English

Berisha-Thaçi: Bashkëpunimi interesi më i mirë i paqes

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni z. Menduh Thaçi. Gjatë këtij takimi kryeministri Berisha i shprehu dhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta z. Thaçi për ndarjen nga jeta të Presidentit të Nderit të kësaj Partie, Arbën Xhaferri. Gjithashtu z. Thaçi e informoi kryeministrin Berisha rreth zhvillimeve më të fundit politike në Maqedoni si dhe qëndrimet politike të PDSH.

Pas takimit Kryeministri Berisha dhe z. Thaci dhanë një prononcim të shkurtër mbi temat e diskutuara në këtë takim:
Kryeministri Berisha: “Sapo përfunduam një takim të rëndësishëm me zotin Menduh Thaçi, Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni. I shpreha edhe njëherë ngushëllimet e mia më të sinqerta, për ndarjen nga jeta të Presidentit të Nderit të kësaj Partie, Arbën Xhaferri, i cili lë një trashëgimi të shkëlqyer në mendimin politik shqiptar dhe në mendimin shqiptar në tërësi. Një trashëgimi, e cila do të frymëzojë shqiptarët në mbrojtjen e idealeve dhe interesave të tyre. Zoti Menduh më informoi mua mbi zhvillimet e fundit dhe disa qëndrime të forcës politike që drejton. Unë e garantova se për ne avancimi i mëtejshëm i lirive dhe te drejtave të shqiptarëve në Maqedoni është dhe mbetet një përparësi madhore, sikundër paqja dhe stabiliteti i këtij vendi, kanë një rëndësi kryesore. Në këtë kontekst ne mbështesim fuqishëm përpjekjet për bashkëpunim midis forcave politike shqiptare dhe midis forcave politike të etnive të ndryshme në këtë vend, si interesi më i mirë i paqes, stabilitetit dhe integrimit të Maqedonisë. Bisedimet kaluan në një atmosfere mirëkuptimi të plotë.”

Menduh Thaçi: “Pata mundësi që në takimin me Kryeministrin shqiptar, në emër të Partisë që drejtoj ta falenderoi për nderin që i bënë Kryetarit Arbën Xhaferri, vetë Kryeministri dhe delegacioni qeveritar. Mua mu dha mundësia që ta informoj Kryeministrin Berisha për zhvillimet e fundit politike në Maqedoni, për përpjekjen e PDSH që të vendosë ura bashkëpunimi me forca politike qoftë shqiptare qoftë maqedonase, të cilat do ta përshpejtojnë procesin integrues të Maqedonisë drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Është një brengë e përbashkët, jo vetëm e PDSH-së, por e të gjithë dashamirësve të Maqedonisë, që ky proces duhet të ecë. Ashtu si edhe me parë garantova Kryeministrin se PDSH do të udhëheqë një politike të drejtë këmbëngulëse shqiptare dhe gjithmonë konstruktive në vijim të procesit demokratik dhe procesit rajonal që zhvillohet për ta integruar gjithë Ballkanin në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

KOMENTE