English

Franko Frattini Qytetar Nderi i Tiranës. Mik i madh i shqiptarëve (VIDEO)

Përmes një ceremonie të veçantë, i është dorëzuar dje nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha, titulli “Qytetar Nderi” i Tiranës, ish - ministrit të jashtëm të Italisë dhe ish – zv/Presidentit të Komisionit Europian, z. Franko Fratini. Tirana shpalli “Qytetar Nderi” zotin Fratini, “Për kontributin e çmuar në lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, në zonën Shengen dhe integrimin euroatlantik të Shqipërisë. Në emër të qytetarëve të Tiranës, Kryeministri Berisha i dhuroi Çelësin simbolik të qytetit, Qytetarit të Nderit të kryeqytetit shqiptar, zotit Franko Fratini.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha theksoi se: “Sot është një ditë shumë e veçantë për qytetin tonë. Për dekada me radhë, qyteti ka vendosur të nderojë njerëz të veçantë dhe të shquar, me kontribute për këtë qytet dhe vendin tonë por mund të themi se dita e sotme është nga më të veçantat, sepse personaliteti që sot nderohet me titullin më të lartë që ky qytet mund të japë, merr sot vetëm simbolikisht “Çelësin e Qytetit”, sepse ai çelësat e zemrave të shqiptarëve, i ka pasur prej kohësh”.

Kryeministri Berisha e ka konsideruar zotin Fratini, si një nga miqtë më të mëdhenj dhe më të çmuar të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Duke sjellë në kujtesë, kontributin e zotit Fratini në vite, si dhe rolin e tij tejet të rëndësishëm, në procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Shqipërisë dhe veçanërisht në heqjen e vizave, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që Shqipëria, me performancën e saj e ka justifikuar plotësisht, besimin e dëshmuar ndaj saj, nga vendet mike dhe partnere. Kryeministri vlerësoi gjithashtu edhe kontributin e çmuar të zotit Fratini, në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke garantuar se qeveria shqiptare mbetet thellësisht e angazhuar për të punuar për një të ardhme edhe më të mirë në marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe kombeve.

“Kënaqësia jonë është se ne ju nderojmë ju sot, pasi kemi dëshmuar se garancitë tuaja, besimi juaja është justifikuar plotësisht dhe ndër vendet, të cilat përfituan heqjen e vizave, shqiptarët i kanë krijuar vendeve mike dhe partnere problematikën më të pakët. Por unë u ndala në këtë aspekt. Një aspekt tjetër madhor i kontributit tuaj shumë të çmuar ka qenë dhe ai në rrafshin bilateral. Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Italisë janë të shkëlqyera, por në këto marrëdhënie, ju doktor Fratini keni kontributin më të çmuar. Zyra juaj në Ministrinë e jashtme ka qenë një derë e hapur për diplomacinë dhe diplomatët shqiptarë ku kanë gjetur mbështetje dhe mirëkuptim të plotë. Ndaj dhe njëherë shpreh kënaqësinë time që ju nderojmë ju sot, shpreh krenarinë time dhe të shqiptarëve që ne sot këtu, nderojmë një mik si ju”.

Zoti Fratini e ka konsideruar një nder të madh, dhënien e titullit “Qytetar Nderi” dhe dëshmi të vlerësimit që qytetarët e Tiranës kanë për të.

“Kryetari i Bashkisë, miku im z. Basha tha se çelësat e zemrave të shqiptarëve tashmë janë, por kjo e sotmja është një dëshmi vecanërisht e rëndësishme. Sot unë marr pikërisht këtë shenjë që më nderon në mënyrë të veçantë, “Çelësin e Qytetit” dhe titullin “Qytetar Nderi” të këtij qyteti shumë të bukur, Tiranës, për të cilën po i thoja z. Lulzim Basha, kur erdha sot pas disa muajsh, që e gjeta akoma më të bukur. Komplimente vërtet, për Kryetarin e Bashkisë”.

Zoti Fratini theksoi se ka mbështetur Shqipërinë me bindjen e thellë se shqiptarët e meritojnë. Fratini ka theksuar edhe njëherë se heqja e vizave nuk ishte dhuratë por rezultat i punës së bërë nga qeveria shqiptare.

“Përgjatë viteve në funksionet e mia, europiane dhe bilateral, si ministër i Jashtëm, kam mbështetur dhe përkrahur Shqipërinë dhe popullin shqiptar dhe e kam bërë, i dashur Kryeministër Berisha, me bindjen e plotë që vazhdoj ta kem akoma, se populli shqiptar e ka meritur gjithë këtë. Kur pashë gëzimin e të gjithë atyre të rinjve shqiptarë, që për herë të parë vinin në Romë pa pasur nevojën e marrjes së vizës, unë kuptova se ai ishte gëzimi i atyre që zbulonin një liri të madhe dhe një të drejtë të madhe që Europa ua kishte njohur dhe ishte e drejtë t’ua njihte, sepse nuk ka pasur asnjë dhuratë, asnjë favor por është vetëm diçka që vendi, qeveria shqiptare, puna e madhe e Kryeministrit Berisha dhe ministrave të tjerë e meritonte”.

Zoti Fratini ka premtuar se do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë, sikundër garantoi edhe për vazhdimin e mbështetjes nga qeveria italiane.

“Një nder si ky i sotmi dhe titulli që më jepni më bën që ta kem akoma më shumë dhe në mënyrë të pashlyeshme Shqipërinë dhe Tiranën në zemrën time dhe ju mund të keni gjithnjë besim tek unë”.

Në ceremoninë e organizuar nga Bashkia e Tiranës, në Pallatin e Brigadave morën pjesë personalitete të jetës politike dhe kulturore të vendit, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë, drejtues dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak, ambasadori italian, zoti Massimo Gaiani, Kreu i Delegacionit të BE-së ambasadori Ettore Sequi, drejtues të institucioneve ndërkombëtare në Shqipëri etj. Më herët, zoti Fratini u prit në një takim të veçantë në Bashkinë e Tiranës, nga Kryebashkiaku Lulzim Basha.
1174

KOMENTE