Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Partia Socialiste nuk do të reshtë së përpjekuri për të hapur rrugën e arsyes politike të kombit
English

Partia Socialiste nuk do të reshtë së përpjekuri për të hapur rrugën e arsyes politike të kombit

Fjala e plotë e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama

Të nderuar deputetë e deputete,

Jemi në një moment tejet të rëndësishëm politik, ku gjërat nuk po shkojnë në drejtimin e duhur për vendin, ndërkohë që rruga drejt provimit të vjeshtës në Bruksel, fatkeqësisht, po mjegullohet dita–ditës.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2011, i prezantuar nga Sekretarja Klinton mbi të Drejtat e Njeriut, është një pasqyrë ku Shqipëria duket vërtet keq, jo në sytë e opozitës, por në sytë e mikut e aleatit më të madh strategjik të mbarë kombit shqiptar.

Gjithçka tregon ajo pasqyrë është alarmante dhe duhet të verë në alarm të zgjedhurit, po edhe zgjedhësit e këtij vendi. Është e vështirë të gjesh në të qoftë edhe një fushë të vetme që do ta bënte vendin tonë të konsiderohej një demokraci funksionale, një shtet serioz, një anëtar i mundshëm dinjitoz i Bashkimit Europian.

Niveli i përhapur i korrupsionit dhe betonimi i kulturës së pandëshkueshmërisë, dhuna dhe shpërfillja e ligjit nga policia dhe forcat e sigurisë, siç është rasti tragjik i 21 janarit pengimi i hetimeve për këtë çështje, minimi i të drejtës së qytetarëve për të vendosur me votë për fatet e tyre, cenimi i lirisë së medias dhe gjendja dëshpëruese e sistemit të drejtësisë, të bëjnë të mendosh që vendi, që duket kaq keq në këtë pasqyrë, nuk është në mes të Europës dhe forcat që e qeverisin këtë vend janë fuqi qorre e shurdhe e së shkuarës.

Fatkeqësisht kjo verbëri e shurdhëri materializohet përditë në sjelljen e në fjalët e kryeministrit të Shqipërisë. Ai refuzon kokëfortësisht përmbylljen e Reformës Zgjedhore edhe pse Raporti i Departamentit të Shtetit thotë qartë se në Shqipëri nën qeverisjen e Sali Berishës është minuar e drejta më themelore që gëzojnë qytetarët në një sistem demokratik, e drejta e votës. Ato çka raporti thotë troç për KQZ e Arben Ristanit flasin më së miri për drejtësinë e këmbënguljes sonë për ndryshimin me themel të KQZ-së. Ndërsa këmbëngulja e kryeministrit për ta mbajtur në këmbë me çdo kosto për vendin këtë KQZ zullumesh flet hapur për qëllimin e tij që të vjedhë përsëri zgjedhjet e ardhshme.

Është qeveria që mban përgjegjësi për gjithçka nënvizon Raporti i Sekretares Klinton mbi korrupsionin që mbetet një problem shumë serioz, mbi politizimin e emërimeve në Gjykatën e Lartë dhe në atë Kushtetuese që vijon të kërcënojë pavarësinë, besueshmërinë dhe integritetin e sistemit të drejtësisë, mbi zyrtarët e policisë që vendosin lidhjet kriminale dhe politike mbi sundimin e ligjit.

Dhe, padyshim që është po qeveria arsyeja përse Shqipëria merr në këtë raport të hidhur dhe tërësisht realist notë jo kaluese kur vjen puna tek liria e shprehjes dhe e medias, si pasojë e shantazheve, kërcënimeve, dhunës mafioze të ushtruar ndaj gazetarëve, veçanërisht, gjatë dhe pas protestës së 21 janarit dhe mos hetimin e gjykimit e individëve që kanë ushtruar dhunë e presion ndaj tyre.

