English

Flamur Noka: do të sigurojmë një proçes zgjedhor sipas standarteve

MInistri i ri i Brendshëm Flamur Noka, është prezantuar për herë të parë para stafit të ministrisë së tij,gjatë mbledhjes së tij të parë me drejtues të administratës, prefektë dhe drejtues të tjerë lokal në varësi të ministrisë së brendshme. Më poshtë fjala e tij e plotë:

Drejtues të Policisë së Shtetit!

Dua ta nis këtë takim të parë me ju me një falenderim të sinqertë për paarardhësit e mi në këtë detyrë.
Po e nis kështu sepse ndihem i privilegjuar të jem në drejtimin e një dikasteri të rëndësishëm në nivelet e suksesshme ku e kanë çuar tre ministrat e mëparshëm që e drejtuan atë që prej vitit 2005; zoti Sokol Olldashi, Lulzim Basha dhe tashmë Presidenti i ri i Republikës, zoti Bujar Nishani.

Dua të falenderoj gjithashtu të gjithë drejtuesit e Policisë së Shtetit, strukturat dhe efektivët e saj në të gjitha nivelet, që me përkushtim, seriozitet e devotshmëri në misionin e tyre, e kanë bërë Shqipërinë një vend më të sigurt dhe arritën ta afrojnë policinë më pranë qytetarit dhe vetëm në shërbim të tij.

Kjo është trashëgimia më e mirë e lënë nga ministrat paraardhës dhe një udhërrëfyes për të vijuar së bashku në këtë rrugë të garantimit të sigurisë, qetësisë dhe të ofrimit të shërbimit për qytetarin.

Policia e Shtetit, me mbështetjen pa rezerva dhe suportin maksimal të qeverisë, hapi portën e parë për shqiptarët në Europë, duke i treguar familjes në të cilën bëjmë pjesë jo vetëm gjeografikisht, se shteti ligjor është në funksion të lirive të qytetarit, në mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të tyre.

Përmbushja e kritereve teknike për liberalizimin e vizave është pa pikë mëdyshje arritja më e madhe e kësaj Ministrie dhe e Policisë së Shtetit, pasi arritën në kohë rekord të prodhojnë për hërë të parë dokumenta identifikimi të teknologjisë më të lartë në Europë, të garantojnë vijën kufitare tokësore e detare dhe të luftojnë trafiqet e çdo lloji dhe krimin e organizuar.

Sot, Shqipëria është një ndër vendet e Ballkanit Perëndimor që ka respektuar më denjësisht të gjitha detyrimet e Bashkimit Europian për lëvizjen e lirë të qytetarëve në hapësirën Shengen. Dhe kjo falë punës së policisë, bashkëpunimit të saj me strukturat homologe të vendeve partnere të Bashkimit Europian, sensibilizimit të qytetarëve dhe tolerancës zero ndaj rasteve të kalimit të paligjshëm kufitar.

Sot Policia e Shtetit numëron arritje në shumë fusha. Ajo është një strukturë me standarte falë reformave të kryera nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me partnerët tanë si dhe misionet policore të asistencës që veprojnë në Shqipëri. Një falenderim të posaçëm doja të bëja në këtë kontekst për misionin ICITAP dhe PAMECA

Zotërinj drejtues të Policisë së Shtetit!

Në mbrojtje të shtetit ligjor, të qytetarit dhe garantimit të të drejtave dhe lirive themelore të tij është edhe lufta kundër krimit të organizuar.
Kjo betejë e pandalshme, një ndër pikat kryesore të programit të qeverisë, është dhe do të mbetet prioritet.

Toleranca zero ndaj krimit do të jetë prioriteti absolut në rrugën tonë për t’u dhënë qytetarëve shqiptarë një vend më të sigurtë në komunitetin ku jetojnë.

Lufta kundër trafiqeve të çdo lloji, veçanërisht ajo kundër trafikut të drogës, përmes forcimit të punës operative, bashkëpunimit institucional dhe rritjes së profesionalizmit do jetë një nga sfidat e punës sonë të përbashkët. Shqipëria nuk është më pjesë e hartës së zezë të kalimit tranzit të drogave të forta. Ky është realitet i pamohueshëm i arritur në këto vite.
Por nga ana tjetër gjykoj se kultivimi i bimëve narkotike në vend përbën akoma një sfidë të madhe për Policinë e Shtetit, por edhe për vetë komunitetin.
Këtu nuk ka kompromis. Në këtë luftë nuk ka tolerancë deri në zhdukjen e hartës së kultivimit të narkotikëve në territorin e Republikës së Shqipërisë. Unë ju garantoj se do të keni mbështetjen time maksimale si Ministër i Brendshëm dhe të gjithë Qeverisë.

