English

Edi Rama: Imuniteti nuk e mbron korrupsionin parlamentar

Shkrim nga Edi Rama postuar në Blogun e tij

Nisma jonë fillon nga kufizimi i imunitetit, por nuk kufizohet vetëm me çështjen e imunitetit. Sepse ne besojmë që imuniteti në Shqipëri duhet të kufizohet dhe jemi absolutisht pro. Por ne besojmë po ashtu, që ndërhyrja në Kushtetutë për kufizimin e imunitetit nuk duhet të kufizohet vetëm tek çështja e imunitetit. Muri që mbron të korruptuarit sot në Shqipëri, nuk është imuniteti kushtetues, po pushteti politik që ka kapur drejtësinë. Të gjithë e dimë si kanë shkuar gjërat për rastet e rënda të korrupsionit në nivelin më të lartë. Imuniteti është hequr pa asnjë pengesë, por askush nuk është ndëshkuar, ngaqë drejtësia nuk bën drejtësi. Ne jemi të bindur se është koha për një debat shumë serioz dhe padyshim, për një ndërhyrje serioze në Kushtetutën e Republikës.
Imuniteti është vetëm një pikënisje, po jo një pikëmbërritje për ta realizuar këtë ndërhyrje siç duhet. Sot për sot kemi më shumë arsye të parashohim kërcënim se sa garanci për ekuilibrat kushtetues të shtetit, si rrjedhojë e zgjedhjes së presidentit të ri nga radhët e partisë së kryeministrit. Po edhe përtej aktualitetit politik dhe lëmshit institucional që ka bërë partia në pushtet, Kushtetuta e Republikës sot ka nevojë për një rishikim në funksion të reformës në drejtësi.
Si kryetar i Partisë Socialiste, ndjej neveri ndaj gjithë propagandës së shfrenuar të qeverisë për imunitetin. Qeveritarët thonë se ne, opozita, e paskemi problem heqjen e imunitetit, madje dashkemi të bllokojmë statusin e kandidatit për Shqipërinë. Këngë e vjetër kjo e opozitës bllokuese, po shqiptarët e ndërkombëtarët janë dëshmitarë të qasjes konstruktive e të përpjekjeve tona të jashtëzakonshme, për të sjellë në gjendje normale draftet skandaloze të qeverisë për ligjet me 3/5 e për t’i votuar ato.

Të gjithë janë dëshmitarë të qasjes konstruktive e të përpjekjeve tona të jashtëzakonshme për të zgjedhur një President të Republikës, e jo të politikës së mbrapshtë të ditës. Edhe shqiptarët edhe ndërkombëtarët janë dëshmitarë të qasjes konstruktive e të përpjekjeve tona të jashtëzakonshme për të mbyllur Reformën Zgjedhore, pa vënë veton për çdo gjë që s’na pëlqente – rrezikuam seriozisht edhe vetë marrëdhëniet me aleatët tanë politikë, duke pranuar një reformë që nuk preku sistemin aktual zgjedhor. Ndër të 12 prioritetet, ai i plotësuari në mënyrën më spektakolare, është prioriteti i zgjedhjes së Avokatit të Popullit që na u la në dorë ne, opozitës dhe ne e realizuam me një proces që në Komisionin Europian u quajt një shembull rrezatues për krejt rajonin.

Nëse ka njëfarë progresi me integrimin në këtë vit politik që po mbyllet, ky progres ka të bëjë vetëm me ato pjesë të rekomandimeve ku opozita ka pasur edhe ajo rol, pra në ligjvënie dhe asfare me pjesën dërrmuese të rekomandimeve që varen nga implementimi i ligjeve dhe cilësia e qeverisjes së vendit, korrupsioni, krimi i organizuar, rrëmuja me pronat, degradimi i administratës publike e me radhë…

Kështu që këngën banale për opozitën bllokuese, le ta dëgjojë çdo shurdh e çdo qorr që veshët e sytë ia ka falur partisë në pushtet dhe udhëheqësit të saj të lavdishëm. Le ta mbajnë e le t’i gëzohen deri në zgjedhjet e vitit të ardhshëm dhe le të këndojnë bashkë me të.

Ne kemi bërë për hir të statusit të kandidatit për Shqipërinë, kompromise për të cilat kemi paguar me vetëdije edhe kosto politike të ditës. Sepse për ne, Shqipëria në BE është një aspiratë e lartë patriotike mbi çdo hesap partiak apo përfitim partiak të ditës. Sa për imunitetin, jemi ne që e kemi kërkuar heqjen e imunitetit përmes ndryshimit kushtetues dhe këtë pala tjetër e ka kundërshtuar vijimësisht. Me vite me radhë, kur edhe ka tentuar ta heqë imunitetin me vendim qeverie! Thjesht për t’u tallur me njerëzit.

Më në fund ata kanë ardhur në pozicionin tonë. E kjo e mbyll debatin për çështjen e imunitetit në vetvete. Prandaj edhe akuza e përsëritur e palës tjetër që thotë se në këtë mes qenka një grup miliarderësh në PS që pengojnë heqjen e imunitetit, është vetëm një idiotësi e ligë.

Sot problemi i Shqipërisë nuk janë sipërmarrësit që janë zgjedhur deputetë, po kryeministri dhe ministrat që janë bërë sipërmarrës.

