English

Edmond Panariti takime me zyrtarët e lartë kinezë

Në kuadrin e vizitës së tij në Republikën Popullore të Kinës, sot Ministri i Punëve të Jashtme të Republikes të Shqipërisë, z. Edmond Panariti, u prit nga Zëvendëskryeministri kinez, z. Li Keqiang. Në fillim të takimit, zoti Panariti vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve politike dhe ekonomike ndërmjet të dy vendeve.

Ai shprehu falënderimin për ndihmën dhe asistencën që Kina i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në drejtim të zhvillimit ekonomik. Më tej, ai bëri një pasqyrë të përpjekjeve të qeverisë shqiptare në rrugën e integrimit evropian të vendit.

Gjatë bisedës Ministri Panariti u ndal në mundësitë e mëdha që ofron Shqipëria për bashkëpunim në fushën ekonomike, por dhe në fusha të tjera, si në kulturë, arsim, etj. Integrimi i vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore në BE, stabiliteti i tyre politik dhe ekonomik, tha ai, krijon tashmë një klimë tepër inkurajuese edhe në drejtim të integrimit të mëtejshëm të tregjeve tona, si tregje aktivë për të gjitha investimet e huaja, konkretisht dhe për ato kineze.

Duke u ndalur në platformën e qeverisë kineze për forcimin e bashkëpunimit ekonomik me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, të shprehura në takimin e nivelit të lartë në Varshavë, që u mbajt në prill të këtij viti, Ministri Panariti theksoi se qeveria shqiptare është duke u përgatitur seriozisht për t’i paraqitur palës kineze propozime dhe projekte konkrete, realizimi i të cilave do të ketë interes madhor për zhvillimin e vendit. Në këtë kuadër, ai e vuri theksin në ato fusha me interes për investimet kineze, si në energjitikë, miniera, turizëm, infrastrukturë etj., dhe se qeveria shqiptare ka krijuar për këtë të gjitha lehtësitë e nevojshme.

Zëvendëskryeministri kinez që në fillim të takimit vlerësoi marrëdhëniet tradicionale e miqësore midis dy popujve dhe vendeve tona, duke i parë ato si bazë të shëndoshë për të hapur faqe të tjera të reja në interes të tyre.

Ai vlerësoi progresin që ka bërë Shqipëria gjatë këtyre viteve dhe nënvizoi se Kina e Shqipëria duhet të zhvillojnë me përparësi marrëdhëniet në të gjitha fushat dhe në mënyrë të vecantë ato në fushën ekonomike, duke shtuar se Qeveria kineze do të tregojë kujdes, duke krijuar më shumë lehtësi për kompanitë dhe produktet shqiptare. Ai u shpreh gjithashtu se, Qeveria Kineze në të njëjtën kohë do të përkrahë kompanitë kineze të njohura, që të shfrytëzojnë të gjitha potencialet që ofron aktualisht ekonomia shqiptare.

Ministri Panariti dhe Zëvendëskryeministri Li keqiang ndanë të njëjtin mendim, për të rritur shkëmbimet mes dy qeverive dhe popujve, duke patur parasysh marrëdhëniet tradicionale mes tyre.

KOMENTE