English

Ministri Hoxhaj kërkon njohjen e Kosovës nga shtetet oqeanike

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, po vazhdon turneun lobues për sigurimin e njohjeve të reja për Kosovën, në shtetet e Oqeanisë.
Pas vizitave dhe takimeve me homologët nga Fixhi dhe Nauruja, Ministri Hoxhaj është takuar edhe me Clay Forau Soalaoi, Ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Ishujve Solomon, shtet sovran i cili shtrihet në një numër të madh të ishujve në Oqeani.

Gjatë takimit, Ministri Hoxhaj, pasi ka prezantuar të arriturat në Kosovë dhe progresin që është shënuar në stabilitetin dhe paqen në rajon pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka kërkuar nga homologu Forau Soalaoi, që vendi i tij ta njohë shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.

“Kosova është e interesuar që të ketë partner të rëndësishëm strategjik edhe në vendet e paqësorit dhe shtetet e vogla duhet ta ndihmojnë dhe të qëndrojnë pranë njëra-tjetrës në zhvillimet e mëtutjeshme”, theksoi ndër të tjera Hoxhaj, gjatë takimit.

Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme të Ishujve Solomon, Clay Forau Soalaoi, ka thënë se shteti i tij do ta marrë në konsideratë një kërkesë të tillë, duke shprehur simpati të fuqishme për Kosovën e pavarur dhe demokratike.

KOMENTE