English

Topalli merr pjesë në takimit e komisionit të mosdiskriminimit të APKiE

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka marrë pjesë në punimet e takimit të komisionit të mosdiskriminimit të APKiE, ju i ka ururar mirëseardhjen të gjithë të pranishmëve.
Fjala e saj e plotë:

Të nderuar zonja deputete dhe zotërinj deputetë,
E nderuar zonja komisionere,
I nderuar zoti Ministër,
Të nderuar pjesëmarrës,

Përzemërsisht ju uroj mirëseardhjen në Shqipëri. Unë jam shume e kënaqur që ju keni pranuar te zhvilloni në Shqipëri, mbledhjen e “Komisionit te Barazisë dhe të mos diskriminimit”. Kjo është hera e parë që Komisioni zhvillon një mbledhje të tillë në Tiranë. Shqipëria, drejton sot për herë të parë Komitetin e Ministrave të Këshillit të Europës. Ky, sigurisht që është një privilegj por dhe një përgjegjësi, qe ne shqiptarët përpiqemi ta kryejmë me përkushtim.

Nën moton “Të bashkuar në diversitet” duam te kontribuojmë e të promovojmë vlerat e përbashkëta europiane, ato vlera, që secili në këtë sallë mbron me përgjegjësi. Edhe sot, ne rend te ditës ju do të trajtoni çështjet e politikave e ligjeve te anti-diskriminimit, çështje te barazisë gjinore, te luftës kundra trafikimit te qenieve njerëzore,te intolerancës, mbrojtjes se romëve, etj. Këto janë parimet bazë të njerëzimit! Çdokush duhet t’i mishërojë në jetën e përditshme! Çdo qenie njerëzore ka të drejtën e barazisë. Çdo njeri ka nevojë për respekt! Në cilëndo punë, në çdo pozicion që të jetë, në çfarëdo situatë që ai të ndodhet, cilitdo besim fetar që i përket, cilitdo orientim, race, gjinie a grupi etnik, qe i përket.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Ne duhet të jemi të barabartë, pavarësisht se cilës gjini i përkasim. Ne duhet të jemi të barabartë pavarësisht se sa e si ndryshojmë. Barazia është parim i madh. Më lejoni që të përgëzoj dhe të falënderoj të gjithë, për puën që bërë stafi i Kuvendit të Shqipërisë, stafin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi që kontribuan për hartimin e Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit si dhe Ministrinë e Punës dhe Çështjeve sociale. Kuvendi i Shqipërisë ka një bashkëpunim te shkëlqyer me Komisioneren. Bashkë ne nuk do të pranojmë kurrë, që dikush të refuzohet, të përbuzet apo të shihet me nënqeshje. Këto sjellje primitive janë të papranueshme. Njeriu duhet trajtuar me dinjitet.

Ne sot jetojmë në një shoqëri të hapur! Ne sot jetojmë në një shoqëri të lirë dhe demokratike. Në një shoqëri që beson fuqimisht në një sistem vlerash. Shoqëri që synon dhe ka si objektiv kombëtar të bëhet anëtare e Bashkimit Europian–Ne shqiptarët, të dashur miq trashëgojmë një bashkëjetesë e harmoni fetare për të cilën jemi krenar. Ne pranojmë diferencat si pasuri. Ne besojmë se respekti për kulturën tënde ndihmon që të kuptojmë kulturën e tjetrit dhe të pranojmë diferencat si normale. Parlamentet kombëtare dhe Asambleja e Këshillit të Europës duhet te krijojmë një proces te dialogut ndërkulturor ne mënyre periodike.

Vet ky takim në Tiran, me këtë temë, është një vendim i mençur i juaji. Mbase disa nga ju vini për herë të parë në Shqipëri. Besoj se kur të ktheheni në vendet tuaja do kujtoni një Shqipëri që është një vend europian, mesdhetar, qe zoti e ka bërë të bukur e që shqiptarët në liri po e zhvillojnë çdo ditë. Sigurisht që kemi patur një histori të vështirë. Por në vendin tonë ka ekzistuar koncepti i sekularizmit që në vitet e para, atëherë kur në vendet e tjera nuk ekzistonte. Kjo është shprehje e civilizimi.

Ne flasim për të drejtat e njeriut. Diku kam lexuar se: “Kur shkoj dhe ndihmoj të varfrit që kan nevojë, ata më thonë se unë jam shenjtore, kur u them se ata janë të varfër, ata më vendosin një emër tjetër”.

Ne shqiptarët në këtë 100-vjetor jemi krenar më shumë se askush tjetër sepse ne kemi me gjak shqiptari Nënë Terezën dhe kjo sigurisht kjo figurë që ka pasur 100-vjetorin e lindjes së saj, është gruaja dhe figura më e madhe në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Me sakrificën dhe dashurinë e pakushtëzuar për të mbrojtur dinjitetin, për të respektuar qenien njerëzore edhe atëherë kur ata shikoheshin me nënqeshje, me përbuzje nëpër rrugë. E them këtë për të shprehur se ajo është identiteti jonë si shqiptarë, pavarësisht historisë së dhunës së totalitarizmit.

Sot që jetojmë në liri, dhe kemi vetëm 20 vite liri, në historinë 100-vjeçare kuptojnë më shumë se asnjëherë se, liria nënkupton supermacinë më të madhe për të mbrojtur të drejtat.


Ju uroj punë të mbarë e suksese.

KOMENTE