Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Rama: Kushtetuta e Republikës ka nevojë për një rishikim në funksion të një reforme në drejtësi
English

Rama: Kushtetuta e Republikës ka nevojë për një rishikim në funksion të një reforme në drejtësi

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama në mbledhjen e e grupit parlamentar ka përshëndetur në fjalën e tij komisionin e Ligjeve për përgatitjen e shkëlqyer për çështjen e ndryshimeve kushtetuese.

Më poshtë fjala e plotë e kreut të socialistëve zotit Rama

"Përshëndes Komisionin tonë të Ligjeve për përgatitjen e shkëlqyer për çështjen e ndryshimeve kushtetuese, duke nisur nga debati për imunitetin.
Do të dëshiroja që në fund të fjalës sime, t’ia kaloja fjalën relatorit të çështjes së ndryshimeve kushtetuese, Pandeli Majko, për të ndarë me grupin parlamentar, por dhe me publikun nëpërmjet mediave të pranishme, këndvështrimin mbi ecurinë e derikëtushme të debatit. Jo vetëm për imunitetin, po për tërë ndryshimet e propozuara që presin vazhdën e këtij debati shumë të rëndësishëm.
Dihet tanimë se nisma jonë fillon nga kufizimi i imunitetit, por nuk kufizohet vetëm me çështjen e imunitetit. Sepse ne besojmë që imuniteti në Shqipëri duhet të kufizohet dhe jemi absolutisht pro. Por ne besojmë po ashtu, që ndërhyrja në Kushtetutë për kufizimin e imunitetit nuk duhet të kufizohet vetëm tek çështja e imunitetit. Muri që rrethon sot oborrin e të pandëshkueshmëve nuk është imuniteti kushtetues, po pushteti që ka kapur drejtësinë. Prandaj s’ka gjë më qesharake se sa kur kryeministri bën sikur po thërret në ndihmë opozitën, për të shembur murin e korrupsionit përmes heqjes së imunitetit. Atë mur nuk po e lartëson përditë imuniteti kushtetues, po korrupsioni i pushtetit që po grabit e shkatërron Shqipërinë dhe drejtësinë bashkë.
Prandaj nuk ka neveri më të përligjur se sa kur kryeministri përgojon ligësisht opozitën, sikur ne paskemi nevojë për imunitetin që të mbrojmë sipas tij një grup miliarderësh brenda PS. Deri kur të shembet nga vota e popullit qershorin e ardhshëm, muri mbrojtës që i bën të pandëshkueshme aktet e përjavshme të korrupsionit qeveritar do të jetë aty, shëmbëlltyrë e kapjes së shtetit për llogari të pushtetit. Prandaj s’ka tallje më të madhe me shqiptarët se kjo e qeverisë dhe kryeministrit që i qahet popullit se opozita po e pengon të luftojë korrupsionin. Saliu gati sa nuk thotë që s’ka asgjë në dorë kundër korrupsionit, sepse i shkreti është vetëm një copë kryeministër dhe po s’deshi opozita ai nuk ka ç’i bën fare murit të korrupsionit!
Heu ç’e ka gjetur kryeministrin, është për të thënë!
Opozita s’po e lë të hap vende të reja pune se nuk po i heq imunitetin!
Opozita s’po e lë të rrisë më shumë rrogat e pensionet se nuk po i heq imunitetin!
Opozita s’po e le të mbështesë më shumë shtresat në nevojë se nuk po i heq imunitetin!
Dhe i shkreti Sali, vetëm një copë kryeministër është, s’ka çfarë bën fare për faj të opozitës që s’po i krijon hapësirë as edhe të paktën për të luftuar korrupsionin. Loja e fajësimit të opozitës në fakt është e vetmja rrugë e mbetur për kryeministrin. Çdo ditë, me çdo kusht, e me çdo mjet duhet fajësuar opozita, sepse rrugës së zhytjes në borxhe dhe të shitjes së Shqipërisë për të mbushur arkën e shtetit i ka ardhur fundi. Prej zhytjes në një borxh që rritet në vlerë dhe në përqindje përtej mundësive të vendit, po shfaqen shenjat e para të mosbesimit.
Bankat e huaja e kanë zvogëluar portofolin e bonove të thesarit. Nga ana tjetër të ardhurat janë në rënie të vazhdueshme. Në nivelin vendor s’ka më asnjë investim. Investimet në nivelin kombëtar janë tkurrur dhe do të vazhdojnë të tkurren. Politikës së likuidimit të pasurive kombëtare po i soset vaji i kandilit dhe gropën që Sali Berisha po hap për të dytën herë në njëzet vjet në ekonominë e vendit, nuk e mbushin dot paratë që mbeten për shtetin pas privatizimeve grabitqare.
Korrupsioni është bërë kaq shumë natyrë e dytë e këtij pushteti, sa që çdo mundësi për të futur para në arkën e shtetit nga privatizimet, shihet në radhë të parë si një mundësi për të grabitur dhe për të përfituar ata që me pushtetin e tyre kanë bërë mur rrethues për të qenë dhe për të mbetur të pandëshkueshëm. Pabesia ndaj publikut me Lotarinë Kombëtare është shprehja më kuptimplotë e degradimit të skajshëm të qeverisjes dhe të moralit të saj. Kështu që fajësimi i opozitës ka mbetur vërtetë e vetmja rrugë për të justifikuar dështimet.
Deri në absurd. Deri në absurdin me imunitetin, kur të gjithë e dimë, çdo shqiptar e di, se si kanë përfunduar në komedi gjyqet për ministrat e zhveshur nga imuniteti. Imuniteti është hequr pa asnjë pengesë, po askush nuk është ndëshkuar. Prandaj është koha për një debat shumë serioz dhe për një ndërhyrje shumë serioze në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Imuniteti është vetëm një pikënisje po jo një pikëmbërritje për ta realizuar këtë ndërhyrje siç duhet dhe siç duam. Ne s’kemi asnjë ekuivok në qëndrimin tonë për imunitetin, duhet kufizuar dhe pikë. Por sot Kushtetuta e Republikës ka nevojë për një rishikim në funksion të një reforme në drejtësi që të krijoj kushtet që drejtësia të bëj drejtësi.
