English

Edi Rama: Fati europian i Shqipërisë, në duart e partive politike

Deklarata e Kryetarit Edi Rama lidhur me çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës ka vlerësuar se tërheqja e kandidatit jokonsensual i rihapi rrugë konsensusit.

Pas tërheqjes së kandidatit që nuk garantonte konsensus, fati europian i Shqipërisë në 100-vjetorin e pavarësisë së saj mbetet në duart e partive që përfaqësojnë në parlament që të gjithë shqiptarët. Seanca e paradites së sotme në Kuvend, retorika e papërshtatshme dhe djegia e raundit të tretë pa konsensus, nuk ishin një ogur i mirë për raundin e katërt. Por tërheqja më pas e kandidatit jokonsensual, e rihap rrugën e konsensusit dhe i jep mundësinë opozitës të konfirmojë qëndrimin e vet publik.

Ne jemi plotësisht të vullnetshëm të japim konsensus për një kandidaturë që duhet identifikuar, pa humbur kohë, përmes dialogut mes të gjitha palëve. Nëse çdo palë ka të njëjtin vullnet, janë absolutisht të gjitha mundësitë që kështu të ndodhë dhe zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës me konsensus, të kthehet në një shprehje të fuqishme të aftësisë së Shqipërinë për të ecur përpara, në kërkim të statusit të kandidatit për Bashkimin Europian.

Dua ta risiguroj qoftë kryetarin e shumicës e qoftë partnerët e tij në koalicionin qeveritar, se opozita parlamentare në këtë proces ka vetëm një interes: Interesin tonë kombëtar në vigjilje të provimit të Shqipërisë në 12 tetor në Bruksel.

Kemi vetëm një qëllim: Konsensusin për një kandidaturë që të marrë mbështetjen e gjithë Kuvendit të Shqipërisë.

Kemi vetëm një kërkesë: Dialogun konstruktiv, pa parakushte e as paragjykime, mes palëve për të identifikuar një kandidaturë konsensuale.

Kemi vetëm një shtysë: Domosdoshmërinë që t’ia dalim së bashku, duke u ngritur në lartësinë e sfidës së madhe të marrjes së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian, pa lejuar që Shqipëria të vendoset përballë të panjohurave që vitin e ardhshëm mund të kushtëzojnë vetë Bashkimin Europian në raport me Shqipërinë, në rast mbetjeje në provimin e vjeshtës për herë të tretë këtë vit.

Vizioni ynë në këtë përpjekje ishte dhe mbetet i pandryshuar:

1. Të zgjedhim Presidentin e ri të Republikës me votat e qeverisë dhe të opozitës.

2. Të hapim menjëherë bashkërisht procedurën për heqjen/kufizimin e imunitetit.

3. Të bëjmë kompromisin e nevojshëm për Reformën Parlamentare dhe ta votojmë bashkërisht.

4. Të përmbyllim Reformën Zgjedhore dhe ta votojmë bashkërisht.

5. E po bashkërisht qeveria e opozita, me siguri edhe me mbështetjen e Presidentit të ri, t’i drejtohemi Familjes Europiane para përfundimit të këtij sesioni parlamentar për të kërkuar njëzëri që Shqipëria ta marrë statusin e kandidatit në 12 tetor.

Vetëm të bashkuar në emër të interesit kombëtar, ne mund t’ia dalim kësaj sfide të vështirë e komplekse që nis me zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Ne jemi këtu dhe jemi gati në çdo moment për t’u përfshirë në çdo formë komunikimi e dialogu mes palëve që të kontribuojmë me të gjitha energjitë tona pozitive për kapërcimin e këtij momenti delikat. Çdo krizë është gjithnjë një medalje me dy anë. Nga njëra anë është futja e mëtejshme në spiralen e saj, nga ana tjetër dalja në një rrugë të re. Ne duam të dytën dhe do të bëjmë gjithçka mundemi që e dyta të ndodhë, jo për ne po për Shqipërinë Europiane.

KOMENTE