Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Intervista e plotë e Presidentit Nishani dhënë për TV e Kosovës
English

Intervista e plotë e Presidentit Nishani dhënë për TV e Kosovës

Në përfundim të vizitës shtetërore në Kosovë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dha një intervistë për emisionin “Target” të Radio-Televizionit të Kosovës, të gazetarit Donat Syla.

Gazetari: Të nderuar miq të emisionit “Target”! Jemi këtu në ambientet e Lidhjes së Prizrenit për të zhvilluar një intervistë ekskluzive me Presidentin shqiptar, zotin Bujar Nishani. Zoti Nishani falemnderit që pranuat ftesën e Televizionit publik të Kosovës për të realizuar këtë intervistë!

Presidenti Nishani: Mirëmbrëma dhe mirë se ju gjej!

Gazetari: Vizita juaj në cilësinë e Presidentit realizohet në Kosovë. Pse?

Presidenti Nishani: Ka qenë një dëshirë njerëzore, e cila lidhet vetëm me një arsye dhe me qëllim për ta pasur mundësinë që në pozicionin dhe në postin e Presidentit të Shqipërisë, të shpreh publikisht të gjithë mirënjohjen time, nderimin e qytetarëve të Shqipërisë për bashkëkombasit, për vëllezërit tanë në Kosovë. Një nderim për sakrificat, për përkushtimin, për rrugën e mundimshme që ata kanë kryer dhe një vlerësim të madh për atë çka ata kanë arritur deri më tash si një kontribut jo vetëm për vendin e tyre, por si një kontribut për të gjithë kombin shqiptar. Një kontribut për emrin e shqiptarit.

Gazetari: Pika juaj e fundit ku keni ndaluar është Lidhja shqiptare e Prizrenit. Pastaj do të ktheheni në Shqipëri. Cila është simbolika e këtij vendi në kontekstin aktual politik sipas jush?

Presidenti Nishani: Simbolika e këtij vendi është e përjetshme, por në këtë vit, i cili është edhe 100-vjetori i Pavarësisë së shtetit shqiptar, merr një kuptim shumë të veçantë për faktin se burrat e kombit shqiptar me në krye Ismail Bej Vlorën e ngritën flamurin e kombit shqiptar dhe shpallën mëvetësinë në Vlorë. Ajo ishte një rrugë e gjatë dhe e mundimshme që nisi pikërisht këtu në Prizren në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit, ku u hodhën bazat mbi të cilat patëm atë rrugëtim plot mundime, plot sakrifica, por me një konkludim madhështor, që bëri të mundur jetësimin e të gjithë atij mundi e atyre sakrificave që shqiptarët bënë për shekuj e shekuj me radhë për flamurin e tyre, për kombin e tyre, natyrisht që u konkluduan me shtetin shqiptar.

Gazetari: Zoti Nishani, flasim pak për vizitën tuaj të parë në Kosovë. Ju takuat krerët e institucioneve. Cilat ishin mendimet që ndatë? Mendimet e tyre dhe ato tuajat rreth realitetit politik në Kosovë. Dihet se kemi shumë procese përpara. Është dialogu politik në pritje me Serbinë, me rekomandimet e ndërkombëtarëve, përmbyllja e pavarësisë së mbikëqyrur. Cili është qëndrimi i shtetit shqiptar për këto çështje? Çfarë mesazhesh u dhatë personaliteteve të Kosovës për këto çështje?

Presidenti Nishani: Ishte një vizitë e shkëlqyer, që do të mbetet në kujtesën time si një moment nga më të veçantët. Ishte një mundësi për të falenderuar Presidenten Jahjaga për ftesën që më ofroi dhe për pritjen e shkëlqyer dhe miqësore që na ofroi të gjithëve, me pjesëtarët e delegacionit. Pata mundësinë të takohem të takohem e të bisedoj me Presidenten e Kosovës, me Kryeministrin Thaçi, me Kryetarin e Kuvendit Krasniqi. Të takohem me përfaqësues të forcave politike parlamentare. Ashtu siç vizitova disa nga vendet më simbolike të Kosovës.

