English

Haxhinasto-Armitage: ecuria e deritanishme e projekteve të financuara nga Banka Botërore

Zv.Kryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Edmond Haxhinasto, takoi sot Drejtoreshën Rajonale për Europën Juglindore të Bankës Botërore, znj. Jane Armitage, bashkë me ekipin e Bankës Botërore që prej disa ditësh janë në Tiranë për takime zyrtare.

Fokusi i diskutimit ishte kryesisht mbi zhvillimet dhe sfidat në sektorin energjetik, si dhe ecuria e deritanishme e projekteve të financuara nga Banka Botërore siç janë “Siguria e Digave”, Termocentrali i Vlorës, etj.

Z. Haxhinasto shprehu vullnetin e qeverisë shqiptare dhe, në mënyrë të veçantë, gatishmërinë e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për të bërë gjithçka që energjetika, si sektori më i prioritar i ekonomisë në vend, të ketë një ecuri pozitive dhe të përballojë me sukses sfidat aktuale.

Në këtë kontekst, Ministri z. Haxhinasto vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm me Bankën Botërore, e cila ka mbështetur prej vitesh përmirësimin e klimës së biznesit dhe zhvillimin e vrullshëm të një sërë sektorëve të ekonomisë shqiptare.

Duke u ndalur në sektorin energjetik, z. Haxhinasto vlerësoi se është e nevojshme që performanca e operatorëve në tregun energjetik duhet rritur në nivelin e duhur, duke vënë theksin mbi problematikën që lidhet me performancën teknike dhe financiare të CEZ Shpërndarje, e cila ka pasoja financiare edhe në aktivitetin e operatorëve të tjerë, siç është KESH.

Nga ana e saj, znj. Armitage, duke vlerësuar gjithashtu bashkëpunimin e suksesshëm me qeverinë shqiptare, ndau të njëjtin mendim me z. Haxhinasto përsa i përket nevojës për t’ju përgjigjur sfidave që sektori energjetik po kalon, e sidomos arritjes së zgjidhjeve përsa i përket problematikës financiare mes operatorëve energjetikë në vend.

Në fund të takimit, të dy bashkëbiseduesit u angazhuan për një rol më aktiv të donatorëve në këtë sektor dhe në një kohë të shkurtër u ra dakort organizimi i një Konference donatorësh, nën kujdesin e METE-s, për të trajtuar objektivat e përbashkëta për permirësimin e sektorit energjetik në vend.

KOMENTE