English

Shqipëria do të udhëheqë tempullin e demokracisë evropiane, shprehet Berisha

Kryeministri Berisha mori pjesë dje pasdite në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Jashtme me rastin e marrjes nga Shqipëria të Presidencës së radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

Të pranishëm në këtë ceremoni të zhvilluar në mjediset e Ministrisë së jashtme, ishin Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, z. Thobjorn Jagland, Kryetarja e Kuvendit zonja Jozefina Topalli, Ambasadorë dhe zyrtarë të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, deputetë e ministra, etj.

Kryeministri u shpreh se kjo është një ditë historike, sepse vjen si margaritar i vërtetë në 100 vjetorin e pavarësisë së vendit, vend i cili 100 vjet më parë luhatej në alternativën të jetë a të mos jetë dhe sot, pas 100 vitesh, kryeson komunitetin e kombeve demokratike, në tempullin e demokracisë evropiane, Këshillin e Evropës.

Kryeministri siguroi se Shqipëria do të ketë një bashkëpunim shumë të ngushtë me Këshillin e Evropës, me qeverinë britanike që dorëzoi çelësin, me Asamblenë Parlamentare, me vendet e tjera mike, në mënyrë që të përmbushë me dinjitet të plotë dhe përgjegjësi të madhe detyrimet e kësaj kryesie.

Kryeministri u ndal më tej në prioritetet e kryesimit nga ana e Shqipërisë, duke veçuar këtu; përpjekjet për vazhdimin e reformave të promovuara nga Këshilli I Evropës dhe paraardhësit në kryesi, fuqizimi i dialogut, paqes e harmonisë fetare me rajonet e tjera, si një mesazh i nevojshëm kudo në Evropë, e veçanërisht si mesazh tek vendet e Pranverës Arabe, promovimi i axhendës për të rinjtë, përpjekjet për intensifikimin e proceseve të integrimit rajonal dhe ndihmesën në problemet më kyçe, siç janë ato të minoriteteve në Ballkan, etj.

KOMENTE