Çështjet e diskutimeve politike janë të natyrës së çështjeve, për të cilat ne kemi diskutuar dhe diskutojmë vazhdimisht midis dy vendeve tona. Vijmë në një moment të veçantë kur vendimi për mbylljen e mbikëqyrjes ndaj pavarësisë së Kosovës është një moment historik për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët, pasi për Kosovën hap një kapitull të ri në rrugëtimin e saj si një shtet sovran, tërësisht i pavarur, i lirë, në funksion të konsolidimit tashmë më tej të institucioneve të shtetit të Kosovës, të demokracisë.

Diskutuam për çështje të lidhura me objektiva të përbashkët siç është ai i rrugëtimit tonë të përbashkët në rrugën e integrimit euro-atlantik. Ishte një vizitë, e cila zhvillohet në momente kur arritje të tilla si pavarësia e Kosovës, një realitet tashmë i pakthyeshëm për Kosovën, si një kontribuese e paqes dhe stabilitetit në rajon; në një kohë kur Shqipëria është anëtare e NATO-s, e kësaj Aleance të plotsuksesshme botërore politike dhe ushtarake; kur lëvizja e lirë e shqiptarëve në Kosovë apo në Shqipëri nuk ka asnjë pengesë, asnjë kufi, por lëvizin në të drejtë të plotë të tyre dhe në liri të plotë. Ashtu siç kemi edhe objektiva të përbashkëta në rrugën e integrimit evropian. Shqipëria ka përvojat e saj në këtë proces, përvoja të cilat duhen shfrytëzuar nga Kosova dhe institucionet e saj. Gjithmonë do të dëshiroja të shfrytëzoheshin përvojat pozitive të Shqipërisë dhe të anashkaloheshin ato përvoja jo të mira.

Diskutuam gjithashtu edhe për angazhimet e qeverisë së Kosovës në lidhje me dialogun me Serbinë. Natyrisht është një dialog, që duhet të zhvillohet tërësisht për çështje teknike dhe me një garanci të qartë ndërkombëtare. Vlera e dialogut është një vlerë, e cila ka përmasat e saj të pashlyera dhe do t’i ketë gjithmonë. Shqiptarët kanë dëshmuar në shekuj që janë një komb e një vend që duan lirinë dhe paqen. Duan fqinjësinë e mirë. Duan bashkëpunimin. Ndaj dhe vlera e dialogut sot, më shumë se kurrë, është një vlerë shumë e madhe. Natyrisht që ne shqiptarët, asnjëherë nuk duhet të harrojmë vuajtjet, vështirësitë dhe sakrificat që kemi kaluar. Duhet të respektojmë gjithmonë ata që ranë për lirinë dhe për të drejtat, por nga ana tjetër orientimi ynë i vetëm është drejt së ardhmes dhe e ardhmja ka vetëm një rrugë: drejt integrimit në familjen evropiane. Edhe Kosova, edhe Shqipëria, të gjithë shqiptarët kudo ku janë, kanë treguar që janë një komb properëndimor. Janë një komb pro integrimit euro-atlantik. Shqipëria do të bëjë të gjitha përpjekjet e saj në mënyrë që edhe Kosova ta kapë kohën me atë shpejtësi, të cilën të gjithë ne shqiptarët e kemi të nevojshme për të kapur kohën.

Gazetari: Zoti President, Kosova ka qenë në një dialog me Serbinë. Ndërkaq sot po flitet për dialog politik. Presioni ndërkombëtar vjen në këtë çështje. Ndërkaq ju thatë se ky dialog duhet të jetë i fokusuar tërësisht në çështje teknike. A mund të na sqaroni, cili është pozicioni i Shqipërisë rreth dialogut të pritshëm politik që pritet të ndodhë?

