English

Aktivitetet sportive në kryeqytet do të kenë bashkinë gjithmonë pranë, shprehet Basha

Pjesëmarrja e të rinjve në sport dhe rigjallërimi i aktiviteteve sportive në kryeqytet, një nga angazhimet e Kryetarit të Bashkisë, ka nisur të marrë jetë. Që nga muaji maj, shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të kryeqytetit janë angazhuar në kampionatin "Bam Pasarela/Pranverë 2012”, i cili zhvillohet për herë të parë në Tiranë. Në këtë kampionat i cili kishte filluar që në muajin Mars, morën pjesë më shumë se 208 fëmijë nga shkolla dhe shoqata të kryeqytetit. U zhvilluan gjithsej 46 ndeshje dhe në finale dolën shoqata sportive “Studenti” kundër shoqatës sportive “Superior Basket” e cila u mbyll me fitoren e kësaj të fundit, 47-34.

Ndërkohë, në ambientet e shkollës "Don Bosko" u zhvillua kampionati i shkollave të mesme të kryeqytetit. Në këtë kampionat morën pjesë 12 ekipe, me rreth 180 të rinj. Bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj premiuan fituesit, me kupa, medalje, diploma uniforma dhe dhurata të ndryshme për të gjithë pjesëmarrësit. Në përfundim të aktivitetit, kampion u shpall shkolla e mesme "Harry Fultz", duke mundur në finale shkollën "Don Bosko", me rezultatin 76-68.

Këto kampionate të organizuara nga Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të basketbollit kishin si synim ringjalljen e jetës sportive tek të rinjtë e Tiranës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, i pranishëm në ceremoninë e zhvilluar sot, për kurorëzimin e fituesve, theksoi angazhimin e Bashkisë, për t’u krijuar sa më shumë mundësi të rinjve, për t’u marrë me sport.

“Bashkia nuk do të kursejë as fondet dhe as përpjekjet e veta. Sa më shumë kohë të rinjtë harxhojnë me sportin dhe aktivitetet sportive, aq më mirë është, aq më të fortë, të shëndetshëm e më të kulturuar bëhen dhe aq më pak kohë harxhojnë me gjëra të tjera. Kjo është arsyeja, se pse ne do të investojmë edhe në ambientet sportive” – u shpreh z.Basha.

Kryebashkiaku Basha theksoi se ky investim do të pasohet edhe nga të tjerë:

“Po me qeverinë kineze, ne do të mbulojmë, rehabilitojmë tërësisht të pesë fushat e tenisit, që Bashkia e Tiranës menaxhon tek “Shallvaret”, pra qytetarët sportdashës, veçanërisht ata që duan dhe praktikojnë tenisin, që nga mosha më e vogël deri tek mosha më e madhe, brenda një kohe të shkurtër, në këto ambiente do të luajnë në kushte plotësisht moderne, me tartan, ndriçim, mbulim (mund të luajnë pavarësisht kushteve atmosferike).

Ne do të vazhdojmë investimet me fusha të tjera, pranë ambienteve shkollore por edhe jashtë tyre nëpër lagje. Për këtë do të dedikohet buxheti i Bashkisë së Tiranës, mbështetja e donatorëve të ndryshëm, organizata të ndryshme sportdashëse, federatave, shoqatave dhe qëllimi ynë do të jetë që Tirana gjithnjë e më shumë t’i kthehet sportit, pasi sporti është shëndet, sporti është kulturë dhe qytetërim” – theksoi Kryetari i Bashkisë.

KOMENTE