English

Basha: interesi i përbashkët i të gjithë kryetarëve të bashkive është qytetari

Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha është zgjedhur Kryetar i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë. Në Asamblenë Zgjedhore të zhvilluar sot, zoti Basha vuri theksin në domosdoshmërinë e bashkëpunimit mes të zgjedhurve vendorë, duke theksuar se interesi i përbashkët i të gjithë kryetarëve të bashkive është qytetari.

“Pavarësisht në siglën e cilës parti kemi kandiduar e fituar, qoftë në siglën e mazhorancës apo opozitës, sepse synimi është dhe mbetet i njëjtë, t’u shërbejmë sa më mirë qytetarëve tanë. Puna jonë nuk është fare e lehtë, madje është shumë e vështirë. Problemet me të cilat ndeshemi janë nga më të ndryshmet, prandaj duke lenë më një anë ndasitë politike, të paktën në këtë forum, duke u bashkuar tek ajo që ne e dimë se na bashkon, dëshira për t’u shërbyer sa më mirë qytetarëve, duke vënë në fokus qytetarin dhe duke larguar ato komponentë që e kanë bërë punën tonë jo pak herë të vështirë, luftën politike dhe ngecjen në rrjedhën e konfliktit politik, le ta shndërrojmë këtë kuvend në një instrument efiçent, ku të ndajmë përvojat tona, të bashkojmë zërin për kërkesat tona, të hartojmë projekte të përbashkëta, pra të realizojmë shërbimin më të mirë ndaj qytetarëve tanë, pavarësisht se ku jetojnë por të bashkuar nga problemet që ata kanë” – u shpreh z.Basha.

Kryebashkiaku Lulzim Basha shprehu vendosmërinë e tij, për të bashkëpunuar me të gjithë të zgjedhurit vendorë, pavarësisht se cilën forcë politike përfaqësojnë.

“Jam i bindur që artikulimi i përbashkët i kërkesave tona do të rrezonojë më fuqishëm dhe më dëgjueshëm pranë ekzekutivit dhe legjislativit. Unë personalisht jam i angazhuar për një bashkëpunim të ngushtë me çdo njësi të qeverisjes vendore, pa asnjë paragjykim dhe i prirur nga domosdoshmëria për bashkëpunim dhe bashkëveprim, me qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë dhe ndërtimin e realiteteve moderne europiane, kudo që ata jetojnë.”
Zoti Basha, i mandatuar si Kryetar i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë u bëri thirrje përfaqësuesve të opozitës, të bashkëpunojnë dhe të marrin vendet që u takojnë, atë të Nënkryetarit të Shoqatës si dhe gjysmës së anëtarëve të kryesisë, ndërsa u shpreh i bindur se sëbashku, edhe me ndihmën e partnerëve, shoqata do të funksionojë në parametrat më të mirë, të pjesëmarrjes së të gjithë të zgjedhurve vendorë.

“Dua t’ju garantoj, se me zgjedhjen time në krye të kësaj shoqate, jo vetëm që nuk ndryshon asgjë nga pala e bashkëpunimit, dialogut, të cilat unë i kam shpallur si parime të mirëqeverisjes në Tiranë, por përkundrazi, duke u bashkuar të gjithë sëbashku, për mirëmenaxhimin e problemeve tona të përbashkëta, jam i sigurtë që do të arrijmë sëbashku, që qytetarëve t’u japim siguri dhe besimin, se axhenda jonë e vërtetë ka të bëjë vetëm me problemet e tyre, se vendi dhe roli i pushtetit vendor për zgjidhjen e problemeve mund të arrihet shumë më mirë, nëse ne bashkëpunojmë dhe nuk e lemë procesin, që të mbetet në rrjedhën e konfliktit politik”.

KOMENTE