Presidenti Nishani: Shqipëria ka mbështetur dhe mbështet gjithmonë qëndrimet e qeverisë së Kosovës dhe qëndrimet e qeverisë së Kosovës janë gjithmonë qëndrime të qarta. Tashmë çështja e pavarësisë së Kosovës është e mbyllur. Çështja e kufijve të Kosovës është një çështje e mbyllur. Ne njohim dhe mbështesim sovranitetin territorial të Kosovës dhe kufijtë e saj të njohur ndërkombëtarisht. Çdo rihapje e kësaj çështjeje është një kthim prapa dhe krijim i tensioneve të panevojshme, prandaj ato marrëveshje që janë arritur tashmë nga negociatat dhe bisedimet e deritashme, të cilat janë të rëndësishme, duhen respektuar. Shqipëria ka një detyrë të posaçme për ta prezantuar zërin e Kosovës në të gjitha institucionet ndërkombëtare aty ku ende Kosova nuk është e përfaqësuar. Së dyti, Shqipëria duhet të vazhdojë me forcë lobimin për njohje të tjera të pavarësisë së Kosovës. Duhet që Shqipëria me të gjitha institucionet e saj të punojnë fort që Kosova të zerë vendin e saj të merituar në të gjitha organizmat ndërkombëtare dhe në të gjitha nismat rajonale, veçanërisht e fokusuar kjo në bërjen pjesë edhe të Kosovës në Kartën e Adriatikut.

Gazetari: Si i vlerësoni të drejtat e shqiptarëve si komb në Ballkan? Këtë e them duke përfshirë shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, Maqedoni dhe në Mal të Zi?

Presidenti Nishani: Kur flasim për të drejtat, duhet të kemi parasysh që të drejtat kanë një dimension shumë të gjerë. Prandaj sot kemi një arritje jashtëzakonisht të madhe. Kosova është një vend i lirë, i pavarur dhe Sovran, ku shqiptarët vendosin vetë për fatet e tyre. Shqipëria gjithashtu është një vend anëtar i NATO-s, çka do të thotë që çështja më e madhe e lirisë dhe e sigurisë është tashmë e garantuar dhe nuk është vetëm për Shqipërinë, por është për të gjithë kombin shqiptar. Ashtu siç është një kontribut për të gjithë rajonin e Ballkanit prezenca e NATO-s përmes anëtarësimit të Shqipërisë dhe shpresoj në të ardhmen e afërt, edhe të Kosovës. Padyshim që ne do të luftojmë fort që edhe të drejtat e shqiptarëve të tjerë aty ku ata jetojnë në Maqedoni, në Malin e Zi apo në Luginën e Preshevës të respektohen maksimalisht pasi e drejta e individit, liritë themelore të tij janë baza e ekzistencës së demokracisë dhe një shoqërie të lirë. Pra Shqipëria, duke patur parasysh rolin e saj gjithmonë kontribues përsa i takon bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit do të mbetet gjithmonë e angazhuar që këto të drejta të respektohen në dimensionin e tyre maksimal sa i takon asaj që qytetari, njeriu duhet të ketë për të promovuar identitetin e tij, kulturën, të drejtat për zhvillim, posaçërisht ekonomik dhe duke patur të sigurt të ardhmen e tij, të familjes dhe fëmijëve të tij.

Gazetari: I nderuar President, shqiptarët në Luginën e Preshevës, po ashtu edhe ata në Maqedoni vazhdojnë të diskriminohen dhe nuk i kanë të drejtat në nivelin e tyre. Themi se Kosova ka arritur në një nivel përfaqësimi, sikurse edhe në Shqipëri, por ata vazhdimisht drejtohen nga Tirana dhe nga Prishtina shqiptare. Sa keni arritur t’i ngrini në instancat ndërkombëtare problemet që kanë ata karshi shteteve dhe institucioneve vendimmarrëse në Serbi apo në Maqedoni? Lugina e Preshevës vazhdimisht i bën vërejtje Prishtinës zyrtare dhe Tiranës.

Presidenti Nishani: Është një realitet i pamohueshëm që në Maqedoni shqiptarët janë element jo vetëm shtetformues, por janë edhe pjesë e qeverisë së tyre. Natyrisht që të gjitha çështjet që lidhen kryesisht me Marrëveshjen e Ohrit duhet të respektohen deri në fund.