Pasqyra e këtij raporti konfirmon shqetësimet e ngritura në vijimësi nga Partia Socialiste, opozita në tërësi, media e pavarur dhe opinion publik në lidhje me gjendjen e demokracisë e të drejtat e njeriut në Shqipëri.

Por, kjo pasqyrë vërteton katërcipërisht edhe drejtësinë e shqetësimeve madhore të ngritura së fundmi prej nesh përmes katër pikave që u kemi propozuar për dialog të samëparshëm partive parlamentare.

Dje kryeministri i cilësoi katër pikat tona si ultimatume për të bllokuar rrugën e sukseseve të tij imagjinare drejt Bashkimit Europian, por në fakt ato janë katër kushte themelore e parimore të vendosura përpara nesh, përpara të gjithë klasës politike shqiptare dhe qeverisë në radhë të parë, nga vetë Bashkimi Europian në vigjiljen e provimit tonë të vjeshtës.

‘Na ndihmoni që t’ju ndihmojmë’, na tha javën e shkuar Presidenti i nderuar i Bundestagut gjerman kur e takuam për të kërkuar mbështetje për provimin tonë të kësaj vjeshte në Bruksel.

‘Na ndihmoni që t’ju ndihmojmë’, na tha pardje në Athinë edhe në emër të Presidentit të Parlamentit Europian, kryetari i grupit europarlamentar të socialistëve e demokratëve.

‘Na ndihmoni që t’ ju ndihmojmë’ i tha këtë muaj, drejtpërdrejtë, parlamentarëve shqiptarë e mbarë opinionit tonë publik, Komisioneri i Zgjerimit Stefan Fule me fjalë të qarta e adresime konkrete të detyrave tona nga tribuna e Kuvendit të Shqipërisë.

‘Na ndihmoni që t’ju ndihmojmë’ është refreni i përsëritur prej muajsh për ne nga të gjitha drejtimet që mund të na flasin miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara e Bashkimit Europian.

Si t’i ndihmojmë që të na ndihmojnë për ta marrë provimin e vjeshtës në Bruksel e për të mos u bërë, mu në 100 vjetorin e pavarësisë gazi më i madh i botës duke hyrë në historinë e integrimit europian të vendeve ish-komuniste, si i vetmi vend që dështoi tre herë radhazi në provimin e kandidaturës për në Bashkimin Europian?

Na e kanë thënë ata vetë dhe na e kanë përsëritur njëqind herë se si t’i ndihmojmë:

-Të reformojmë ligjin e zgjedhjeve për të garantuar qytetarët shqiptarë po edhe Familjen Europiane ku duam të hyjmë se nuk do të ketë më zgjedhje të turpshme si ato të qershorit 2009 apo ato të 8 majit 2011 në Tiranë.

Ja pse ne u themi partive parlamentare të ulemi menjëherë në tryezë e të zgjidhim me atdhedashuri e vullnet të mirë çdo problem që pengon përmbylljen me dakordësi e sukses të Reformës Zgjedhore. Nuk janë probleme të pazgjidhshme nëse ka vullnet të mirë politik për të çliruar njëherë e përgjithmonë zgjedhjet dhe zgjedhësit shqiptarë nga zinxhiri mbytës që pengon shprehjen e lirë të sovranitetit kushtetues të popullit. Janë probleme që mund të zgjidhen brenda një dite nëse asnjë parti nuk synon të mbajë lidhur pas karriges së pushtetit të vet popullin sovran.

- Të reformojmë rregullat e bashkëjetesës demokratike në sallën e Kuvendit të Shqipërisë për të garantuar zgjedhësit shqiptarë, po edhe Familjen Europiane ku duam të hyjmë se nuk do të ketë më në parlamentin e Shqipërisë dhunim të lirisë së votës së asnjë deputeti dhe as dhunim të së drejtës së opozitës për të qenë e barabartë me qeverinë në shprehjen e opinionit të saj.

