English

Arben Ahmetaj: zinxhiri energjitik është futur në një krizë të thellë financiare

Deputeti i Partisë Socialiste Arben Ahmetaj në deklaratën e sotme dhënë për shtyp ka dhënë një pasqyrë mbi krizën e thellë energjitike që ka mbërthyer vendin. Në të thuhet: "Sot po nisim një maratonë transparence për krizën e thellë energjitike që ka mbërthyer vendin. Theksoj, se kjo krizë nuk është krizë liqeni apo e menaxhimit të ujit, por një krizë e thellë financiare që ka përfshirë të gjithë zinxhirin energjitik, që nga prodhuesit dhe mbi të gjitha konsumatorin familjar shqiptar. Gjasat dhe tendencat ngelen të zymta.

Sot niveli i Fierzës është 259 metra. Praktikisht Fierza sot me këtë nivel liqeni është në krizë të thellë në vetvete dhe nuk ka asnjë mundësi praktike të kontribuojë në furnizimin me energji të vendit.
Sot, konsumi ditor i vendit është 18 milionë kwh në ditë dhe vetëm 6 milion kwh prodhohet në vend. Kjo do të thotë që do të duhet të vazhdohet me importin e energjisë për 12 milionë kwh në ditë dhe për shumë e shumë javë që vijnë. Vlera në ditë e importit është 800 mije euro.

Kjo do të thotë që KESH është i detyruar të importojë diferencën, sepse CEZ ka kohë që refuzon, apo nuk ka mundësi të importojë diferencën për shkaqe që do ti bëjmë transparente në ditët në vijim.
KESH do të detyrohet të marrë sërish borxh, duke thelluar më tej kolapsin e tij financiar. Vetëm muajin e kaluar KESH mori borxh nga bankat e nivelit të dytë edhe 50 milionë euro, me garanci nga buxheti i shtetit, me garanci nga taksat e qytetarëve shqiptar.

Ministri i Financave paralajmëroi një borxh të ri në muajt që vijnë prej 100 milionë euro për të importuar energji, thënë ndryshe buxheti i shtetit dhe tatimpaguesit po paguajnë dështimin e qeverisë në menaxhimin e sistemit elektroenergjitik, modelit të tregut dhe burimeve.

Sot, borxhi në sistem, ku përfshihen borxhe të ndërsjellta të kompanive ndaj njëra tjetrës, borxhe ndaj furnitorëve, borxhe ndaj bankave, borxhe ndaj koncensionarëve, arrijnë në vlerën 1.2 miliardë USD.
Një piramidë tjetër që kjo qeveri tenton ti peshojë në kurriz sërish shqiptarëve!!!
Qeveria në njërën anë dhe CEZ në anën tjetër, janë zemra e problemit.

Pse CEZ?!

Kompania e Shpërndarjes CEZ është kompania fundore, që shpërndan energjinë tek konsumatori, është monopol i trashëguar dhe ka përgjegjësi të arkëtojë detyrimet. Energjia rrjedh nga lart, pra nga prodhimi tek konsumatori dhe pagesat duhet të rrjedhin nga poshtë, pra nga konsumatori në drejtim të prodhuesit nëpërmjet zinxhirit të kompanive. CEZ nuk e ka bërë këtë, nuk ka arritur të zbatojë detyrimet e veta si pjesë fundore e zinxhirit dhe si monopol.

Pse qeveria?

Qeveria nuk ka arritur të monitorojë sistemin por përkundrazi jo vetëm që nuk ka bërë punën e vet në menaxhimin e sistemit elektro energjitik, por ka kaluar barrën mbi konsumatorin shqiptar, mbi qytetarin e zakonshëm, mbi konsumatorin familjar, mbi biznesin shqiptar, si atë të vogël edhe atë të madh.
Dua t’ju kujtoj se në 2005 çmimi i energjisë elektrike ishte (afërsisht 5.1 lekë për konsumatorin familjar), sot ai është 9.5 lekë mesatarisht, gati 200% më i shtrenjtë. Çdo qytetar dhe familjar e ka ndjerë këtë gjë në faturat e energjisë elektrike dhe në koston e jetesës.
Përgjegjësia është e qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe e askujt tjetër.
Pra:
1. Sistemi piramidal elektro energjitik shqiptar shkon në 1.2 miliardë USD.

2. Borxhi i KESH sot shkon mbi 200 milionë EURO.

3. CEZ, vetëm ndaj KESH sot ka 140 milionë euro borxh.

4. Qytetarët paguajnë, nga 5.1 që paguanin në 2005, mesatarisht 9.5 lek, pra 200% më shtrenjtë krahasuar me vitin 2005.

Në ditët në vijim do të bëjmë transparente atë çfarë e ka sjellë situatën këtu, ku qëndron përgjegjësia dhe si e ka vuajtur dhe e vuan qytetari shqiptar gjithë këtë histori, e cila, pa frikë ka përmasat e skandalit të shekullit".

KOMENTE