Përsa u takon të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Shqipëria do të mbetet gjithmonë e vëmendshme ndaj çdo tentative për t’i kufizuar këto të drejta. Ka një angazhim të qartë të institucioneve shqiptare, kryesisht në aspektin e arsimimit, që është baza dhe çelësi i ruajtjes dhe forcimit të identitetit kulturor kombëtar, por edhe i realizimit të të gjitha të drejtave të tjera të ardhshme. Unë jam njohur dhe mbështes plotësisht të gjitha iniciativat e marra nga Ministria e Arsimit. Shqipëria ka ofruar një mundësi të madhe të arsimimit në universitetet në Shqipëri të djemve dhe vajzave shqiptare nga Lugina e Preshevës. Po ashtu çështja e abetares shqipe është një element shumë i rëndësishëm, një kontribut shumë i rëndësishëm. Unë pata takim me përfaqësues të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës edhe gjatë qëndrimit tim në Prishtinë, dhe i garantova ata se shteti shqiptar do të vazhdojë të kujdeset gjithmonë e më shumë për të drejtat e tyre në aspektin e lirive themelore. Nga ana tjetër u informova dhe i garantova ata që edhe çështja që ka të bëjë me njësimin e diplomave të atyre që janë diplomuar në universitetet në Shqipëri është një çështje që po shkon drejt zgjidhjes pas bisedimeve dhe negociatave, që ka bërë Ministria e Arsimit në Tiranë me homologët e tyre nga Beogradi. Në këtë kontekst, unë mendoj që sot ne i kemi të gjitha mundësitë në këtë situatë që jemi, të konsolidojmë institucionet tona, por nga ana tjetër gjithmonë të jemi të vëmendshëm dhe të kujdesshëm për liritë dhe të drejtat themelore të shqiptarëve kudo ku ata janë.

Gazetari: Zoti Nishani, faktorët relevantë ndërkombëtarë vazhdimisht potencojnë çështjen se nuk do të ketë ndryshim kufijsh në Ballkan. Megjithatë, kemi zëra edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, po ashtu edhe në rajon që kërkohet një farë bashkimi kombëtar i gjithë shqiptarëve. Ndaj, me lejoni të kujtoj edhe ish-Presidentin Moisiu, i cili pas dorëzimit të mandatit u deklarua se Kosova është provincë e Shqipërisë. Si i komentoni ju këto zëra?

Presidenti Nishani: Shqiptarët kanë arritur gjëra shumë të rëndësishme falë disa kontributeve: sakrificës, rezistencës, flijimit, por edhe mençurisë, maturisë, diplomacisë dhe partneritetit me miqtë e tyre më të mirë. Shikoni, unë po i referohem një rasti, i cili tregon shumë. Sot kemi një realitet të shkëlqyer, i cili konsiston në atë që një qytetar i Prizrenit, i Prishtinës, i Pejës, apo i Gjakovës, në mëngjes mund të nisë pa asnjë lloj pengese të pijë kafen e mëngjesit në Kukës, të kalojë ditën në bukuritë e bregdetit në Durrës, apo në Shëngjin, apo në Velipojë, të hajë një drekë në Tiranë, të pijë çajin e pasdites në Vlorë dhe në mbrëmje të kthehet përsëri në banesën e tij.

Gazetari: Është një lloj bashkimi jo formal ky?

Presidenti Nishani: Po, dhe në këtë formë mund të lëvizë edhe një qytetar nga Shqipëria. Kemi arritur një realitet, i cili nuk pengon asnjërin prej nesh të lëvizë në mënyrë të lirë, të komunikojë me njëri-tjetrin dhe natyrisht të realizojë të gjithë ëndrrat e tij. Çështja e pjesës së bashkimit është një çështje shumë e rëndësishme, e cila e ka pa dyshim një vend mbërritjeje dhe kjo është familja evropiane. Ne po ecim të dyja vendet me një përkushtim të madh drejt rrugës së integrimit evropian dhe kjo nuk është një çështje thjesht filozofike, por është çështje e një realiteti. Unë gjithashtu mendoj se ne jemi me fat që shqiptarët në përgjithësi e kanë të përcaktuar, e kanë të definuar rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian. Por nga ana tjetër unë besoj që është edhe një shans ky, jo vetëm për shqiptarët, por është një shans për të gjithë popujt e vendeve të rajonit, të cilët gjykoj që kanë edhe ata një zgjidhje të vetme drejt integrimit në familjen evropiane. Nëse shikojmë prapa në historinë tonë, edhe një herë do të thoja që ne kemi shumë sakrifica, ne kemi shumë flijime, kemi vështirësi të kaluara shpeshherë ndoshta edhe të pabesueshme, por ajo që e pret gjithsecilin prej nesh është e ardhmja. Prandaj për ne është e rëndësishme të shohim drejt të ardhmes e të mendojmë të shkojmë drejt saj.

