English

Basha: Xhamia do të ndërtohetnë zonën e Namazgjasë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës ditën e Bajramit përveç urimit për të gjithë besimtarët myslimanë dhe mbarë shqiptarët, gjatë vizitës së tij në komunitetin mysliman shqiptar, ai ka përcjellë në këtë festë të madhe për besimtarët myslimanë, edhe lajmin e zgjidhjes së çështjes së pronësisë në zonën e Namazgjasë, ku do të ndërtohet sipas dëshirës së Komunitetit Mysliman, Xhamia e Tiranës, e munguar prej dhjetra vitesh.

“Me kënaqësi dua të ndaj me besimtarët myslimanë, lajmin se përfundimisht është zgjidhur çështja e pronësisë së terrenit ku do të ndërtohet Xhamia. Pas faljes nga shteti shqiptar, të një sipërfaqeje toke prej 3 mijë metrash katrorë Komunitetit dhe kombinimit me një tjetër sipërfaqe prej 3 mijë metrash, më në fund është arritur pas 6 muaj negociatash edhe një marrëveshje me pronarët privatë të truallit. Në këtë mënyrë, i është hapur rruga ndërtimit të Xhamisë së re” – u shpreh z. Basha.

Javën e ardhshme pritet që të mbërrijnë në Tiranë edhe idetë e para për Xhaminë e re, e cila po projektohet sipas sugjerimit të Komunitetit Mysliman, nga studio “Hassa”, me kryearkitekt Muharrem Senalp. Kjo studio ka projektuar xhami të ndërtuara, në shumë vende të botës, si në Tokio (e cila në 2002 është shpallur një ndër ndërtesat më të mira të saj), në Berlin dhe Këln, Gjermani, etj.

“Ne presim që brenda javës së ardhshme, projektuesit të sjellin konceptet e para të projektit për Xhaminë, në mënyrë që të nisim sa më parë nga puna dhe t’i japim qytetit këtë institucion të munguar, këtë qendër të munguar për besimtarët myslimanë” - theksoi z. Basha.

KOMENTE