English

Pagat rriten në letër por,qytetarët blejnë më pak

Sot, mbarë opinioni publik u njoh me një çudi të re të qeverisjes së Sali Berishës.

Nga sot duhet të pranojmë të dëgjojmë edhe lajme se kur firmos Saliu vendimet e qeverisë. A thua se nuk paguhet për këtë gjë kryeministri.

Pagat që Saliu mburret se ka firmosur sot, në fakt duhet të ishin paguar që para tre javësh. Qeveria u përpoq të mburret sot duke na treguar se sa janë rritur pagat në letër. Por familjet shqiptare nuk jetojnë me paratë e rrogës në letër. Jetojnë me paratë që marrin në dorë dhe më konkretisht me çfarë blejnë me paratë që marrin në dorë.
A ka rëndësi sa janë rritur pagat në letër, kur sot edhe arsimtarët, edhe mjekët, edhe infermierët, edhe punonjësit e policisë blejnë më pak se sa kanë blerë në 2005.

Që konsumi i familjeve shqiptare ka rënë, këtë e tregojnë edhe statistikat zyrtare.
Saliu duhet të japë përgjigje se si i bëhet që:
- buka dhe mielli kushton 2 herë më shumë se në 2005
- energjia elektrike kushton 2 herë më shumë se në 2005
- uji i pijshëm kushton 2 herë më shumë se në 2005
- sheqeri, vaji, orizi kushtojnë 2 herë më shumë se në 2005
- barnat dhe shërbimi shëndetësor kushtojnë 2 herë më shumë se në 2005
- nafta kushton 3 herë më shumë se 2005.

Qeveria deklaroi sot se sa janë rritur në letër pagat e infermierëve dhe mjekëve. Por Saliu punonjësve të shëndetësisë duhet t’u kërkojë falje sepse i ka lënë të përballen me qytetarët në qendra shëndetësore ku mungon çdo lloji ilaçi bazë.

Qeveria deklaroi se si paska ndryshuar raporti i pagës së Saliut me pagën e arsimtarit. Por Saliu ka frikë të tregojë se si ka ndryshuar taksimi i pagës së arsimtarit dhe ta krahasojë me taksimin e tij.
Sot Saliu paguan çdo muaj 7 mijë lekë më pak taksa se sa paguante shtator 2005 kur u ul në karrigen e kryeministrit.
Një mësues që në shtator 2005 paguante 550 lekë taksa në muaj, tani paguan 6 mijë lekë taksa në muaj. Pra një mësues paguan 11 herë më shumë taksa sepse Saliu vendosi të zbatojë taksën e sheshtë.
Në 2005 një mësues paguante taksa sa 2% e pagës, ndërsa Saliu sa 13 % të pagës.
Pra, 6.5 herë më e ulët ishte shkalla tatimore në 2005, ndërsa tani edhe Saliu, edhe mësuesi, infermieri, punonjësi i policisë taksohen njësoj.

Në 2005 një mësues merrte edhe pagën e 13-të, ndërsa sot edhe pagën e 12-të duhet ta paguash taksa që Bujari të ketë pallat të ri presidencial, që Saliu të rregullojë rezidencën qeveritare në Vlorë, ndërsa Ridvani të ndërrojë kolltukët e zyrës.

Që të përmirësohet niveli i jetesës së shumicës së familjeve shqiptare lypet një rilindje e Shqipërisë. Programi i Partisë Socialiste për një Rilindje Shqiptare do e heqë taksën e sheshtë dhe do e zëvendësoj me taksimin e ndershëm, që do të vendos drejtësinë sociale dhe do të fuqizojë shtresën e mesme. Falë taksimit të ndershëm, ata që kanë të ardhura më të ulëta do të paguajnë më pak. 90% e shqiptarëve do të përfitojë nga ulja e taksave.

KOMENTE