English

Haxhinasto pret ambasadoren franceze Christine Moro

Zv.Kryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Edmond Haxhinasto, priti sot në një takim Ambasadoren e Republikës së Francës në Tiranë, znj. Christine Moro.
Zoti Haxhinasto falenderoi zonjën Moro për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe NATO-s. Zv. Kryeministri e siguroi ambasadoren Moro se qeveria shqiptare ka përcaktuar në prioritetet e saj luftën ndaj krimit të organizuar, forcimin e zbatimit të ligjit dhe zhvillimin ekonomik e social të vendit.

Ndërsa vlerësoi praninë e disa kompanive të mëdha franceze në Shqipëri si shenjë inkurajuese për nxitjen e investimeve të tjera franceze, z. Haxhinasto theksoi nevojën për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike.

Ministri i METE kërkoi më tej nxitjen e pjesëmarrjes së kompanive franceze në procesin e ristrukturimit dhe të privatizimit të sektorit elektroenergjetik, nëpërmjet investimeve direkte, në privatizimin e shoqërive të naftës etj. Zv.Kryeministri Haxhinasto theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e nxitjes së investimeve të huaja direkte (FDI-ve), ku në këtë kuadër propozoi bashkëpunim dhe institucionalizim mes institucioneve homologe për nxitjen e investimeve te huaja.

KOMENTE