English

Rama: Arben Ristani zgjodhi plehrat

Arben Ristani nuk zhgënjeu, qëndroi në lartësinë e reputacionit të tij. Edhe KQZ-ja po ashtu. Mes dhjetëra mijëra qytetarëve të angazhuar për të sfiduar me referendum plehrat e importit dhe plehrave të ardhura nga që do t’u shtohen plehrave të kudondodhura nëpër Shqipëri, Arben Ristani zgjodhi plehrat. Vendimi i KQZ-së ishte në vazhdën e traditës së shëmtuar të institucionit të marrë peng për hesapet e pushtetit. Qeveria mund të vazhdojë me importin e plehrave e patrazuar nga shprehja e vullnetit qytetar që u asgjësua me vendimin hileqar të KQZ-së, që e bën praktikisht të pamundur mbajtjen e referendumit përpara zgjedhjeve të ardhshme. Dhe zgjedhjet e ardhshme do të jenë vetiu edhe vetë referendumi, ku vota kundër këtij pushteti të vjedhur për të vjedhur e ndotur Shqipërinë do të jetë njëkohësisht edhe votë për të zhbërë ligjin famëkeq të importit të plehrave. Duke votuar për frontin e sotëm opozitar qytetarët do të votojnë edhe për një Shqipëri të pastruar nga plehrat ku do të ndalohet me ligj çdo formë importi e tyre.

Por njehsimi i KQZ-së me interesat ogurzeza që fshihen pas importit të plehrave, rishtron edhe njëherë me forcë nevojën e çlirimit të këtij institucioni nga fuqia që deformon vullnetin e qytetarëve. Kjo KQZ e ka humbur plotësisht legjitimitetin e saj qysh pas majit famëkeq të Tiranës kur u kthye në thertoren të zgjedhjeve për të çuar deri në fund projektin qeveritar të pushtimit të bashkisë së kryeqytetit. I qartë si drita e diellit është qëndrimi dhe rekomandimi përkatës i misionit të ODHIR-it në raportin e vet të paszgjedhjeve të Tiranës lidhur me politizimin e skajshëm të KQZ-së e me domosdoshmërinë e ndryshimit të saj, për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Por po kaq i qartë është edhe vullneti i mbrapshtë i kryeministrit për të mos i hapur rrugë ndryshimit të KQZ-së dhe për ta mbajtur aty në krye kasapin e zgjedhjeve, Arben Ristanin.

Kaq shumë i duhet KQZ-ja kështu siç është kryeministrit, sa që në vend se t’i çelë rrugën një kompromisi të ndershëm konstruktiv për Reformën Zgjedhore, është i gatshëm të sakrifikojë deri në fund këtë prioritet kyç për afrimin e Shqipërisë me Familjen Europiane, vetëm e vetëm për të mos e mbyllur thertoren elektorale në prag të zgjedhjeve të ardhshme. Ashtu sikundër s’ka ndërmend ta lejojë transparencën e materialeve zgjedhore as për zgjedhjet e ardhshme, vetëm e vetëm për të mbajtur hapur rrugën e falsifikimit të identiteteve të votuesve dhe mbushjen e kutive me votat e korrupsionit elektoral. Sigurisht që opozita nuk mund të votojë një Reformë Zgjedhore që nuk ndryshon KQZ-në dhe nuk garanton transparencën e zgjedhjeve.

E kam të qartë se ashtu si përsëri e përsëri, edhe në këtë rast shumëkush do të kuturiset të thotë, ja prapë opozita nuk do ia dalë të imponohet qoftë edhe për një gjë kaq qartësisht të drejtë. Prapë Saliu do bëjë atë që do se ai nuk pyet e prapë opozita do tërhiqet përpara vullnetit të tij të mbrapshtë, se ai është i fortë, është politikan i zoti, është burrë i pathyeshëm dhe me radhë bla-bla-bla… E kështu do vazhdojë avazi i fajësimit të opozitës, duke harruar se kush ka të drejtë e kush jo dhe më e rëndësishmja, duke harruar se kjo nuk është një ndeshje futbolli ku luajnë me top dy skuadra po një përballje vizionesh, idesh e qasjesh politike ku luhet fati i demokracisë, i drejtimit të vendit, i të nesërmes së njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.

