English

Polonia avokatja e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli priti sot ambasadoren e Polonisë, Irena Tatarzynska, e cila mbyll në shtator misionin e saj diplomatik në Shqipëri.
Në një takim tejet miqësor, Kryetarja e Kuvendit dhe ambasadorja polake ndanë vlerësimin maksimal për nivelin e shkëlqyer që marrëdhëniet mes dy vendeve kanë njohur veçanërisht gjatë katër viteve të fundit.
Zonja Jozefina Topalli shprehu mirënjohjen për punën, angazhimin dhe pasionin që ambasadorja Tatarzynska ka treguar gjatë mandatit të saj katërvjeçar në Tiranë.
“Mbi të gjitha dëshiroj të vlerësoj fisnikërinë tuaj dhe respektin që keni treguar vazhdimisht për Shqipërinë,” tha Kryetarja e Kuvendit.
Zonja Jozefina Topalli tha se Shqipëria i është mirënjohëse Polonisë për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë në rrugën drejt Bashkimit Europian. “Vendi juaj ka qenë një mbështetje e rëndësishme, veçanërisht gjatë presidencës së Bashkimit Europian. Jemi me fat që jemi në Europë dhe që mbështesim e punojmë për vlerat europiane,” tha zonja Topalli.
Nga ana tjetër, zonja Tatarzynska tha se ndiente keqardhje për përfundimin e mandatit të saj. Ajo ndau me Kryetaren e Kuvendit entuziazmin për mbështetjen që ka marrë vazhdimisht në punën e saj nga ata që ambasadorja i quajti “miqtë e mi shqiptarë’.
“Më duket sikur ishte dje. Koha këtu në Shqipëri ka qenë kaq intensive dhe kaq pozitive për marrëdhëniet mes dy vendeve tona,” tha ambasadorja polake.
Ajo nënvizoi se gjatë këtyre katër viteve Shqipëria ka pësuar ndryshime të jashtëzakonshme dhe se Polonia do të jetë gjithmonë avokatja e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Anëtarësimi i Shqipërisë jo vetëm është i rëndësishëm për vendin tuaj, por është edhe një përmbushje e idealeve të themeluesve të Europës së Bashkuar dhe ju personalisht keni bërë shumë për këtë. Shqipëria është një vend i vogël, por me një kontribut të jashtëzakonshëm në rajon, gjë që reflektohet edhe në Europë,” tha Tatarzynska.
Zonja Tatarzynska përmendi një sërë projektesh bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Polonisë në fushën ekonomike, në arsim dhe kulturë. Duke u ndalur pak më shumë në këtë të fundit, zonja Tatarzynska e njohu Kryetaren e Kuvendit me projektet e shumta që po zbatohen në fushën e arkeologjisë. “Për arkeologët polakë, Shqipëria është një thesar,” tha ajo. Në vijim ambasadorja polake i dhuroi zonjës Jozefina Topalli librin “Iliria dhe provincat ballkanike në Europën e Bashkuar” i cili është promovuar gjatë presidencës polake të BE-së dhe ku janë përfshirë rezultatet e zbulimeve arkeologjike të kryera në Shqipëri.

KOMENTE