Sot problemi i shoqërisë nuk janë miliardat e sipërmarrësve që kanë hapur vende pune e kanë paguar rregullisht taksat për arkën e shtetit, po janë miliarderët e veshur me kostumin e kryeministrit e të ministrave, që në ortakëri me një çetë biznesmenësh, të cilët s’paguajnë as dritat e jo më taksat, i lënë sipërmarrësit e tjerë pa punë dhe grabisin prona e pasuri publike me vendime qeverie e ligje të qepura enkas, sipas hesapeve të xhepit të tyre.

Sot problemi i korrupsionit nuk ka lidhje asgjëkundi me sipërmarrësit që janë aktualisht deputetë në opozitë – publiku duhet ta dijë se ndaj tyre, një për një, është ushtruar një presion i paparë, politik dhe ekonomik, për t’i detyruar ta braktisin opozitën. U janë ofruar para e favore dhe u janë bërë kërdira me gjoba arbitrare.

Sot problemi i korrupsionit ka lidhje të drejtpërdrejtë me pandëshkueshmërinë e atyre që janë në qeveri, të gjithë me radhë, njëri pas tjetrit.

S’ka mbetur një prej tyre pa u kapur me presh në duar, fakte e prova, nga hetimet e pavarura të medias a të vetë opozitës. Vetë prokuroria ka ngritur akuza të rënda për disa syresh, me prova e fakte ulëritëse. Po nuk ka një prej tyre që të jetë shpallur i fajshëm nga gjykata, edhe kur është akuzuar si i fajshëm nga prokuroria.
Jo sepse i ka mbrojtur imuniteti, po i ka mbrojtur pushteti edhe kur u është hequr imuniteti. Madje kanë bërë vetë thirrje që t’u hiqet imuniteti për të shkuar ballëlartë në fushën e lojës së mbaruar pa nisur në Gjykatën e Lartë.

Kanë vjedhur në 7 vjet sa ç’nuk kanë vjedhur tërë qeveritë e Shqipërisë në 100 vjet, e madje edhe kanë vrarë njerëz në mes të bulevardit e në sytë e tërë Europës e botës, po ja ku janë, të tërë aty, këndojnë në kor këngën e heqjes së imunitetit.
Gati sa s’qajnë që nuk po i le opozita të zhvishen publikisht nga imuniteti, për t’u barazuar me qytetarët… Ky është kulmi i talljes me një popull të tërë!

Por sot, çështja nuk është a do apo s’do opozita heqjen e imunitetit, po a duam apo nuk duam ne, si klasë politike, që të ndajmë me ndryshimet e duhura kushtetuese, drejtësinë e kapur për fyti nga pushteti politik që po e mbyt përfundimisht drejtësinë. E kemi thënë me kohë e në mënyrë të përsëritur,
Po dhe po, jemi gati të votojmë heqjen e imunitetit, por jo duke arnuar Kushtetutën, po duke synuar një reformë kushtetuese që dje e kemi paraqitur zyrtarisht përmes nismës sonë parlamentare.

Prandaj, ftesa jonë për palën tjetër është të heqë dorë nga propaganda e ulët, plot akuza e ligësi ndaj opozitës lidhur me imunitetin dhe të kuptojë se:

Së pari, nuk mund ta ndryshojmë Kushtetutën copa – copa, edhe në gusht edhe në shtator, sikur po arnojmë me nge mëngët një xhakete të Gabit. Po duhet të bëjmë një debat të hapur e serioz, me njëri-tjetrin e me institucionet dhe njerëzit e drejtësisë e të shoqërisë civile, për tërësinë e ndryshimeve kushtetuese të propozuara prej nesh dhe vetëm pastaj të votojmë.

Së dyti, nuk mund ta gjejmë konsensusin për ndryshimin e Kushtetutës, në një klimë të ngarkuar me akuza e shpifje ndaj opozitës, që synojnë të krijojnë një perceptim krejt të gabuar se problemi në Shqipëri nuk qenka korrupsioni rrëqethës në qeverisjen e këtyre shtatë vjetëve, po korrupsioni imagjinar i opozitës, që këto shtatë vjet është vjedhur në zgjedhje e është vrarë në protesta. Fjalimet e djeshme tërë duf e mllef kundër opozitës në Këshillin e Legjislacionit, të kryetares së Kuvendit e të përfaqësuesve të tjerë të pushtetit, ishin të padenja për të gjetur konsensus për çmimin e qepëve në tregun fshatar, jo më për të marrë konsensusin e opozitës për ndryshimin e Kushtetutës.

Së treti, në synojmë dhe kërkojmë që ky debat i rëndësishëm të bëhet me seriozitet e intensitet dhe të mbyllet mundësisht brenda muajit shtator. Jam i bindur se me ndryshimet që propozojmë, i rijapin Shqipërisë shansin e rrezikuar plotësisht për statusin e kandidatit. Qeveria s’duhet ta bllokojë procesin që hap vizioni ynë për reformën kushtetuese dhe s’duhet ta përdorë çështjen e imunitetit si gjethe fiku, për të mbuluar panoramën e pambulueshme të degradimit të institucioneve të drejtësisë si pasojë e kapjes së shtetit.

Ne jemi këtu, gati, jo për t’i vënë Kushtetutës një arnë, po për një reformë kushtetuese në vazhdën e përpjekjes sonë për një Rilindje Shqiptare, përmes reformimit rrënjësor dhe integrimit tërësor në Bashkimin Europian.

KOMENTE