Lajme > Lajme Ditore > Korrik - Shtator 2012 > Lajmet e datës 14 Korrik 2012
 

Thaçi: Autostrada “Ibrahim Rugova” ëndrra e qytetarëve të Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i shoqëruar edhe nga ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, ka përuruar dje, segmentin D-4 të Autostradës “Ibrahim Rugova”, nga Suhareka deri në Duhël me gjatësi 4 kilometra.
Kryeministri Hashim Thaçi me këtë rast tha se për shtetin e Kosovës është një ditë e re, një ditë e rëndësishme dhe historike. “Ne po përurojmë edhe katër kilometrat e reja të autostradës së ëndrrave të qytetarëve të Republikës së Kosovës, pra të autostradës së integrimit dhe bashkimit të kombit” ka theksuar kryeministri.

Sipas kryeministrit Thaçi, kur projekti është prezantuar në fund të vitit 2007, e gjithë kjo ishte vetëm një ëndërr.

“Kishim një qëllim dhe vizion, ndërtimin e kësaj autostrade. Sot kjo ëndërr po bëhet realitet, një realitet që po e ndryshon shtetin e Kosovës, po e modernizon shtetin tonë, po e zhvillon, por krijon vende të reja të punës, po e rrit mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kjo është arritur falë qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit, qeverisjes efikase, përkushtimit dhe zotimit tonë që premtimet t’i bëjmë realitet. Prandaj jam i bindur se ne do të vazhdojmë me punë të palodhshme që projekti i autostradës të realizohet sipas planit, me standardet më të larta siç është punuar deri më tani, dhe në afate rekorde”, theksoi kryeministri Thaçi duke premtuar se Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i kryej të gjitha obligimet dhe përkushtimet që ka për këtë projekt.

Kryeministri Thaçi potencoi se projekti i autostradës është produkt dhe meritë e qytetarëve, sepse po realizohet nga buxheti i Republikës së Kosovës.

“Ky projekt i jep kuptim shtetit të Kosovës, hap perspektivë të gjithanshme për qytetarët dhe shtetin e Kosovës. Ky projekt njëherë e përgjithmonë rrënon të kaluarën e errët të historisë, që na kanë ndarë, dhe hap perspektivën e integrimit dhe bashkimit. Ky është projekti i integrimeve kombëtare, dhe integrimeve euro-atlantike. Nëse qytetarët më herët udhëtonin nga 12 orë Tiranë-Durrës, tani udhëtojnë për dy apo tri orë. Jam i bindur se i gjithë projekti i planifikuar për sivjet, do të përfundoj në fund të nëntorit, dhe ky projekt do të përmbyllet një ditë para festimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë”tha z. Thaçi.

Këtu sot kryeministri Thaçi u zotua për vazhdimin paralel të ndërtimit të autostradës së re, Prishtinë-Ferizaj-Kaçanik-Hani i Elezit. “E di se për shumë njerëz kjo tingëllon e pabesueshme, por edhe kjo ëndërr vitin e ardhshëm do të bëhet realitet, dhe Kosova –do të jetë vendi i autostradave të munguara”, pohoi kryeministri Thaçi , me ç’rast edhe ka hapur javën e sigurisë “Jo shpejtësisë, po sigurisë”.

Shkruani KomentinKOMENTE
  • Nuk ka komente të paraqitur në këtë lajm. Jini i pari që shkruani këtë.