English

FRD- parti e përfaqësimit qytetar, program elektoral për fitore në zgjedhjet e vitit 2013

Nën drejtimin e z. Bamir Topi u mbajt sot mbledhja e zgjeruar e grupit nismëtar të Frymës së Re Demokratike. Mbledhja analizoi situatën politike në vend dhe vlerësoi klimën e gjerë të mbështetjes publike e qytetare për FRD, si një forcë politike përfaqësuese dhe mbrojtëse e vlerave demokratike të cënuara ndjeshëm nga sistemi aktual qeverisës dhe modeli i partive të vjetra shqiptare. FRD vjen në skenën politike si një parti e përfaqësimit qytetar, me mision kryesor kthimin e besimit tek politika pozitive, politika e mirë dhe politika qytetare, për rritjen e rolit të qytetarëve në vendimmarrjen politike, për dhënien fund të sistemit dypartiak minues të vlerave demokratike, si dhe akte konkrete politike që forcojnë demokracinë, shtetin e së drejtës, jetën institucionale dhe imazhin publik e ndërkombëtar të shtetit shqiptar.
Mbledhja theksoi nevojën që fjala dhe mesazhi i FRD të shkojë në të gjitha hapësirat ku jetojnë shqiptarët. U vlerësua interesimi dhe besimi që qytetarë shqiptarë të zhgënjyer dhe të papërfaqësuar kanë shprehur ndaj forcës së re politike, duke pasur një numër të lartë regjistrimesh në nivel anëtarësie dhe angazhimi paralel vullnetar. Mbledhja gjithashtu përcolli vlerësimin e gjerë se FRD duhet të hyjë në një fazë të re të punës dhe kontaktit intensiv me qytetarët, përmes një skeme organizimi aktive dhe përfaqësuese, dhe vendosi që brenda një kohe të shkurtër të përfundojë procesi i ngritjes së plotë të strukturave drejtuese në të gjithë vendin. Grupi diskutoi më tej aspekte të tjera organizative dhe vendosi ngritjen e strukturës qëndrore me departamente për të gjitha fushat e angazhimit partiak, si formë moderne e organizimit, përpunimit dhe përcjelljes së shqetësimeve kryesore qytetare si dhe përgatitjes së programit elektoral për fitore në zgjedhjet e vitit 2013.

KOMENTE