English

Enver Hoxhaj takon homologun e tij nga Timori Lindor

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në kuadër të takimeve lobuese me qëllim të përmbylljes së procesit të njohjeve për Kosovën, ka zhvilluar një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Timorit Lindor, Jose Luis Guterres.
Ministri Hoxhaj, gjatë takimit ka thënë që Kosova dhe Timori Lindor kanë ndarë gjatë historisë synime të përbashkëta për liri, demokraci dhe pavarësi dhe se të dy popujt kanë ndjekur një rrugë shumë të gjatë me shumë sakrificë dhe me dhembje deri në arritjen e shtetësisë së plotë.

Hoxhaj gjatë bisedës shtroi kërkesën që Timori Lindor ta njohë Republikën e Kosovës në mënyrë që të vendosen marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy shteteve si dhe të ketë bashkëpunim të fuqishëm në të gjitha fushat e jetës ndërmjet dy vendeve dhe qytetarëve.

“Pavarësia e Kosovës ka prodhuar paqe, siguri dhe stabilitet në rajon. Kosova është njohur nga pothuajse gjysma e shteteve anëtare të OKB-së dhe pavarësia e saj është një proces i pakthyeshëm”, theksoi Ministri Hoxhaj.

Ai po ashtu bëri të ditur se Kosova tashmë është një shtet i pavarur dhe sovran, i cili po bën një progres të madh drejt integrimeve evropiane, prandaj Timori mund të llogaris në planin afatshkurtër dhe afatgjatë Kosovën si një shtet partner në mes të Ballkanit dhe në mes të Evropës.

Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme i Timorit Lindor, Jose Luis Guterres, ka thënë se populli i këtij vendi ka mbështetur çdo herë aspiratën dhe vullnetin e pathyeshëm që kanë treguar qytetarët e Kosovës në arritjen e qëllimit të tyre madhor, pavarësinë e Kosovës.

“Ne kemi ndjekur me vëmendje të kaluarën e hidhur të popullit të Kosovës si dhe vuajtjet e tij dhe po ashtu kemi qëndrim shumë pozitiv rreth njohjes zyrtare të Kosovës së pavarur”, theksoi Ministri Guterres.

Pas pjesëmarrjes në takimin e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, Ministri Hoxhaj ka qëndruar për vizitë lobuese në rajonin e Oqeanisë, ku ka zhvilluar takime me liderët e Fixhit, Naurusë, Ishujve Solomon, Timorit Lindor dhe të shteteve të tjera të këtij rajoni.

KOMENTE