English

Buxheti i 2011 ishte buxhet i vërtetë suksesi shprehet kryeministri Berisha

Buxheti i vitit 2011 i dha një shtytje të madhe infrastrukturës së vendit në të katër anët e tij, nga Konispoli deri në Vermosh në mijëra km rrugë të ndërtuara dhe të rindërtuara.

Buxheti i vitit 2011 bëri që të realizohet 6 muaj para afatit tuneli i Kërrabës, segment i rëndësishëm i autostradës Tiranë-Elbasan.

Buxheti i vitit 2011 bëri të mundur rritjen e rrogave dhe të pensioneve, rriti të ardhurat familjare të mbi 800 mijë familjeve shqiptare të punësuar dhe pensionistë.

Këshilli i Ministrave mori sot në shqyrtim dhe miratoi projektligjin “Për miratimin e buxhetit faktik të shtetit, të vitit 2011”.

Në diskutimin e tij për projektligjin në fjalë, kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria në vitin 2011 ekzekutoi një buxhet që mbështeti plotësisht në kushtet më të vështira stabilitetin makroekonomik të vendit, rritjen ekonomike të tij, si dhe projektet madhore infrastrukturore, siç është përfundimi 6 muaj para afatit i Tunelit të Kërrabës, segment i rëndësishëm i autostradës Tiranë-Elbasan që do të inaugurohet së shpejti.

Duke shprehur falënderimet e tij për të gjithë ata që bënë të mundur që buxheti i vitit 2011 të ishte një buxhet i vërtetë suksesi, kryeministri renditi një sërë fushash, në të cilat buxheti i vitit të kaluar u përdor me sukses të plotë, duke shënuar arritje të rëndësishme në dobi të qytetarëve shqiptarë. Në këtë kontekst, kryeministri u shpreh se suksesi i buxhetit të vitit 2011 do të shërbejë si një bazë e fuqishme për buxhetin e vitit 2012, i cili do të japë transformimet më të mëdha në këtë vend.

KOMENTE