Ja pse u themi partive parlamentare të ulemi menjëherë në tryezë e të zgjidhim me forcën e arsyes çdo problem të mbetur që pengon përmbylljen e Reformës Parlamentare. Nuk janë probleme të komplikuara matematike, po vetëm aritmetikë fare e thjeshtë, nëse ka vullnet të mirë politik për ta bërë parlamentin e Shqipërisë, vendin e shpirtit të lirë demokratik të këtij vendi e të kulturës europiane të ballafaqimit të alternativave, duke hequr njëherë e përgjithmonë nga bashkëjetesa parlamentare mes qeverisë dhe opozitës ushtrimin arbitrar të forcës së shumicës mbi pakicën. Janë probleme që mund të zgjidhen brenda një dite nëse asnjë parti nuk e sheh veten si të përjetshme në pushtet dhe nuk do për vete të drejtën e garantimit të jetëgjatësisë së pushtetit të vet përmes trukesh e hilerash që s’kanë asgjë të përbashkët me parimet e Familjes Europiane.

- Të heqim apo kufizojmë imunitetin e deputetëve dhe të të gjithë zyrtarëve me imunitet për të garantuar publikun shqiptar, po edhe Familjen Europiane ku duam të hyjmë, se sistemi i padrejtësisë, pabarazisë, pandëshkueshmërisë që është instaluar në Shqipëri në kurriz të Kushtetutës e të ligjit, nuk do të kufizojë horizontin e të ardhmes europiane të shqiptarëve.

Ja pse u themi partive parlamentare të ulemi menjëherë në tryezë e ta ulim veten në një nivel të barabartë me qytetarin përpara Kushtetutës e ligjit, duke manifestuar vullnetin e qartë për të mos lejuar që mandatet kushtetuese të deputetëve e të zyrtarëve të zgjedhur të kthehen në mburojë, që i bën ata të papërgjegjshëm në raport me detyrën e të pandëshkueshëm në rast të shkeljes së ligjit. Është një problem që zgjidhet brenda një dite nëse asnjë parti nuk synon përmes heqjes apo kufizimit të imunitetit shkeljen e të drejtave të njeriut dhe çeljen e një hapësire për të bërë gjueti shtrigash ndaj kundërshtarit politik.

E katërta, të zgjedhim një President të ri të Republikës që të mishërojë vullnetin e mirë të të gjitha palëve politike, për një figurë që është mishërim i unitetit kombëtar dhe jo një noter partiak i palëve në pushtet, duke garantuar Shqipërinë e pesë viteve të ardhshme, po edhe vetë Familjen Europiane ku duam të hyjmë se gjykatat, prokuroria, shërbimet sekrete, forcat e armatosura, përfaqësimi diplomatik i Shqipërisë, s’do të jenë mjete për abuzim në duart e asnjë qeverie po instrumente kushtetuese në duart e popullit Sovran.

Ja pse u themi partive parlamentare të ulemi menjëherë në tryezë për të zgjedhur bashkërisht një shqiptar apo shqiptare të mirë si kryetar apo kryetare të shtetit të të gjithë shqiptarëve, duke vënë interesin kombëtar mbi interesin partiak, arsyen e së ardhmes sonë europiane mbi mosarsyet e thirrjes së të parëve, detyrimin e përbashkët për Shqipërinë që duhet mbi betejën mesvedi për pushtetin që duam.

Mbase nuk është një zgjidhje që gjendet brenda një dite, prandaj ka një muaj që kërkojmë, përditë, që të mos humbasim asnjë ditë kot. Por, është një zgjidhje që vetë historia jonë e dekadës së fundit tregon se mund të gjendet në kohë, nëse ka vullnet të mirë politik, për të qenë në lartësinë ku sfida e kohës na kërkon të gjithëve si klasë politike.

E ç’lidhje kanë këto katër pika me ultimatumet, kurthet, bllokimet e bllokmenët, që kryeministri i thërret në ndihmë në fjalimet e veta sa herë kërkon t’i ikë përgjegjësisë kombëtare e publike, kur ne i kërkojmë të veprojë në emër të interesit kombëtar e publik!

