English

Edvin Kulluri sqaron menaxhimin e pronave të Forcave të Armatosura

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, z. Edvin Kulluri i është përgjigjur përmes një konference për shtyp deklaratës së deputetit të Partisë Socialiste lidhur me akuzat krejtësisht të pabaza për menaxhimin e pronave të Forcave të Armatosura.
Ai ka theksuarse, Plani i Përhapjes dhe i Vendosjes së Forcave të Armatosura është një dokument strategjik i miratuar me dekret nga Presidenti i Republikës, i cili përcakton koordinatat gjeografike të vendosjes së strukturave të Forcave të Armatosura. Me mbarimin e Luftës së Ftohtë, ky Plan është rishikuar periodikisht në përputhje me planet afatmesme dhe afatgjata të zhvillimit të Forcave të Armatosura. Me Planin e Përhapjes të miratuar së fundmi nga Presidenti i Republikës, janë përcaktuar pronat e nevojshme për realizimin e misionit dhe detyrave kushtetuese të Forcave të Armatosura.
Në këtë kontekst, sqarojmë se:
Ish-Shkolla e Bashkuar është dhe do të mbetet në Planin e Përhapjes të Forcave të Armatosura, për më tepër që në kuadër të 100-vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar, po investohet për rikonstruksionin e sheshit të këtij kompleksi, ndërtimin e Muzeut dhe të Arkivit të Forcave të Armatosura;
Spitali Ushtarak është dhe do të mbetet në Planin e Përhapjes të FA;
Baza e Bishtit të Pallës është dhe do të mbetet në Planin e Përhapjes së FA;
Ish Shkolla e Marinës në Vlorë, e cila nuk përdorej dhe ka qenë jashtë Planit të Përhapjes, i është dhënë në përdorim për shtatë vjet Universitetit të Vlorës Ismail Qemali;
Për tunelin e Porto Palermos ka një kërkesë nga Ministria e Kulturës, Turizmit Rinisë dhe Sporteve, e cila është duke u shqyrtuar, për ta kthyer atë në muze të Luftës së Ftohtë, ku do të sistemohet edhe nëndetësja që është në administrim të MTKRS.

Për të gjitha pronat e tjera që kanë qenë jashtë Planit të Përhapjes së Forcave të Armatosura, është bërë një punë voluminoze për inventarizimin, regjistrimin dhe përcjelljen e tyre pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes për privatizim me të drejtë nga ish pronarët apo nëpërmjet ankandeve të hapura publike për subjektet dhe individët e interesuar. Ashtu siç edhe një numër i konsiderueshëm i pronave që nuk përdoren nga Forcat e Armatosura, i janë transferuar me vendime të Këshillit të Ministrave për nevoja të motivuara, pushtetit vendor dhe institucioneve të tjera publike. E përsërisim edhe një herë që Ministria e Mbrojtjes nuk bën privatizime, por përgatit dhe dorëzon pranë Ministrisë së Ekonomisë pronat e tepërta për privatizim në bazë të legjislacionit në fuqi. Po ashtu i këshillojmë deputetët e opozitës të konsultojnë praktikat e njëjta apo të ngjashme, që përdorin Ministritë e Mbrojtjes të vendeve partnere në kuadër të ristrukturimit të tyre.

KOMENTE