Gazetari: Zoti Nishani, përmendët lëvizjen e lirë që është lehtësuar në masë të madhe duke u mbështetur në infrastrukturën e ndërtuar si në Shqipëri, po ashtu edhe në Kosovë. Mirëpo cilat do të ishin bazat e tjera pragmatike në të cilat do të mbështetej interesi i ndërsjellë i dy vendeve, si i Kosovës, ashtu dhe i Shqipërisë? E kam fjalën në aspektin ekonomik, kulturor …

Presidenti Nishani: Pyetja juaj është shumë me vend, pasi nëse vërtet kemi një standard të shkëlqyer të lëvizjes së qytetarëve, nuk e kemi ende këtë standard për sa i përket unifikimit të tregut dhe të ekonomisë. Ky është një moment i rëndësishëm për t’u ndalur dhe është një sfidë për tu përballur dhe për të cilën duhet të punojmë të gjithë. Kur them të gjithë e kam fjalën së pari për institucionet e të dy vendeve tona, për botën e biznesit. Natyrisht që marrëdhëniet e biznesit dhe të tregtisë janë marrëdhënie të interesave ekonomike, por administratat përkatëse me instrumentet e shtetit kanë mundësinë që të krijojnë një klimë gjithmonë e më mbështetëse, të krijojnë gjithmonë e më shumë mekanizma të nxitjes dhe të tërheqjes së shkëmbimit tregtar. Nëse sot flasim për rreth 130 milionë apo 140 milionë Euro shkëmbime tregtare, kjo nuk është ajo që i takon të ketë në shkëmbimin tregtar dhe në unifikimin e një tregu midis Shqipërisë dhe Kosovës. Natyrisht, këtë nuk dua ta lemë vetëm në çështjen e gjetjes së interesit ekonomik midis bizneseve, por duhet të shtrojmë rrugën, le të themi kështu. Tashmë Kosova e ka detin shumë pranë. Rruga e Kombit e ka shkurtuar maksimalisht distancën gjeografike në territorin shqiptar. Nga ana tjetër, lehtësitë e mëdha në aspektin financiar, fiskal, infrastrukturor, janë pra pikërisht këto shtysa, të cilat ofrojnë gjithnjë e më shumë mundësi. Por, është pikërisht çështja dhe drejtimi për të cilin duhet të punojmë shumë. Kjo është ndoshta sfida jonë më e madhe tash e tutje.

Gazetari: Kur flisni për këtë sfidë konsideroni se kjo do të nxisë reagimin e fqinjëve, por edhe të miqve ndërkombëtarë që mund të druajnë se do të bëhet një farë bashkimi de facto mes Kosovës dhe Shqipërisë me këtë, apo jo?

