Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Prerja e pemëve: masakër mjedisore e cila bëhet për interesa klienteliste, shprehet Edi Rama
English

Prerja e pemëve: masakër mjedisore e cila bëhet për interesa klienteliste, shprehet Edi Rama

Gjatë një konferencë për shtyp, kreu socialit Edi Rama e ka cilësuar prerjen e drurëve në Parkun Kombëtar të Tiranës si një masakër mjedisore e cila bëhet për interesa klienteliste.
Rama deklaroi se prej ditësh shoqëria civile po ngre zërin përballë murit të shurdhërisë të Bashkisë së Tiranës dhe qeverisë, pasi ajo çka po ndodh është përgjegjësi e këtyre institucioneve.

Kryesocialisti foli edhe prerjen e lisit 250 vjeçar buzë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, gjë që e cilësoi si shprehje shembullore e një vizioni barbar që po kërcënon Tiranën dhe zhvillimin e qëndrueshëm të saj.

Deklarata e plotë e Kryetaris Socialist Edi Rama


Sot dëshiroj të them disa fjalë në mbështetje të shqetësimit publik në rritje të shprehur nga shoqëria civile, nga zëra të pavarur dhe në tërësi nga një opinion publik i prekur në ndjeshmërinë ndaj kryeqytetit. Me të drejtë shoqëria civile prej ditësh po ngre zërin përballë murit të shurdhërisë, jo vetëm të Bashkisë së Tiranës, por edhe të qeverisë së vendit. Pasi ajo çka po ndodh në Tiranë me parkun kombëtar nuk është vetëm përgjegjësi e Bashkisë së Tiranës, por edhe e qeverisë së vendit. Përpara se sa të them çka mendoj se është dramatike lidhur me atë që ndodh me parkun kombëtar dëshiroj që t’i referohem simbolikës rrënqethëse të vizioni barbarizues për zhvillimin e qytetit që u mishërua në prerjen me sopat të një monumenti të trashëgimisë historike të qytetit, siç ishte lisi 220 vjeçar i E’them Beut buzë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Sigurisht që shumëkush mund të shtrembërojë buzët duke menduar se është diçka shumë e vogël për të merituar vëmendjen e opozitës dhe madje edhe prononcimin e kryetarit të opozitës. Por në fakt nuk është aspak diçka e vogël sepse është shprehja më shembullore e një vizioni barbarie i cili e kërcënon Tiranën dhe e kërcënon zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit.

Duke vazhduar më tutje dëshiroj të theksoj se parku kombëtar i kryeqytetit është i kufizuar me një vendim të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës në vitin 2004, si një aset që nuk meriton vetëm vëmendjen dhe shërbimet e Bashkisë së Tiranës, por edhe të gjithë vëmendjen e autoritetit më të lartë shtetëror që është Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës si një mekanizëm që buron prej vendimmarrjes së qeverisë. Në vitin 2004 Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës e ka përkufizuar parkun kombëtar dhe për vite me radhë i është bërë rezistencë nga Bashkia e Tiranës çdo lloj përpjekje dhe çdo lloj presioni prej interesash private për të ndërtuar në zonën e parkut. Sot me alibinë e zgjerimit të rrugës së Elbasanit ajo që po ndodh në fakt është hapja e territorit të parkut për interesat e një klientele tanimë famëkeqe në kryeqytet me dominancë jashtëzakonisht të fortë edhe në vetë ekonominë e vendit. Nuk ka asnjë dyshim dhe nuk ka asnjë kontestim të arsyeshëm për një zgjerim të arsyeshëm të rrugës së Elbasanit. Por është po kaq e arsyeshme që të vihet alarmi për faktin se zgjerimi i rrugës po përdoret si një alibi për t’i hapur rrugë interesave të klientelës më të afërt të pushtetit të sotëm të kryeministrit dhe të të gjithë oborrit të tij.

E vërteta është se projekti është përçudnuar dhe është vënë në rrugën e realizimit pa përfunduar procedurat ligjore. Pa ju nënshtruar gjykimit të autoriteteve që ligji përcakton si autoritete vendimmarrëse për dhënien e lejeve të zhvillimit dhe pa marrë parasysh dëmin e pallogaritshëm që kjo i bën jo vetëm sot për aq mijë metra katrorë sa janë kafshuar, por edhe nesër parkut kombëtar, si një virus i cili rrezikon të përhapet më tej në park duke e dëmtuar dhe e ngushtuar nga pikëpamja e territorit këtë aset kaq jetik për kryeqytetin. Mungesa e plotë e transparencës, refuzimi me një arrogancë të pashembullt i kërkesës së bërë nga ata që kanë marrë përsipër nismën qytetare të mbrojtjes së parkut kombëtar, është një tjetër element jo vetëm shqetësues por dhe kuptimplotë për faktin se autorët e kësaj masakre janë të vetëdijshëm se kanë kaluar mbi ligjin dhe për interesa mirëfilli klienteliste dhe të errëta. Por nuk mjafton as edhe ky shembull sepse në fakt ajo çka po ndodh është e gjitha pjesë e një vizioni, e një tërësie lëvizjesh që kanë cënuar për momentin parkun, por që rrezikojnë të cënojnë të gjithë zonën e mbrojtur të qendrës së kryeqytetit.