E pse qenka një përzierje e panatyrshme gjërash bashkimi i këtyre katër pikave në axhendën e një tryeze serioze të të gjitha partive parlamentare dhe nuk paska kohë për t’u marrë me to në të njëjtën kohë!

E çfarë e pengoka një grup njerëzish vullnetmirë në krye të partive që në spektrin parlamentar përfaqësojnë popullin sovran, të ulen në tryezë e t’i marrin me radhë këto katër përparësi për të ndihmuar miqtë e partnerët ndërkombëtarë që ta ndihmojnë Shqipërinë në vjeshtën e këtij viti!

Lejomëni të bëj disa sqarime të nevojshme lidhur me këto katër pika për të shpërndarë hirin që kryeministri u mundua t’i hedhë syve publikut dje gjatë tiradës së tij kundër nesh e propozimeve tona:

E para, kryeministri tha se Partia Socialiste dashka të imponojë me çdo kusht numërimin elektronik kundër rekomandimit të ODIHR-it dhe se kjo qenka arsyeja pse reforma zgjedhore paska ngecur. E pavërtetë! E kemi dëgjuar me vëmendje shqetësimin e shprehur nga ODIHR-i në këtë pikë dhe jemi shprehur se jemi gati të negociojmë zgjidhjen më të arsyeshme bazuar në propozimin e vetë ODHIR-it. Pra, nuk ka asnjë hendek të pakapërcyeshëm mes qëndrimit të kryeministrit e qëndrimit tonë. Përkundrazi është lehtësisht e zgjidhshme kjo pikë nëse kryeministri do zgjidhje dhe jo një alibi më shumë për të bllokuar Reformën Zgjedhore.

E dyta, kryeministri tha se Partia Socialiste dashka të imponojë një ndryshim që synon bllokimin e zgjedhjeve përmes dy anëtarësh partiak në KQZ. E pavërtetë! Kemi kërkuar të riformulojmë nenin famëkeq të transparencës së materialeve zgjedhore, që ishte edhe çelësi i konsensusit të vitit 2008 për Kodin Zgjedhor, të cilin Saliu e flaku në det pasi vodhi zgjedhjet e vitit 2009, me pasojë tërë atë krizë të gjatë që nuk duhet të përsëritet më kurrë. Ne kërkojmë vetëm transparencë në funksion të vendosjes së ligjit e vetëm të ligjit në bazën e veprimtarisë së çdo komisioneri, në mënyrë që asnjë komisioner të mos jetë i pakapshëm kur falsifikon materialet zgjedhore. Në këtë pikë ODHIR-i nuk ka as edhe një kundërshtim, vendet e tjera e kanë të hapur deri për qytetarët e zakonshëm aksesin në dokumentacionin zgjedhor. Madje, ne propozuam heqjen e materialeve zgjedhore nga procesi i numërimit, duke kërkuar që materialet të vlejnë vetëm për hetim administrativ në rastet kur e kërkon njëra nga palët. Pra, nëse kryeministri do zgjidhje dhe jo një alibi më shumë për të mbajtur të bllokuar Reformën Zgjedhore, kjo pikë është lehtësisht e kapërcyeshme me vullnet të mirë.

E treta, kryeministri i shmanget vijimësisht asaj që në fakt është edhe nyja kryesore që duhet zgjidhur për të zgjidhur problemin e Reformës Zgjedhore. Kjo nyje është KQZ-ja. E cila është e damkosur si mos më keq qoftë në Raportin e ODHIR-it, qoftë në Raportin e Sekretares Klinton. Si mund ta imagjinojë Sali Berisha se Partia Socialiste mund të pranojë një Reformë Zgjedhore që nuk garanton:

a) Largimin e shpejtë të Ristanit e të gjithë anëtarëve të saj pa përjashtim dhe b) Zgjedhjen e kryetarit me konsensus ose me ballafaqim kandidaturash në Kuvend?