Presidenti Nishani: Nuk ka asnjë lloj arsyeje për t’u frikësuar kërkush …

Gazetari: Ka zëra për shembull në Serbi që thonë se po ndodh realisht bashkimi mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Presidenti Nishani: Ne po flasim për hapësirat e lirisë, lëvizjen e lirë të njerëzve, lëvizjen e lirë të mallrave, të cilat janë bazat e zhvillimit të demokracisë më të hershme në botë. Kështu që nuk ka askush pse të ketë frikë nga shkëmbimi i lirë i mallrave, nga lëvizja e lirë e njerëzve. Përkundrazi, akoma më mirë do të jetë që të gjitha vendet e Ballkanit të krijojnë këtë mundësi për njëri-tjetrin të lëvizjes së lirë të qytetarëve nëpër vendet e tyre, të shkëmbimit të mallrave. Natyrisht, ne duhet ta nisim nga vetja jonë, të krijojmë modelin më të mirë të mundshëm, atë model që ka përparuar të gjitha vendet e zhvilluara të botës, sepse ato përbëjnë vetë bazën e konsolidimit të demokracisë dhe të vlerave më të mira të njeriut. Kështu që nuk ka asnjë lloj arsyeje dhe asnjë lloj vendi për të krijuar frikë të panevojshme që janë inekzistente, por që shpeshherë janë përdorur nga lobe të caktuara për të justifikuar qëndrimet e tyre jo dashamirëse ndaj shqiptarëve.

Gazetari: Zoti Nishani, edhe një segment tjetër me shumë rëndësi është divergjenca kulturore që kemi krijuar për një periudhë kohore kur nuk kanë pasur kontakt Shqipëria dhe Kosova. Këto në një farë kohe edhe kanë filluar të veniten, mirëpo, sa kanë ndikuar këto dhe në çfarë stadi jemi që të bëjmë një lloj homogjenizimi le të themi të kulturës andej dhe këndej kufirit?

Presidenti Nishani: Kultura kombëtare nuk ka ndonjë lloj ndryshimi në gjykimin tim. Natyrisht që çështjet e kulturës janë të një dimensioni shumë të gjerë, por unë do të inkurajoja shkëmbimin le të themi të aktiviteteve, le të themi, sa më shumë midis Shqipërisë dhe Kosovës. Artistët, akademikët tanë, të gjithë pjesëtarët e artit dhe të kulturës të të gjitha trevave shqiptare duhet të jenë gjithnjë e më shumë dinamikë. Natyrisht, këtu ka vend për një nxitje të këtij shkëmbimi edhe nga institucionet shtetërore, të cilat duhet të promovojnë shkëmbimin e karakteristikave të veçanta që kanë trevat nga njëra-tjetra. Por, nëse ka vërtet diçka që ne kemi ruajtur, përpos sakrificave që kemi pasur, apo dhe humbjes së territoreve në të shkuarën të pamerituar, ka qenë gjuha jonë, identiteti ynë kulturor, identiteti ynë kombëtar, dhe të gjitha këto zakone.

Gazetari: Besoni në një identitet kosovar që është promovuar herë pas herë nga disa qarqe këtu në Kosovë?

Presidenti Nishani: Unë jo dhe kam identifikuar vetëm një identitet, që është identiteti shqiptar.

Gazetari: Atëherë, jemi në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë. Cilat janë përgatitjet që është duke bërë shteti shqiptar për këtë ditë?

Presidenti Nishani: Së pari, unë do të ftoja të gjithë qytetarët, qoftë të Shqipërisë, qoftë të Kosovës, qoftë shqiptarët e Maqedonisë, ata në Mal të Zi, të gjithë të jenë të përfshirë në përgatitjen e këtyre festimeve. Autoritetet qoftë të Shqipërisë, qoftë të Kosovës duhet të jenë gjithashtu të përfshira në to. Në Shqipëri kanë nisur prej kohësh. Ka një komitet ndërministor, që udhëhiqet nga Kryeministri i vendit, i cili po merret me të gjithë axhendën e festimeve. Por, nga ana tjetër, të gjithë institucionet janë dhe do të jenë në funksion të këtyre festimeve. Unë besoj që do të ketë një festë të gjatë dhe një gëzim të madh në kuadër të 100-vjetorit ndër shqiptarët.

Gazetari: Do të ketë ndonjë axhendë nga këto festime që do të mbahen në Prizren, që simbolikën e ka shumë të madhe?

Presidenti Nishani: Besoj që po.

Gazetari: Zoti President, ju falenderoj shumë që gjetët kohën për të realizuar këtë intervistë për emisionin “Target”!

Presidenti Nishani: Ishte kënaqësia ime.

Gazetari: Falemnderit shumë!

KOMENTE