Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Qendra e Simulimit, një institucion ekselent i arsimimit profesional ushtarak
English

Qendra e Simulimit, një institucion ekselent i arsimimit profesional ushtarak

Është zhvilluar përurimi i Qendrës së Simulimit, paraditen e sotme, me një ceremoni të veçantë.
Qendra është ngritur pranë Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS). Në këtë ceremoni mori pjesë ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, gjeneralë, drejtorë dhe ushtarakë të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm dhe Forcave të Armatosura. Gjithashtu ishte i pranishëm ambasadori i SHBA në Tiranë, z. Aleksandër Arvizu, atashe ushtarakë të akredituar në vendin tonë, përfaqësues të Zyrës së ODC dhe CUBIC etj.
Pas fjalës së hapjes nga komandanti i KDS, gjeneral brigade Bardhyl Hoxha, pjesëmarrësit në ceremoni i përshëndeti ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami.

“Qendra e Simulimit është një institucion i ri për Forcat tona të Armatosura, e cila do t’i shërbejë jo vetëm modernizimit të mëtejshëm, por edhe rritjes së aftësive operacionale të tyre, si forca të denja të familjes së Aleancës së Atlantikut të Veriut, - ka theksuar ministri Imami. Modernizimi simulativ i sistemeve dhe metodave të edukimit dhe trajnimit tashmë përbën përparësi në të gjitha fushat e jetës, të veprimtarive, biznesit dhe veçanërisht në fushën ushtarake, ka vijuar më tej z. Imami. Përparësitë e sistemit simulativ konsistojnë në drejtim të krijimit dhe konsolidimit të koncepteve të qarta të edukimit profesional ushtarak, rritjes në maksimum të sigurisë gjatë trajnimeve, uljes së kostos dhe kohës së trajnimit, unifikimit të sistemeve të trajnimit ashtu sikurse me ato të ushtrive më të përparuara të vendeve të NATO, si dhe të nxjerrjes së mësimeve nga këto trajnime. Qendra e Simulimit i përgjigjet më së miri objektivit tonë për krijimin e një Force të Armatosur plotësisht profesionale, cilësore dhe të vogël në numër.

Më tej ministri i Mbrojtjes Imami theksoi: “Kjo qendër është krijuar falë ndihmës dhe bashkëpunimit të shkëlqyer të qeverisë së SHBA me qeverinë shqiptare. Ajo është një investim serioz, i studiuar dhe plotësisht i merituar, në funksion të rritjes së cilësisë së edukimit ushtarak, rritjes së nivelit të profesionalizmit ushtarak, rritjes së shkallës së operacionalitetit dhe gatishmërisë së Forcave tona të Armatosura, në shërbim të përmbushjes së misionit të tyre kushtetues”. Me këtë rast z. Imami ka shprehur konsideratat më të larta, në emër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të qeverisë shqiptare për ndihmën e gjithanshme të qeverisë amerikane për Forcat tona të Armatosura dhe konkretisht për këtë qendër, që u inaugurua zyrtarisht sot, si dhe për ekipin e CUBIC–ut, që e ka ndjekur dhe po e mbështet këtë veprimtari. Gjithashtu ai ka falënderuar të gjithë ushtarakët e punonjësit dhe në mënyrë të posaçme ish-komandantin e KDS, gjeneral brigade Agim Lala, të cilët janë përfshirë për ngritjen e kësaj qendre.

Në vijim, ministri Imami duke folur për rëndësinë e investimeve është shprehur se Qendra e Simulimit është një investim i konsiderueshëm, jo vetëm financiar, por është një investim serioz dijesh, përvojash dhe kontributesh. “Investimet të mos shkojnë thjesht për tullat,- ka nënvizuar ai,- por megjithatë ato edhe duhen bërë, siç është edhe rasti i konstruktimit të sheshit qendror të akademive ushtarake. Duhet të ketë një shesh kjo ushtri,- u shpreh z. Imami,- në mënyrë që të mund të rreshtohet denjësisht, me uniformat e reja në 100-vjetorin e themelimit të saj. Por investimi themelor duhet të jetë tek dija dhe dija arrihet nëpërmjet stërvitjes, nëpërmjet trajnimit. Këto kanë qenë dhe dy prioritetet tona më të rëndësishme në tre vitet e fundit”. Duke iu rikthyer edhe njëherë rëndësisë së Qendrës së Simulimit, ministri Imami theksoi se, kjo qendër ka edhe kapacitetet e duhura, jo vetëm për trajnime brenda FA, por edhe për trajnime të institucioneve të tjera qeveritare dhe joqeveritare të vendit tonë dhe për më tepër ka mundësi të zhvillojë edhe trajnime të nivelit rajonal dhe ndërkombëtar, duke shërbyer si një akses i rëndësishëm i yni për kontributet në NATO.

Ndërsa ambasadori i SHBA, z. Aleksandër Arvizu, pasi shprehu vlerësimet e tij për Qendrën e Simulimit, theksoi se kjo qendër ofron mundësi të reja për FA shqiptare, por gjithashtu edhe për gjithë Republikën e Shqipërisë. Programi i përdorimit këtu është diçka që në gjuhën ushtarake njihet si “JCKET”, që përndryshe do të kuptonte veprimet e përbashkëta të teknikave. Shqipëria dhe SHBA kanë nisur të punojnë për këtë projekt që në vitin 2007, ku sigurisht që ka pasur sfida zhvillimi. Ne, nënvizoi ai, do të vazhdojmë të punojmë së bashku për këtë projekt. Shqipëria tashmë merr një rol kryesues në rajonin e Ballkanit për trajnimin dhe përgatitjet për katastrofat natyrore, si dhe për punët humanitare. Më pas, ambasadori Arvizu ka falënderuar të gjithë ata që janë angazhuar për ngritjen e kësaj qendre moderne, amerikanë dhe shqiptarë, oficerët, nënoficerët, përfshirë edhe kolegët e CUBIC-ut dhe shprehu bindjen se ngritja dhe funksionimi i saj do t’i shërbejë rritjes cilësore të trajnimeve dhe profesionalizmit në FA shqiptare.

Ministri i Mbrojtjes Imami dhe Ambasadori Arvizu zbuluan pllakën e Qendrës së Simulimit, si shenjë e bashkëpunimi të ngushtë midis vendit tonë dhe SHBA. Më pas ministri Imami, ambasadori Arvizu, gjeneralmajor Gjunkshi dhe personalitete të tjera që i shoqëronin vizituan mjediset e Qendrës së Simulimit.

Përpjekjet për krijimin e Qendrës së Simulimit kanë filluar qysh në vitin 2007, si një projekt i përbashkët i Ministrisë së Mbrojtjes dhe qeverisë së SHBA. Krijimi i saj mundëson përmbushjen e shumë detyrave në lidhje me arsimimin dhe trajnimin e personelit ushtarak në Forcat e Armatosura. Qendra e Simulimit zhvillon trajnime simulative për njësitë e Forcave të Armatosura, në përputhje me parimet doktrinare të Forcave tona të Armatosura dhe të NATO. Kjo qendër gjithashtu është një akses i rëndësishëm për trajnime simulative të institucioneve dhe organizatave të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare të vendit tonë, si dhe një akses i Forcave tona të Armatosura për kontributet e tyre në NATO. Qendra e Simulimit është një institucion ekselent i arsimimit profesional ushtarak, për trajnimin në mënyrë cilësore të personelit të FA, me synim rritjen e mëtejshme të aftësive operacionale të tyre.

KOMENTE