English

Ministri Tavo: Asnjë zhurmë përtej normave të përcaktuara

Ministri i Shëndetësisë Z. Vangjel Tavo ka zhvilluar këtë fundjavë një takim në Sarandë, për t’u njohur me aktivitetin e deritanishëm të shtabit që monitoron problematikën e lidhur me ndotjen akustike në qendrat urbane, turistike dhe bregdetare.

Ky shtab është duke e kryer aktivitetin e tij në bazë të detyrave të përcaktuara nga nënshkrimi i udhëzuesit të përbashkët mes Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mjedisit, të cilat do të bashkërendojnë punën për garantimin e qetësisë publike të qytetarëve gjatë sezonit.

Ministri Tavo gjatë këtij takimi ka dhënë disa porosi për mbarëvajtjen e punës ndërsa e ka vënë theksin në një koordinim sa më të mirë ndërmjet përfaqësuesve të Agjencisë Rajonale të Mjedisit me strukturat lokale të shëndetit publik (Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë, Drejtoria e Shëndetit Publik), me strukturat vendore të Policisë së Shtetit si dhe njësitë e qeverisjes vendore.

“Të mos lejohet asnjë zhurmë përtej normave të përcaktuara. Kam porositur strukturat e shëndetit publik që të raportojnë në kohë pranë strukturave të policisë, pushtetit lokal dhe Agjencisë Rajonale të Mjedisit. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se është e domosdoshme të bashkëpunohet ndërmjet organeve dhe strukturave kontrolluese për gjendjen e mjedisit, si dhe të bashkërendohet puna lidhur me procedurat që do të ndiqen, si dhe masat që do të merren në përputhje me kompetencat e secilës palë, për monitorimin dhe kontrollin e nivelit të zhurmave” u shpreh Ministri Tavo

Më tej kreu i shëndetësisë shqiptare kërkoi të kontrollohet me rigorozitet nga strukturat e policisë dhe të qeverisjes vendore zbatimi i orarit të lejuar për veprimtarinë e subjekteve fizikë e juridikë, të cilët gjenerojnë zhurmë në mjedis në zonat urbane, turistike dhe bregdetare.

“Strukturat e policisë dhe të qeverisjes vendore të mbështesin strukturat e ISHP për kryerjen e matjeve si dhe të monitorohet me rreptësi zbatimi i sanksioneve të vendosura ndaj subjekteve dhe të mos ketë lëshime. Plani i veprimit për rrethin tuaj të ndiqet dhe të zbatohet me rigorozitet duke bërë bashkërendimin e masave për monitorimin dhe kontrollin e nivelit të zhurmave në qendrën tuaj, e cila është edhe urbane edhe turistike e bregdetare, duke përcaktuar pika kontakti personat përgjegjës sipas institucioneve përkatëse” theksoi Z. Tavo.

Në përfundim të këtij takimi Ministri Tavo ka kërkuar që strukturat përkatëse të të tre ministrive, sipas mundësive, të zhvillojnë takime të përditshme dhe të raportojnë për evidentimin e problemeve dhe shqetësimeve që kanë të bëjnë me monitorimin dhe kontrollin e nivelit të zhurmave.

KOMENTE