Gjithë objektivi i veprimtarisë së përditshme të strukturave të Policisë së Shtetit është garantimi i një klime sa më të sigurtë për qytetarin dhe ne nuk do të tolerojmë as shfaqjet më minimale edhe të krimit ordiner.
Në këtë drejtim, nevojitet forcimi i rolit të inspektorit të policisë në terren, për të identifikuar dhe mbajtur nën kontroll elementët e skeduar kriminalë, çka do të conte në parandalimin e mjaft veprave penale, përfshirë këtu dëmtimin e pronës me anë të vjedhjes apo keqbërjet e çdo lloji.

Policia e Shtetit duhet të reagojë në mënyrë të menjëhershme ndaj rasteve të tilla, pasi ato prekin në mënyrë të drejpërdrejtë çdo qytetar.

Sezoni turistik po i afrohet pikut dhe angazhimi maksimal për të garantuar një sezon të suksesshëm përbën një sfidë imediate të punës sonë. Kjo kërkon domosdoshmërisht forcimin e policimit në territor, për shkak të rritjes së ndjeshme të fluksit të turistëve.
Kërkon gjithashtu bashkëpunim intensiv me të gjitha njësitë bregdetare të pushtetit vendor për ta garantuar maksimalisht sigurinë e pushuesve, por edhe cilësinë e pushimeve.

Si një risi në organizimin e punës së policisë, pjesë e saj këtë sezon duhet të jetë edhe mundësia e stacionimit sezonal – provizor të njësive policore në zonat turistike malore, për t’u garantuar të gjithëve pushime të qeta e të mbara.

Policia e Shtetit ka nënshkruar marrëveshje për krijimin e lehtësirave në qarkullimin rrugor dhe rritjen e sigurisë me disa vende fqinje, si Kosova e Mali i Zi.
Por duhen marrë masa të tjera të menjëhershme për disiplinimin e trafikut rugor, me një punë dinamike të policisë rrugore, duke e larguar nga policimi skematik dhe duke e orientuar drejt rritjes së lëvizshmërisë në të gjitha akset kombëtare.
Policia rrugore duhet të funskionojë si një instrument rregullues dhe kontrollues dhe jo thjesht ndëshkues. Kjo mënyrë duhet dhe do të jetë prioritare, në filozofinë e shërbimit ndaj qytetarit dhe garantimit të sigurisë së tij.

Nga ana tjetër, nevojitet forcimi i bashkëpunimit me policitë e vendeve partnere, veçanërisht me policitë e vendeve me emigracion të lartë te shtetasve shqiptar, duke patur parasysh mundësinë e rritjes së numrit të personave me precedentë kriminalë në vendet e tjera, që mund të hyjnë në territorin shqiptar.

Policia disponon sot të gjitha kapacitetet dhe logjistikën për të identifikuar në kohë reale të gjithë potencialin kriminal që mund të hyjë në territorin shqiptar dhe për të parandaluar veprat e ndryshme penale të këtij kontigjenti.
Parandalimi i ngarjeve kërkon punë operative paraprake dhe mjaft intensive.
Por rritja e mëtejshme e ndërveprimit mes vetë strukturave dhe forcave të policisë është thelbësore për funksionimin e saj. Ka nevojë për një impuls te ri në ndërveprimin mes policisë kriminale, policisë së rendit, policisë rrugore dhe policisë së kufirit, për të arritur sinergjinë dhe rezultatet e duhura.

Zotërinj drejtues të Policisë Shtetit!

Këtë vit Shqipëria dhe shqiptarët do festojnë me madhështi 100-vjetorin e Pavarësisë dhe themelimit të shtetit shqiptar. Në këtë aspekt përgjegjësitë tona rriten dhe detyrat tona marrin dimension dhe përparësi të veçantë në përmbushje të misionit tonë fisnik dhe prioriteteve të Qeverisë.
Ju nuk jeni vetëm njerëz me uniformë, por efektivë të Policisë së Shtetit Shqiptar, të betuar për të përmbushur misionin tuaj, për t’i garantuar këtij vendi dhe qytetarëve të tij, sigurinë e një vendi të Europës së qytetëruar. Shpreh bindjen time të plotë se Policia e Shtetit i ka kapacitetet e duhura, përvojën dhe aftësinë për të përmbushur me sukses misionin e saj, ku dhe do të ketë në çdo moment dhe pa rezerva mbështetjen e ministrit dhe të ministrisë që unë drejtoj.

KOMENTE