është risi për Tiranën, pasi sot nuk ekziston as si gjurmë në asnjë prej planeve. Duke qenë se distanca nga Unaza 3 deri te Unaza 5 është relativisht e madhe, konsiderohet e rëndësishme që të vendoset Unaza 4, në gjurmën e së cilës mund të shtrihet dhe një nga linjat e Tramit.

Gjithashtu, një risi e Planit është edhe rrjeti i transportit publik. Linja Lindje - Perëndim është një nga më klasiket në qytetin e Tiranës, ndaj dhe tramvaji do ketë një linjë të tillë. Së dyti, linja Veri - Jug do të sigurojë shërbimet e lëvizjes së gjithë qytetit, drejt aeroportit dhe drejt zonës ekonomike. Linjat e autobuzëve do jenë komplementare me linjat e tramvajit, në mënyrë që të kapilarizohet mbledhja e flukseve të lëvizjeve. Për këtë arsye, në nivelet e tjera të Unazave do të parashikohen linja autobuzësh. Gjithashtu, me linja autobuzësh do të mbulohen disa zona si: Shkoza, Rrapi i Treshit etj. Gjithashtu, parashikohen dhe lëvizjet interurbane. Sistemi i sugjeruar do të jetë sistem i integruar, që do të funksionojë me biletë unike, ndërsa stacionet e vendosura parashikohen që të jenë stacione të kombinuara të transportit, autobuz interurban, autobuz urban dhe tramvaj. Në planin urbanistik janë parashikuar 4 parqe tw tjera Farka, Kashari, Vaqarri dhe Paskuqani. Njëkohësisht do të ketë koridore të reja ekologjike që shtrihen përgjatë Bulevardit tw ri dhe Lumit të Tiranës si dhe parashikohet rritja e biodiversitetit në korridorin e Lanës. Po kështu të gjitha rrugët që do të ndërtohen dhe rikonstruktohen në Tiranë do ta kenë të detyruar të kenë rrjetin e korsive të biçikletave.

“Këndvështrimi ynë është që Tiranës nuk i nevojitet një plan në letër, që të ekzistojë formalisht, por një instrument i vërtetë për të realizuar investimet e duhura publike, për t’i hapur rrugë kapitalit privat vendas dhe të huaj, për të gjeneruar klimën e duhur, për zhvillimin e fuqishëm ekonomik dhe krijimin e shanseve për punësim, për të gjithë qytetarët dhe në veçanti brezin e ri. Kjo do të sjellë vlerë në procesin e zhvillimit të tokës, por edhe më tej, instrumentin e duhur të planifikimit në tryezën e ndërtimit të partneritetit me sektorin privat, ndërtuesit, investitorët dhe zhvilluesit” – theksoi z.Basha.

Në hartimin e këtij Plani, në nivelin e grupit teknik dhe strategjik janë përfshirë ekspertët më të mirë vendas, urbanistë, arkitektë, profesorë të Universiteteve publike dhe private, publicistë, ekspertë të mjedisit dhe ekonomisë, historianë dhe studiues por edhe studentë.

“Asnjëherë më parë nuk ka patur një gjithpërfshirje kaq të madhe, ku askush nuk është përjashtuar dhe gjithkush ka patur rastin të përfaqësohet. Në mënyrë të veçantë është kjo e vërtetë, për forcën intelektuale të kombit, e cila gjendet pa dyshim në Tiranë, për profesionistët, intelektualët të cilët morrën pjesë në diskutimet, punën parapërgatitore dhe hartimin e këtij Plani, profesorë të nderuar, udhëheqës katedrash, publicistë, rektorë, dekanë, studiues me tituj shkencorë brenda dhe jashtë vendit dhe vetë energjia studentore e Tiranës, ishin pjesë e pandarë e kësaj përpjekjeje madhore dhe nëse koha ka qenë e shkurër, volumi ka qenë i jashtëzakonshëm, volumi i prurjeve, vullneteve, volumi i dëshirës dhe pasionit të zjarrtë për Tiranën, është çelësi se pse ne arritëm ta kurorëzonim këtë ndërmarrje me sukses, brenda 10 muajsh” – u shpreh Kryebashkiaku Basha.

Ky Plan Urbanistik, për 3 muaj do t’i nënshtrohet një konsultimi të gjerë me qytetarë të Tiranës dhe grupe të interesit, për të arritur në produktin që përfaqëson interesin e çdo qytetari të Tiranës, pavarësisht moshës apo prejardhjes. Tirana moderne dhe europiane nuk është një slogan, është një formulë për të përmbledhur vlerat thelbësore, tek të cilat ne besojmë.

KOMENTE