English

Autostrada Levan-Vlorë funksionale me 4 korsitë e saj

Autostrada Levan-Vlorë, pjesë e autostradës Tiranë-Vlorë, nga sot është funksionale, me të 4 korsitë e saj, për qarkullim. Përurimi i përfundimit të këtij segmenti të rëndësishëm në rrjetin rrugor të Shqipërisë u bë sot pasdite, në prani të Kryeministrit Berisha, autoriteteve vendore dhe qytetarëve të kësaj zone.

Autostrada, e ndërtuar në standardet më të avancuara bashkëkohore, ka vlerë investimi rreth 60 milionë euro. Me gjatësi rreth 24.5 kilometra dhe gjerësi 24 metra, shpejtësi lëvizjeje 120 kilometra/orë, ajo do të lehtësojë trafikun, do të shkurtojë kohën dhe do të rrisë cilësinë e udhëtimit. Autostrada përfshin edhe dy ura: Ura e Ferrasit me gjatësi 385 metra dhe ura e Vjosës me gjatësi 130 metra. Veçanërisht i lartë është impakti i saj në sezonin turistik. Sikundër, duke lidhur dy qarqe të mëdha të vendit, Vlorën dhe Fierin, impakti i saj vlerësohet i rëndësishëm edhe në zhvillimin ekonomik të këtij rajoni.

Kryeministri Berisha, duke e vlerësuar autostradën ndër më të bukura në vend, garantoi se Shqipëria do të ketë së shpejti rrjetin rrugor më modern në rajon, për të cilin po punohet çdo ditë, në të katër anët e vendit.
Duke folur për investimet në dy ndër qarqet më të mëdha të vendit, Fierit e Vlorës, Kryeministri theksoi në shifra se në këto dy qarqe, qeveria ka investuar rreth 1.2 miliardë euro në rrugë, ujësjellës-kanalizime, shkolla, në subvencionimin e ullishtave, vreshtave e drurëve frutorë etj.. Kryeministri premtoi se investime shumë të rëndësishme janë projektuar e po projektohen për qytetin e Vlorës, si shëtitorja buzë detit, projekti i rrugës që do të qarkojë gadishullin e Karaburunit, ndërsa ka përfunduar projekti për Bypass-it e Vlorës.

Kryeministri Berisha komentoi edhe deklaratat e opozitës për anulim të marrëveshjeve apo koncesioneve me investitorët e huaj, duke theksuar se zërat që vijnë për anulim të investimeve janë arkaikë dhe anakronikë dhe reminishencë e Kushtetutës së '72-it, e cila nuk do të kthehet kurrë më, në Shqipëri.

KOMENTE