Si askund në Familjen Europiane e në botën e lirë demokratike, këtu tek ne merret rëndom e mirëqenë se sa herë pushteti “fiton” në kurriz të interesit kombëtar e në dëm të së mirës publike, fajin e ka opozita. Mbi këtë lajthitje që s’ka të bëjë me ligjësitë e demokracisë, shumëkush ngre gishtin e akuzës mbi opozitën kur pushteti vjedh votat e saj, vret njerëzit e saj, grabit pasuritë e përbashkëta apo vepron në kundërshtim me interesin e qytetarëve përmes tiranisë së kartonit. Mbi këtë lajthitje e ka ngritur edhe Saliu strategjinë e përbaltjes së opozitës nga të katër anët, në pamundësinë për t’u treguar shqiptarëve duart e pastra të pushtetit të zhytur në llumin e përgjakur të korrupsionit e të krimit të organizuar me të cilin është i lidhur pazgjidhshmërisht, siç e thotë shkoqur edhe raporti i Departamentit të Shtetit. Mbi këtë lajthitje ushtrohet përditë presioni i botës së shitur mediatike për të shpëlarë trutë e njerëzve duke thënë orë e çast se në rastin më të mirë, të gjithë janë njësoj, plehra këta e plehra ata. Që njerëzit të mpihen përpara padrejtësive, të mos shohin më dritë shprese, të mos gjejnë më arsye për të adresuar revoltën e tyre me votë kundër pushtetit. Sepse asgjë s’do ndryshojë përderisa të tërë janë njësoj dhe prandaj më mirë rrimë e mallkojmë të gjithë në qoshen tonë, pa dalë të marrim anë se nga të katër anët është e njëjta gjë.

“Qeveria është gjithnjë problemi”, thoshte Presidenti Regan dhe nuk e thoshte vetëm kur ishte në opozitë, po edhe kur u bë president e ishte në krye të qeverisë. Kjo është një e vërtetë e thjeshtë, siç është e thjeshtë e vërteta se fajet e qeverisë nuk mund të jenë kurrë faje të opozitës. Por është po kaq e vërtetë se s’mund të jenë kurrë njësoj ata që vjedhin dhe ata që vidhen, ata që vrasin dhe ata që vriten, ata që kanë në dorë shtetin e bërë njësh me pushtetin dhe ata që kanë vetëm fjalën e zërin e arsyes. Si mund të jenë njësoj edhe ata që bëhen palë me plehrat edhe ata ngrenë zërin kundër importit të plehrave? Edhe ata që Llotarinë Kombëtare e kthejnë në bixhoz familjar për të përfituar paratë e popullit edhe ata që mbrojnë bindjen se paratë e Llotarisë Kombëtare duhet t’i kthehen popullit si investime për rininë e sportin? Edhe ata që kanë pushtetin e me pushtetin i punojnë qindin vendit të tyre edhe ata që kanë vetëm detyrën të mbrojnë interesin e publikut duke folur nga rreshtat e opozitës?

Opozita është alternativë qeverisëse, nuk është shkop magjik që ndryshon realitetin e gjërave që shkojnë keq e mos më keq për shkak të qeverisë. Ne mirëpresim çdo gjykim për programin tonë qeverisës, padyshim edhe çdo kritikë për çfarë duhet të bëjmë më mirë në rrugën tonë të opozitarizmit. Por të fajësosh sot opozitën për shkak të njëqind e një fajeve të atyre që bëhen palë me plehrat kundër interesit qytetar, do të thotë të bëhesh padashje palë me ta. Kundër vetvetes. Ja pse sot nuk është koha për të bërë qimen tra në syrin e opozitës, por për të hequr sysh traun që pushteti i plehrave ka vendosur mes Shqipërisë dhe të ardhmes së saj.

KOMENTE