Prandaj edhe kemi paraqitur një vizion të mishëruar në një sërë propozimesh për ndryshime kushtetuese. Kundërshtarët na thonë se ne, opozita, e paskemi problem heqjen e imunitetit, madje avazi i vjetër, dashkemi të bllokojmë statusin e kandidatit për Shqipërinë. Unë nuk besoj se në historinë e këtij vendi një opozitë ka bërë më shumë përpjekje për integrimin europian të Shqipërisë se sa Partia Socialiste gjatë gjithë këtij viti politik që po mbyllet. Të gjithë janë dëshmitarë të qasjes sonë konstruktive e të përpjekjeve tona të jashtëzakonshme, për të sjellë në gjende normale draftet skandaloze të qeverisë për ligjet me 3/5 dhe për t’i votuar ato, siç i kemi votuar dhe siç do të votojmë edhe ditën e enjten një tjetër draft të tillë për konferencën gjyqësore. Të gjithë janë dëshmitarë të qasjes konstruktive dhe të përpjekjeve tona të jashtëzakonshme për të zgjedhur një President të Republikës me frymën e unitetit kombëtar jo të dasisë tradicionale, edhe kjo në funksion të integrimit europian dhe të afrimit me Familjen Europiane përmes marrjes së statusit të kandidatit këtë vjeshtë.
Të gjithë janë dëshmitarë të qasjes sonë konstruktive dhe të përpjekjeve të jashtëzakonshme për ta mbyllur Reformën Zgjedhore pa e vënë veton për gjërat që nuk na pëlqyen, madje rrezikuam seriozisht edhe vetë marrëdhëniet me aleatët tanë politikë duke pranuar një reformë që nuk e preku sistemin aktual zgjedhor. Dhe pse e bëmë? Sigurisht të bindur se me këtë reformë ne i marrim garancitë për të bërë zgjedhje më të lira dhe më të ndershme se ato të mëparshmet, por edhe të bindur që kjo reformë ishte një domosdoshmëri në prag të vjeshtës në Bruksel.
Ndër të 12 prioritetet, të gjithë janë dëshmitarë, se ai që është plotësuar në mënyrë europiane, me qasje dhe me standarde europiane, i vetmi është prioriteti i zgjedhjes së Avokatit të Popullit që na u la në dorë ne, opozitës. E realizuam atë zgjedhje me një proces dhe me një standard që sot e gjithë ditën në Komisionin Europian merret si shembull për rajonin. Nëse ka njëfarë progresi për integrimin europian në këtë vit politik, ky është vetëm progresi në letër. Progresi legjislativ dhe në këtë progres legjislativ është roli ynë, roli i opozitës ai që ka qenë vendimtari. Ndërkohë që pjesa tjetër e rekomandimeve, ajo më e gjëra dhe më e qenësishmja që lidhet me implementimi e ligjeve dhe padyshim edhe me luftën kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, zgjidhjen e rrëmujës me pronat, adresimin e problemeve me administratën publike e me radhë, nuk ka asnjë progres. Mjafton të lexosh raportin e Departamentit të Shtetit për të parë se në çfarë derexheje është katandisur jeta reale e shqiptarëve nën shtetin e tyre të kapur për fyti nga pushteti dhe nga interesat e pushtetit.
Çka kemi bërë, i kemi bërë pikërisht për hir të shansit të domosdoshëm që kemi dëshiruar dhe dëshirojmë t’i japim vendit, që ta marri statusit e kandidatit për Shqipërinë. Kemi bërë kompromise për të cilat kemi paguar me vetëdije edhe kosto politike të ditës. Sepse për ne Shqipëria në BE është një aspiratë e lartë patriotike mbi çdo hesap partiak dhe mbi çdo përfitim partiak të ditës. Por nga ana tjetër për ne, Shqipëria në BE nuk është thjesht çfarë dërgon posta në Bruksel nga ato që aprovohen në parlament, por është cilësia e jetës këtu në vendin tonë, përmes krijimit të kushteve dhe standardeve që shqiptarët të jetojnë si anëtarë të BE, në jetën dhe punën e tyre të përditshme. E kjo gjë nuk duket asgjëkund dhe nuk ka sesi të duket përsa kohë në qeverisjen e vendit është një grup i interesuar vetëm për mbajtjen e pushtetit me qëllim grabitjen deri në fund të këtij vendi dhe gjenerimin e një pasurie marramendëse për të vazhduar të riciklohet në pushtetin e vet.
Sa për imunitetin, jemi ne që e kemi kërkuar heqjen e imunitetit me kohë, përmes ndryshimit kushtetues dhe këtë pala tjetër e ka kundërshtuar vijimësisht. Më në fund ata kanë ardhur në pozicionin tonë, që kjo bëhet vetëm me ndryshim kushtetues. Së fundi kanë ardhur edhe në variantin tonë. E kjo e mbyll debatin për çështjen e imunitetit në vetvete. Prandaj edhe akuza e përsëritur e palës tjetër që thotë se në këtë mes na qenka një grup miliarderësh në PS që pengojnë heqjen e imunitetit, ka vetëm një tog fjalësh për mua për ta përcaktuar, idiotësi e ligë.
Sot problemi i Shqipërisë dihet mirë që nuk janë sipërmarrësit që janë zgjedhur deputetë, po kryeministri dhe ministrat që janë bërë sipërmarrës.
Sot problemi i Shqipërisë nuk janë as milionat apo dhe miliardat e sipërmarrësve që kanë hapur vende pune dhe kanë paguar rregullisht taksat për arkën e shtetit, po janë miliarderët e veshur me kostumin e kryeministrit e të ministrave që në ortakëri me një çetë biznesmenësh, të cilët nuk paguajnë as faturat e dritave nganjëherë dhe jo më taksat, i lënë sipërmarrësit e tjerë pa punë dhe grabisin prona e pasuri publike me vendime qeverie e ligje të qepura enkas sipas hesapeve të xhepit të tyre.
Të jenë të sigurt se sot një vit, në korrikun e ardhshëm, pas zgjedhjeve që ne do të fitojmë qershorin e ardhshëm, do të jemi në punë edhe duke ngritur procesin më të madh publik të transparencës së pasojave të gjithë këtyre vendimeve e ligjeve të miratuara vetëm për të vjedhur. Nuk ka asnjë metaforë dhe asnjë ekzagjerim, por në 7 vjet këta që sot keqqeverisin Shqipërinë kanë vjedhur sa ç’nuk është vjedhur nga tërë qeveritë e Shqipërisë në 100 vjet shtet shqiptar. Kanë vjedhur nën tokë dhe kanë vjedhur mbi tokë, çfarë u ka dalë përpara, por fushat e naftës fatmirësisht aty janë, minierat aty janë, pronat e ushtrisë aty janë, pronat publike e private në bregdet aty janë. Aty janë edhe tërë asetet e tjera të pasurisë publike që kanë shkuar për koncesione apo për transaksione. Aty do të jetë edhe Lotaria Kombëtare nëse do të guxojnë ta privatizojnë me termat që kanë shpallur.
Ne do bëjmë transparencë të plotë publike dhe do të marrim përsipër të gjithë hapat kushtetues dhe ligjorë që dikton nga njëra anë nevoja për mospërsëritjen kurrë asnjëherë të kësaj barbarie korruptive me mjetet e pushtetit ekzekutiv, nga ana tjetër nevoja që arkës së shtetit t’i kthehen paratë e munguara nga tërë këto grabitje barbare. Ky është një angazhim solemn i Partisë Socialiste të cilin unë sot thjesht e përsërita."

