English

Ish-reparti i artilerisë bregdetare në zonën “Rana e Hedhun” shitet me firmën e Imamit

Deputeti socialist Taulant Balla, ka vijuar dje denoncimin e aferave korruptive me pronat e ushtrisë, duke shkuar vetë pranë repartit ushtarak, në mënyrë që i gjithë opinioni publik të mund të shihte vetë pozicionin fantastik, buzë detit, që ka ky repart.

Shifrat me të cilat janë shitur pronat e ushtrisë rezultojnë përditë e më qesharake, përkundrejt vlerave të konsiderueshme që këto prona kanë pasur dhe kanë ende në treg, çka do të thotë se ato praktikisht u janë dhuruar njerëzve të afërt me pushtetin. Në zonën e quajtur “Rana e Hedhun”, në Shëngjin, ish-reparti i artilerisë bregdetare është shitur për 2.8 milionë lekë.

Përkundrejt këtij pozicioni të mrekullueshëm turistik dhe shtrirjes së tij pranë detit, duke iu referuar dokumenteve zyrtare të firmosura nga vetë ministri Imami deputeti Balla ka bërë publik faktin që objekti në fjalë është shitur me vlerën qesharake të 2.8 milionë lekëve: “Po u tregojmë shqiptarëve një pronë tjetër që dy vjet më parë ishte në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes. Sot në pronësi të disa privatëve, të cilët sipas dokumentacionit që na ka dhënë vetë Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ia kanë blerë këtë pronë Ministrisë së Mbrojtjes për 2.8 milionë lekë. Këtu është letra me firmë dhe me vulë të Arben Imamit, ku na vë në dispozicion këtë listë të pronave të shitura ‘Lista e në pronësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes, të shitura gjatë vitit 2010- 2011’. Shëngjin – Lezhë, ish bateri e artilerisë bregdetare “Rëra e Hedhur”- Shëngjin, për 2.8 milionë lekë.”

Kjo pronë e ushtrisë e shitur për 2.8 milionë lekë, këtu në një ndër brigjet më të bukura të bregdetit shqiptar. Shqiptarët ta vlerësojnë vetë nëse kjo pronë e ushtrisë e shitur 2 vite më parë nga Arben Imami e të vetët kushton 2.8 milionë lekë, aq sa e ka shitur Arben Imami me të tijtë dhe cila është vlera e saj reale!”

Ky repart ushtarak që deri dy vite më parë ishte pronë e ushtrisë shqiptare i pozicionuar në një prej zonave më turistike të Shqipërisë, është shitur disa dhjetëra herë nën vlerën reale të tregut. Ky repart është pjesë e skandalit të shitjes së plot 17 milionë metra katrorë objekte dhe troje prona të ushtrisë, të cilat Arben Imami po i tjetërson nga pronësia e shtetit dhe qytetarëve në drejtim të disa privatëve

Balla ka theksuar se në këtë proces tërësisht jotransparent dhe të paligjshëm, për asnjë moment nuk janë marrë fare në konsideratë nevojat sociale të forcave të armatosura. “Si ka mundësi që në tjetërsimin e këtyre pronave, nuk u kujtuan qoftë edhe një herë të vetme për statusin e ish-ushtarakëve, për ushtarakët e pastrehë. Si nuk u kujtuat për nevojat sociale të komuniteteve pranë këtyre pronave. Fare mirë një pjesë e pronave të ushtrisë që Arben Imami ka shitur dhe po shet, mund të përdoren për nevoja strehimi, për ambiente mësimore apo shërbim mjekësor, qendra sociale për fëmijët apo moshat e treta”, ka theksuar Balla.
Duke vijuar denoncimin e tij, deputeti socialist është ndalur pranë disa mitralozave të rëndë dhe një grumbulli të madh predhash artilerie, të cilat të lëna në mëshirë të fatit ishin ndryshkur dhe dëmtuar nga koha. “Këto që shihni janë mitralozë të rëndë kundra ajror, të cilat pasi Arben Imami shiti pronën e repartit ushtarak të artilerisë bregdetare janë lënë këtu në mëshirë të fatit duke i shërbyer tani vetëm historisë dhe jo për t’u vënë në dispozicion të pronës së përbashkët të qytetarëve shqiptarë”, ka thënë deputeti socialist, i cili në mbyllje të denoncimit të tij ka lëshuar edhe një tjetër mesazh: “Sot më shumë se kurrë të ardhurat reale që duhet të siguronte shteti nga privatizimi i këtyre pronave mund të ishin përdorur për dëmshpërblimin e ish të burgosurve që po vetëflijohen ndërkohë që Saliu me Bujarin, dhe të tjerë si ai, nuk denjojnë të dëgjojnë kërkesat e tyre”.

KOMENTE