English

Kontingjenti Paqeruajtës “EAGLE 4” mbërrin në atdhe

Sot në mesditë, në pjesën ushtarake të Aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas u zhvillua ceremonia e pritjes së Kontingjentit Paqeruajtës “Eagle 4”, i cili u kthye në atdhe pasi kreu me sukses misionin paqeruajtës në Kandahar të Afganistanit. Për pritjen e kontingjentit paqeruajtës kishin dalë: shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, komandanti i Forcave Tokësore, gjeneral brigade Viktor Bërdo, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Dashamir Maçi, gjeneralë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA, shefi i Zyrës së ODC, major Kristopher Mitchell, familjarë dhe të afërm të paqeruajtësve, si dhe mjaft të ftuar të tjerë.
Fjalën e hapjes e mbajti komandanti i Forcave Tokësore, gjeneral brigade Viktor Bërdo, i cili i uroi mirëseardhjen në atdhe trupave të Kontingjentit “Eagle 4” dhe bëri vlerësime të larta për kryerjen me sukses të misionit të tyre në një nga zonat më të vështira të Afganistanit.
Në fjalën e tij të përshëndetjes shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, theksoi: “Është nder dhe privilegj për mua që të pres dhe të përshëndes sot kthimin në atdhe të kontingjentit heroik “Eagle 4”, të takoj nga afër ushtarakët si ju, që përfaqësuat denjësisht Forcat tona të Armatosura dhe shtetin shqiptar në një mision kaq të vështirë, si ai që kryet në Afganistan”.
Më tej, gjeneralmajor Gjunkshi nënvizoi se, megjithë largësinë, kam ndjekur në vazhdimësi dhe interesim të përditshëm gjithë punën e përkushtimin tuaj për të kryer me sukses detyrat, për të përballuar vështirësitë dhe rreziqet që paraqisnin misionet tuaja, në një nga rajonet më të nxehta dhe më të rrezikshme të botës. “Ju zhvilluat dhe përmbushët me sukses operacionet, përkrah aleatëve tanë amerikanë dhe vendeve të tjera të NATO, duke dëshmuar profesionalizëm, disiplinë, kurajo dhe besim, duke i shtuar vlera të reja e të çmueshme kontributit të Forcave tona të Armatosura në kryerjen e operacioneve në shërbim të paqes dhe të sigurisë në botë”, - u shpreh, ndër të tjera, gjeneralmajor Gjunkshi.

Duke përkujtuar me nderim dhe mirënjohje të thellë aktin heroik të kapiten Feti Voglit, shefi i Shtabit të Përgjithshëm theksoi: “Në këtë mision, ne humbëm jetën e kapiten Feti Voglit, morëm plagët e Aleksandër Pecit, provuam një dhimbje të pa provuar më parë, por treguam se dimë të reagojmë me profesionalizëm e dinjitet për të përballuar situata më të vështira, si dhe fituam një dëshmor më shumë në altarin e shenjtë të atdheut, fituam dashurinë, respektin dhe mirënjohjen e madhe të shtetit dhe popullit tonë, si dhe të aleatëve tanë”. Më pas ai shprehu respektin dhe mirënjohjen e veçantë për familjarët e Dëshmorit të Atdheut, kapiten Feti Vogli dhe të nëntetar Aleksandër Peci, për kurajën e treguar për të përballuar dhimbjen, po ashtu edhe për familjarët e të gjithë ushtarakëve që morën pjesë në këtë mision, për mbështetjen e treguar gjatë gjithë periudhës kur njerëzit e tyre të dashur ishin në mision. “Forcat tona të Armatosura do të vazhdojnë të stërviten për të kryer detyra të tjera të ngjashme, që do të na besohen nga shteti në përmbushjen me sukses të misionit tonë kushtetues dhe realizimin e të gjitha objektivave dhe detyrave në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë së vendit dhe krijimit të Forcave tona të Armatosura”, - është shprehur në fund të fjalës së tij gjeneralmajor Gjunkshi.

Trupat paqeruajtëse të kontingjenti “Eagle 4” dhe të pranishmit e tjerë i përshëndeti edhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Dashamir Maçi, i cili veçanërisht u ndal tek kontributi i 5 efektivave të Policisë së Shtetit që morën pjesë në kontingjentin ‘OMLT 2’ të ekipit trajnues të policisë afgane.

Kontingjenti paqeruajtës “Eagle 4” përbehet nga 45 oficerë, nënoficerë dhe ushtarë profesionistë efektivë të Batalionit të Forcave Speciale dhe është drejtuar nga nënkolonel Behar Mara. Ky kontingjent ka kryer misionin që nga muaji janar i këtij viti në zonën e Kandaharit duke kryer detyra të mirëfillta luftimi si operacione të inteligjencës, operacione survejimi, rikornicioni, zbulimi, operacione për mbrojtjen dhe rritjen e sigurisë, si dhe operacione të përbashkëta me forcat e sigurisë afgane. Në përbërje të këtij Kontingjenti ishte edhe Dëshmori i Atdheut, Kapiten Feti Vogli, i cili ra në krye të detyrës më 20 shkurt të këtij viti duke kryer misionin në një zonë të Kandaharit në Afganistan.

Ndërsa një ditë më parë u kthye në atdhe edhe Kontingjenti i 10-të paqeruajtës. Ky kontingjent me komandant nënkolonel Arben Kingji, përbëhej nga efektivë të Batalionit të Këmbësorisë së Malore të Vaut të Dejës në Shkodër me një personel prej 100 trupash, si dhe 12 ushtarakë nga Shtabi i Komandës së Forcës Tokësore. Ata janë pritur në Aeroportin e Rinasit nga komandanti i Forcës Tokësore, gjeneral brigade Viktor Bërdo, si dhe nga ushtarakë të tjerë të lartë të Forcave Tokësore dhe familjarë të paqeruajtësve. Gjatë periudhës janar 2012 deri në korrik 2012 Kontingjenti i 10-të paqeruajtës veproi në përbërje të kontingjentit italian, ku trupat shqiptare dhe ato italiane bashkëpunuan dhe kryen detyra të rëndësishme në Herat të Afganistanit.

KOMENTE