Deputeti socialist, njëherësh relator i çështjes së ndryshimeve kushtetuese, Pandeli Majko, duke marrë fjalën në mbledhjen e grupit parlamentar të PS deklaroi se "sot ne kemi një dokument të pranuar edhe nga pala tjetër e cila përfundimisht mbyll historinë e kapitullit të çështjes së imuniteteve në Shqipëri", duke nënvizuar se debati duhet të vazhdojë me tej me ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me Reformën në Drejtësi.
Majko theksoi se është përmbyllur një fazë me rëndësi për ndryshimet kushtetuese, por që debati duhet të vazhdojë. "Ne nuk jemi ulur në tavolinë me Partinë Demokratike për t’i thënë ne kemi disa nene ose miratoi ose bëhet nami, ose miratoi ose ne nuk vijmë të votojmë asnjë nen të Kushtetutës. Jo! I vetmi kusht që ne kemi përballë Partisë Demokratike është, duam debat profesional publik përballë institucioneve ndërkombëtare, përballë shoqërisë civile ashtu si në rastin e imuniteteve. T’i diskutojmë përballë publikut kush është vizioni jonë, kush është vizioni juaj. Nëse kryeministri i këtij vendi mendon që ne po e orientojmë vendin drejt diktaturës së pakicës me ndryshimet kushtetuese, le të vijnë t’i mbrojnë në publik përballë ekspertizës ndërkombëtare, përballë shoqërisë civile. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është një dokument publik, nuk është pronë e asnjë partie politike".

KOMENTE