Publiku duhet ta dijë se kryeministri kërkon që në zgjedhjen e kryetarit të KQZ-së ne të pranojmë pa të drejtë kandidature alternative nga ana jonë, kandidatin e tij. Po si mund ta pranojmë ne këtë pas eksperiencës shumë të hidhur me Ristanin, që asokohe mori dhe votat tona në mirëbesim institucional? Thjesht e pamundur.

Sidoqoftë, unë kam bindjen se nëse kryeministri do zgjidhje në këtë pikë dhe jo një alibi më shumë për të mbajtur në krye të KQZ killerin e zgjedhjeve të vitit 2009 e të 8 majit 2011 në Tiranë, shkelësin më vandal të Kodit Zgjedhor për llogari të pushtetit të Saliut, figurën më të diskretituar botërisht të zyrtarit të lartë shqiptar, atëherë zgjidhja është jo vetëm e mundshme po është fare e thjeshtë.

Si përfundim, unë e siguroj opinionin publik dhe e sigurova vetëm pak minuta më parë edhe Trojkën e ambasadorëve, se Partia Socialiste nuk do të reshtë së përpjekuri për të hapur rrugën e arsyes politike të kombit në këtë moment delikat e historik, duke komunikuar, dialoguar, bashkëpunuar me çdo palë politike e mundësisht me të gjitha palët politike, nëse edhe PD e dëshiron, që të gjejnë një zgjidhje të denjë dhe të qëndrueshme për çdonjërën nga katër pikat.

Tryeza e dialogut mes kryetarëve të partive parlamentare duhet të bëhet një orë e më parë, ne s’themi as që me çdo kusht të katër pikat të trajtohen menjëherë e të gjitha bashkë edhe pse kjo sipas nesh është më e mira, as që po s’u bë çdo gjë siç mendojmë ne kjo punë e mirë për vendin nuk bëhet dot. Jo, ne themi ja çfarë mendojmë dhe jemi gati të dëgjojmë edhe çfarë mendojnë të tjerët, ballë për ballë, sy më sy, pa imponime e as truke e hilera që e bëjnë të padobishëm këtë proces të domosdoshëm për vendin tonë.

Sipas nesh, nëse raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit digjet pa kandidatë, procesi hyn në një krizë. Por, një krizë është gjithnjë një medalje me dy anë. Nga njëra anë është tuneli i pamundësisë, kurse nga ana tjetër mundësi për ta kthyer krizën në një shans nga ku të dilet në një kuotë më të lartë se sa kuota ku ndodheshe përpara krizës. Unë dua të shpresoj se mund të ndodhë kjo e dyta dhe në fakt janë të gjitha mundësitë që kjo të ndodhë, nëse ka vullnet të mirë nga të gjitha palët.

Lejomëni ta mbyll duke u dhënë vizionin që duhet të na udhëheqë në këtë moment:

Sikur të gjithë të bëjmë çmos e t’i zgjidhim në një kohë të arsyeshme të katër pikat që janë ndihma që Familja Europiane kërkon prej nesh për të na ndihmuar, i japim vetes të drejtën që njëzëri t’i drejtohemi Brukselit pa dallime partiake, qeveri dhe opozitë, e t’i themi duam statusin e kandidatit për Shqipërinë në vjeshtë. Kështu, 28 nëntori mund të na gjejë me statusin e kandidatit e me krenarinë që ia dolëm të mos e turpërojmë si mos më keq Shqipërinë dhe t’u japim shqiptarëve një provë të madhe të asaj që mund të bëjmë së bashku kur vendosim interesin e vendit mbi interesat e partive. Ky vizion vlen çdo përpjekje dhe çdo energji pozitive që ne Partia Socialiste e Shqipërisë mund të gjenerojmë në këtë moment në rrugën për një Rilindje Shqiptare.

KOMENTE