English

Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor në BE, sipas këndvështrimit austriak

Akademia Diplomatike, nën kujdesin e Zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto organizoi sot në MPJ, bisedën me temë: "Evropa dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE, nën këndvështrimin austriak", ku lektor ishte ambasadori i Austrisë, z. Florian Rauning.

Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Haxhinasto vlerësoi se Austria është një vend mik i Shqipërisë, i cili e ka zgjerimin e Bashkimit Evropian me Ballkanin, si një prioritet strategjik të tij. Shqipëria, vijoi ministri Haxhinasto, e ka si kryeobjektiv integrimin në BE, dhe tani është momenti që të përfundojnë reformat kryesore, veçanërisht reforma zgjedhore dhe reforma e procedurave parlamentare, që Shqipëria të marrë këtë vit statusin e vendit kandidat.

Z. Haxhinaso theksoi se modeli i Bashkimit Evropian është i rëndësishëm për rajonin, si një pikë reference shumë e rëndësishme për të zgjidhur shumë nga çështjet që janë ende pezull në rajon, me qëllim që rajoni të integrohet së pari mes vetes, dhe më tej drejt Bashkimit Evropian.

Më pas, fjalën e mori Ambasadori i Austrisë z. Florian Rauning, i cili duke iu drejtuar diplomatëve të Ministrisë së Jashtme theksoi se Bashkimi Europian është i paplotë pa integrimin në të të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kuadër, ai mbajti një leksion për zgjerimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor sipas këndvështrimit austriak.

Në këtë bisedë ishin të pranishëm, veç diplomatëve të rinj, edhe ekspertë, studjues të politikës së jashtme, marrëdhënieve ndërkombëtare, bashkëpunimit rajonal, të qendrave akademike dhe studimore, pranë universiteteve dhe institucioneve të kërkimit dhe analizës. Morën pjesën edhe përfaqësues të trupit diplomatik të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, të akredituara në Tiranë.

Në fund, ambasadori Rauning iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve.

KOMENTE