Klientët e pushtetit janë turrur dhe po blejnë njëra pas tjetrës godinat e vjetra të zonës së qendrës që janë vënë nën mbrojtje dhe si të tilla janë përfshirë pjesë e paprekshme brenda kufijve të planit francez të qendrës. Zhbërja e planit francez ka qëllim t’i hapet rrugë zhbërjes së kësaj trashëgime kulturore me qëllim të hapur fitimi, përmes shkatërrimit që do të sillte dhënia e lejeve të ndërtimit në gjithë këtë zonë. Është një vizion barbarizues i shpalosur me zhbërjen e qendrës historike të Tiranës. Sot Tirana nuk e kam më sheshin e vet historik. Ai është transformuar në një hapësirë publike të përçudnuar e cila nuk tregon asgjë për nga ka filluar historia e këtij qyteti. Nuk ka asnjë lidhje me asnjë parametër të respektimit të trashëgimisë kulturore dhe po ashtu asnjë lidhje me asnjë parametër të zhvillimit urban në kushtet e shekullit ku jetojmë, që gjithmonë bazohet në harmonizimin e kërkesave të kohës me atë çka është trashëguar nga kohët e shkuara. Praktikisht ajo që ka ndodhur me sheshin “Skënderbej” është hapja e një plage e cila po shtrihet. Është e njëjta gjë ajo që po ndodh me parkun kombëtar. Është e njëjta gjë ajo që ndodhi me zhdukjen e një monumenti të trashëgimisë natyrore dhe historike të kryeqytetit siç ishte lisi 220 vjeçar buzë bulevardit. Është e njëjta gjë ajo që po ndodh me përgatitjen e terrenit përmes parasë dhe blerjes së të gjitha godinave që janë nën mbrojtje për të shtirë këtë vizion tërësisht kërcënues për ardhmërinë e qytetit tonë.

Duke e mbyllur unë dua që t’i falënderoj nga zemra të gjithë ata që kanë ngritur zërin e tyre dhe t’i siguroj se ne jemi plotësisht të vetëdijshëm, jo vetëm për çka po ndodh, por edhe për çka duhet bërë që ky vizion barbar të ndalet. Dhe që vizioni i një kryeqyteti ku padyshim zhvillimi është i nevojshëm, po ku padyshim zhvillimi duhet të jetë i qëndrueshëm, të triumfojë mbi këtë të keqe që ka filluar të japi shenjat e para shumë shqetësuese mbi trupin e kryeqytetit. Dëshiroj edhe njëherë të përsëris se nuk është aspak disproporcionale ajo çka unë trajtova sot me detyrimin e opozitës shqiptare. Sigurisht në Shqipëri ka përditë probleme të rënda që shfaqen. Sigurisht në Shqipëri ka përditë gjëra të rënda që ndodhin. Sigurisht në Shqipëri ka përditë shfaqje të keqqeverisjes me pasojë dëme të rënda në ekonomi, në mjedis dhe në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm të Shqipërisë. Do të ishte mirë ndoshta që ne të flisnim për të gjitha, por është e pamundur që të flasësh për të gjitha sepse ritmi marramendës i këtyre të këqijave është i atillë sa qoftë edhe për t’i cituar nuk mjafton koha dhe nuk mund dot të përqendrohet vëmendja e publikut. Por sot unë dola këtu për të vënë në pah se ne jemi realisht shumë të shqetësuar dhe se po ashtu jemi plotësisht të vetëdijshëm për çka duhet të bëjmë një orë e më parë duke i garantuar të gjithë qytetarët e këtij vendit se largimi i kësaj qeverie me votë dhe ndryshimi i qeverisë “Për një Rilindje Shqiptare” do të hapë një epokë të re dhe do të marrin fund të gjitha grabitjet, qoftë pasuritë e patundshme, qoftë të të drejtave të publikut për t’i hapur rrugë mundësisë së shumëpritur nga shqiptarët që të kenë një qeveri që mirëqeveris për interes të shqiptarëve dhe nuk keqqeveris për hesap të klientëve të pushtetit të saj.

KOMENTE