English

Përfaqësues të PS, takojnë tregëtarët në rrugë. Pyetje rreth ecurisë së biznesit

Takimet e përfaqësuesve të Partisë Socialiste me përfaqësues të biznesit të vogël dhe tregtarë kanë vijuar sot paradite në njësinë bashkiake Nr.2 në kryeqytet. Deputeti Besnik Bare i shoqëruar nga anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Florian Pullazi, kryetari i sapozgjedhur i PS-së për Njësinë Nr. 2, Adi Boletini dhe të zgjedhur socialistë të njësisë vendore kanë zhvilluar sot paradite takime në tregun e fruta perimeve në rrugën “Petro Nini Luarasi”, ku janë njohur më nga afër me gjendjen e vështirë që po kalojnë përfaqësuesit e këtyre bizneseve.
Rritja e taksave e tatimeve, rënia e fuqisë blerëse të qytetarëve, por edhe presioni i vazhdueshëm që ushtrojnë strukturat shtetërore të tatim taksave, apo edhe policia Bashkiake e kryeqytetit, janë problemet themelore që i kanë çuar këta tregtarë drejt rrënimit të plotë. “Gjendja është shumë e keqe. E tmerrshme mund të thuash. Dhe nuk e dimë se si do shkojë kjo punë. Ka rreth 2 vjet që shkon keq e më keq tregtia. Po bie nga muaji në muaj e nga dita në ditë”, thotë një djalë i ri që qëndron te dera e dyqanit të tij. Ndërsa pak më tej një mesogrua shprehet: “ Kemi qenë edhe në vende të tjera, po kështu kaq keq nuk kemi parë. Xhiro nga viti në vit vazhdon të bjerë, pavarësisht se qeveria thotë se është rritur. Po në të vërtetë gjendja është përtokë fare”.
Tregtarët shprehen se tashmë niveli i punës së tyre ka rënë pothuajse 50% në krahasim me një vit më parë dhe e ardhmja nuk duket aspak më e mirë, pasi qytetarët ankohen vazhdimisht për mungesë të të ardhurave e për rrjedhim edhe për pafuqi blerëse. “Probleme sa të duash. Lekë s’ka, taksat janë të larta. Ky vit krahasuar edhe me vitin e kaluar është shumë dobët. Unë kam vite që merrem me biznes, por rënia kësaj radhe është shumë e madhe. Nga vjet kemi një rënie gati gjysmë për gjysmë”, thotë një grua që tregton mallra shtëpiakë, çarçafë e mbulesa të ndryshme. Ajo shprehet se paguan rregullisht tatimet, sigurimet shoqërore e madje edhe qiranë e dyqanit, por megjithëse është ora 11 e paradites askush nuk ka hyrë në dyqan. Në këtë pikë ajo shton se ka raste kur nuk shet asgjë gjatë gjithë ditës.
Pak më tej në një tjetër dyqan që shet dhurata dhe orendi shtëpiake, një burrë rreth të 60-ave thotë se gjendja e vështirë nuk mund të mbulohet dot. “E kam hapur dyqanin që në ora 8 dhe po shkon ora 11 e nuk kam shitur asgjë fare. Nuk kemi qenë ndonjëherë në këtë gjendje. Gjithmonë ka ardhur duke rënë, por kjo situata e tanishme është e jashtëzakonshme. Të shkosh në shtëpi me 10 mijë lekë të vjetra në xhep është e tmerrshme. Mendo që janë për t’u paguar kostoja e mallit, qiraja, dritat, tatimet, e shumë gjëra të tjera. Unë mbaj gjithë familjen me këtë aktivitet. E nis ditën me minus 20 mijë lekë të vjetra, sa është qiraja, pa llogaritur të tjerat”, thotë tregtari.
Ndërkohë deputeti socialist dhe përfaqësuesit e tjerë të kësaj partie i kanë siguruar tregtarët për angazhimin e palëkundur të opozitës, se pas 10 muajsh kur të vijë në pushtet do të ketë në qendër të vëmendjes së saj këtë kategori të popullsisë. Sipas tyre heqja e taksës së biznesit të vogël do të jetë vetëm hapi i parë për rimëkëmbjen e kësaj lloj tregtie, me të cilën sot aktualisht mbahen më shumë se 70 mijë familje shqiptare.

KOMENTE