English

Panariti në takimin e Grupit të Vishegradit:procesi i integrimit të vendit në BE interes strategjik

Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Panariti, ka marrë dje pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të Grupit të Vishegradit, i cili u mbajt në Varshavë. Në këtë takim ishin ftuar Ministrat e Punëve të Jashtme të Grupit të Vishegradit (Polonisë, Hungarisë, Republikes Ceke, Sllovakisë), vendeve të Ballkanit Perëndimor, Bullgarisë, Greqisë dhe Rumanisë, si dhe Komisioneri për Zgjerimin z. Stefan Fyle. Synimi i këtij takimi ishte paraqitja e strategjisë së Grupit të Vishegradit për mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit të tyre në Bashkimin Europian.

Në fjalën e tij, Ministri Panariti u ndal në ecurinë e procesit të integrimit europian dhe euroatlantik të Shqipërisë në kuadrin e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi. Ai tha së Shqipëria ofron shembullin më të mirë në rajon për mbështetjen e palëkundur të qytetarëve shqiptarë ndaj proceseve integruese. Ai vuri në dukje se procesi i integrimit të vendit në BE përbën një interes madhor kombëtar e strategjik dhe forcën kryesore lëvizëse për zhvillimin e shoqërisë shqiptare.

Ministri Panariti tha më tej se rruga e integrimit të plotë të rajonit në Bashkimin Europian është ende e gjatë dhe ky integrim do të siguronte paqen, sigurinë dhe prosperitetin e vendeve të rajonit. Në këtë drejtim, ai kërkoi nga vendet anëtare të Bashkimit Europian miratimin brenda vitit të rekomandimeve të Komisionit Europian të paraqitura në raportin e fundit të progresit. Gjithashtu, ai shtroi nevojën e zbatimit të politikave që nxisin fqinjësinë e mirë, zhvillimin e infrastrukturës, bashkëpunimin ekonomik, tregtar dhe kulturor, si dhe kontaktet ndërmjet popujve.

Ministri Panariti theksoi se Qeveria dhe faktori politik shqiptar janë plotësisht të angazhuar për të plotësuar të gjitha rekomandimet e Komisionit Europian të evidentuara në raportin e fundit të progresit, me synim marrjen e statusit të vendit kandidat në BE brenda vitit. Njëkohësisht ai vlerësoi mbështetjen që Bashkimi Europian dhe posacërisht vendet e Grupit të Vishegradit i kanë dhënë Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë në zbatimin reformave të zhvillimit ekonomik dhe demokratik dhe në afrimin në strukturat europiane dhe euroatlantike. Ministri Panariti kërkoi vazhdimin e kësaj mbështetjeje deri në integrimin e plotë të te gjithë vendeve të rajonit në BE.

Ai u ndal dhe në kontributin që Shqipëria, si anëtare e NATO-s, jep në shërbim të ruajtjes së paqes dhe sigurisë në botë. Me këtë rast, z. Panariti shprehu mbështetjen për integrimin e të gjithë vendeve në Ballkanit Perëndimor në këtë organizatë. Duke u ndalur në zhvillimet rajonale, Ministri Panariti u ndal në hapat e ndërmarra kohët e fundit nga diplomacia shqiptare në drejtim të forcimit të marrëdhënieve të bashkëpunimit me vendet e tjera të rajonit, nxitjes së proceseve integruese rajonale dhe evidentimit të faktorit shqiptar si një factor kyc në stabilitetin dhe mirëkuptimin rajonal.

Gjatë punimeve Ministri Panariti zhvilloi takime me Ministrat e Punëve të Jashtme të Polonisë, Republikës Ceke, Bullgarisë, Sllovakisë ku kërkoi mbështetjen e vendeve të tyre për miratimin e rekomandimit të Komisionit Europian për dhënien e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë. Në takimin me Komisionerin Fyle, Ministri Panariti vlerësoi raportin e progresit të Komisionit Europian dhe informoi për ecurinë e plotësimit të të gjithë paketës së prioriteteve të vendosura për marrjen e këtij statusi.

KOMENTE