English

Topi dekoron personalitete të shquara nga Kosova

Në një ceremoni solemne të zhvilluar sot në mjediset e Institucionit të Presidentit, Kreu i Shtetit shqiptar, Prof. Dr. Bamir Topi dekoroi në kuadër të 134-vjetorit të Lidhjes historike shqiptare të Prizrenit, të 13-vjetorit të çlirimit të Kosovës si dhe të 100-vjetorit të Pavarësisë, disa personalitete të shquara nga Kosova.
Në fjalët e tij, Topi tha se "sot ndihem krenar që në emër të Shtetit shqiptar nderoj me dekoratën më të lartë Adem Jasharin, heroin legjendar të luftës për çlirimin e Kosovës, prijësin fjalëpakë dhe simbolin frymëzues për miliona të rinj shqiptarë, njeriun që tashmë e nderon përjetë çdo familje, çdo qytet e çdo komunitet shqiptar në botë".Ai u shpreh gjithashtu se ndihej krenar që nderon heronjtë e tjerë të Kosovës së re: Fehmi Lladrovcin dhe bashkëshorten e tij Xhevën; Ukshin Hotin dhe Afrim Zhitinë, si dhe emra të tjerë të shquar deri tek mjeshtrit e pavdekshëm të fjalës dhe zërit, Sulejman Krasniqi dhe Dervish Shaqa.Presidenti veçoi sikurse e cilësoi, një emër simbol qëndrese dhe disidence, një intelektual atdhetar dhe qytetar, shkrimtarin dhe veprimtarin e të drejtave të njeriut, “Mandelën e Lirisë” dhe heroin e gjallë të Kosovës, Adem Demaçin.Ai shtoi se nderimi do të vazhdojë në ditët e ardhshme edhe me figura të tjera përfaqësuese të Kosovës dhe të mbarë botës shqiptare, sepse të gjithë, pavarësisht kufijve dhe fateve historike, kanë luftuar e punuar për flamurin, emrin, dinjitetin dhe të drejtat e kombit shqiptar.Sipas tij, duke nderuar sot personalitete të tilla të shquara shteti shqiptar nderon plejada të tëra shqiptarësh që luftuan për atdhe e flamur, që vuajtën ndarjen dhe terrorin pushtues, që sakrifikuan jetët e tyre dhe familjet.

KOMENTE