Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /home/lajmegenalftp/public_html/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Panariti pritet nga homologu i tij kinez
English

Panariti pritet nga homologu i tij kinez

Në kuadrin e vizitës së tij zyrtare në Republikën Popullore të Kinës, Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Shqipërisë, Z. Edmond Panariti u prit dhe zhvilloi bisedime me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës, Z. Yang Jiechi.

Z. Panariti, pasi falënderoi për pritjen e ngrohtë që i është bërë delegacionit shqiptar, vlerësoi nivelin e marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë midis të dy vendeve. Ai e siguroi palën kineze për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për t’i forcuar dhe zhvilluar ato edhe më tej në të ardhmen, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, sidomos në fushën e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare, në rritjen e investimeve kineze në Shqipëri. Me tej, ai vlerësoi progresin e arritur nga Republika Popullore e Kinës, sidomos në fushën ekonomike.

Vizita e Ministrit të Jashtëm të Republikës Popullore të Kinës, Z. Yang Jiechi në vendin tonë, një vit më parë, tha ai, përbën një ngjarje të veçantë dhe të rëndësishme. Ajo rikonfirmoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve tona, si dhe vullnetin e dy qeverive që ky bashkëpunim, sikurse ka treguar dhe kjo periudhë njëvjecare, të zgjerohet dhe thellohet më tej, jo vetëm në shkëmbimin e vizitave të ndryshme, por edhe në fushën e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare, në rritjen e pranisë së investitorëve kinezë në vendin tonë etj., duke sjellë një dinamikë të re të këtyre marrëdhënieve.

Deklarata e Partneritetit Strategjik, nënvizoi Z. Panariti, e cila është nënshkruar tre vjetë më parë nga dy kryeministrat, Z. Sali Berisha dhe Z. Wen Jiabao, në Pekin, përbën një bazë tjetër solide të marrëdhënieve tona dhe shprehje e vullnetit të përbashkët politik, për zhvillimin në stade edhe më të larta të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Duke u ndalur në potencialin e madh të bashkëpunimit dypalësh, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, i kushtoi vëmendje të vecantë marrëdhënieve në fushën ekonomike, sidomos investimeve kineze në fusha konkrete, si në energjitikë, në industrinë e minierave, turizmit, në Zonat e Lira me status “Park Industrial” etj., si dhe përkushtimit të Qeverisë Shqiptare për këto fusha, nëpërmjet të gjithë kuadrit të nevojshëm ligjor, për t’u krijuar tërë lehtësitë investimeve të huaja.

Më pas Ministri Panariti përsëriti dëshirën që Republika Popullore e Kinës, duke patur një rol shumë të madh në zgjidhjen e problemeve të rëndësishme ndërkombëtare, të luajë rolin e saj në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo njohje prej saj, tha Ministri Panariti, do të jetë një kontribut tjetër i madh në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.

Ministri i Jashtëm kinez, Yang Jiechi, pasi i uroi mirëseardhjen Ministrit Panariti, vlerësoi lart frymën e ngushtë të bashkëpunimit që ekziston ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat. Vizita e Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, nënvizoi ai, është shprehje konkrete e marrëdhënieve tradicionale të shkëlqyera midis dy vendeve tona.

Duke folur për të ardhmen e marrëdhënieve midis dy vendeve, Ministri Yang Jiechi, u shpreh se ato janë mjaft premtuese, jo vetëm për shkak të traditës, vullnetit politik, por edhe për faktin që realiteti i zhvillimeve të vendeve tona ofron një potencial të madh për ta ngritur këtë bashkëpunim, sidomos në fushën ekonomike, në një stad të ri.

Në bisedime u diskutua dhe për bashkëpunimin shumëpalësh, ku me këtë rast u konfirmua mbështetja reciproke në organizatat ndërkombetare. Gjithashtu të dy ministrat diskutuan për zhvillimet rajonale dhe globale.

Gjatë vizitës në Kinë, Ministri Panariti zhvillloi një vizitë në Kompaninë e njohur kineze në fushën e telakomunikacionit HUAWEI, ku u prit nga Zëvendëspresidenti i kësaj kompanie z. Qu Wenchu. Huawei është një kompani me një aktivitet të shtrirë në shumë vende të botës dhe e pranishme në Shqipëri që nga viti 2008. Ajo i ofron shërbimet e saj kompanive shqiptare të telekomunikimit si Telekom dhe të gjithë operatorëve celularë. Zëvendëspresidenti i Kompanisë bëri një paraqitje të aktivitetit akual në Shqipëri dhe planeve për zgjerimin e këtij aktiviteti në vend dhe rajon. Ai shprehu gatishmërinë e kompanisë për të mbështetur objektivat e qeverisë shqiptare për projektin e-government që synon përsosjen e teknologjisë dhe informacionit në administratën shqiptare. Nga ana e tij, Ministri Panariti vlerësoi aktivitetin e Huawei në Shqipëri dhe njëkohësisht shprehu mbështetjen e qeverisë shqiptare për këtë kompani dhe për shtimin investitorëve të tjerë kinezë në tregun shqiptar.

KOMENTE