English

Berisha: Rama sulmoi verbërisht personalitetin e shquar të Partive Popullore Europiane

Kryetari i PS z. Edi Rama, i cili ka vendosur të bllokojë për të tretin vit radhazi marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE të Shqipërisë, duke bllokuar heqjen e imunitetit dhe rrëzimin e murit të korrupsionit me datë 6 gusht, ndërmori dje një sulm absurd dhe të papërmbajtur ndaj njërit prej personaliteteve me të shquara të qendrës së djathtë Europiane, Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partive Popullore Europiane, grupit më të madh në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, mikut të shquar të Shqipërisë z. Luca Volonte.

Zoti Rama sulmoi verbërisht personalitetin e shquar të Partive Popullore Europiane që qeverisë në 17 vende anëtare të BE, vetëm e vetëm se ai i bëri thirrje z. Rama të mos bllokojë heqjen me datë 6 gusht të imunitetit dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, pasi ky është një shkelmim i tij i përsëritur mbi ëndrrën Europiane të shqiptarëve.

Zoti Rama ndërmori sulmin e tij vulgar ndaj këtij miku të shqiptarëve, pra z. Volonte, vetëm dhe vetëm, se ai dje i rikujtoi atij, por dhe të gjithë shqiptarëve se në bisedën e tij të fundit në selinë e Partisë Socialiste, z. Rama kishte denoncuar qeverinë se nuk pranonte ndryshimin e Kushtetutës për heqjen e imunitetit për ministrat dhe zyrtarët e tjerë, pasi kishte frikë nga hetimet për korrupsion, kurse tani që qeveria kishte pranuar ndryshimin e Kushtetutës dhe të gjitha propozimet tjera për heqjen e korrupsionit ishte vet ai, pra z Rama, që nuk pranonte shembjen e murit të korrupsionit duke e renditur veten kështu si Kryetari i vetëm i opozitës në botë, që mbron mazhorancën me imunitet, sikur të ishte vegël dhe jo kundërshtar sovran i saj.

Me qëndrimin e tij të djeshëm z. Rama faktoi falsitetin e thirrjeve te tij për të papunët që vuajnë për kafshatën e gojës së fëmijëve të tyre, ku korrupsioni përvetësimi dhe fshehja në taksa e dogana të pasurive të tyre të paligjshme nga zyrtarët me imunitet, u errëson shpresën e tyre për punësim.

Me sulmin e tij absurd ndaj z. Volonte, vetëm se ai i kërkoi z. Rama të pranojë barazinë para ligjit të zyrtarëve të vendit me qytetarët e thjeshtë, ai dëshmon se për atë dhe Partinë Socialiste kryesore është pasurimi i paligjshëm i Fidelëve të Partisë dhe mbushja e arkës së Partisë Socialiste dhe jo rritja e pensioneve dhe ndihmës ekonomike për 560 mijë pensionistë dhe e 100 mijë familjeve në ndihmë ekonomike.

PD i bën thirrje z. Rama të heqë dorë nga sulmet ndaj miqve të Shqipërisë dhe personaliteteve të larta Europiane dhe të lejojë grupin parlamentar të Partisë Socialiste, të votojë me datë 6 gusht për heqjen e imunitetit, rrëzimin e murit të korrupsionit dhe për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE për Shqipërinë. Nga ky akt historik fitojnë të gjithë qytetarët shqiptarë duke bërë të mundur kështu që ëndrra e tyre Europiane të bëhet gjithnjë e më e vërtetë.

KOMENTE