English

1 nëntor 2012. A do të lirohen banesat e ish-pronarëve

Nesër është data 1 nëntor dhe ashtu siç ishte njoftuar përmes një akti normativ të miratuar pak muaj më parë nga parlamenti për lirimin e banesave të ish pronarëve, personat që banojnë në to duhet të largohen.

Gjykata Kushtetuese ka nisur shqyrtimin dhe njëherë të këtij akti normativ dhe pritet që të merret një vendim përfundimtar në se do të pezullojë zbatimin ose do të lejojë për zbatimin aktit që hyn në fuqi më 1 nëntor.

Ndërkohë që Enti Kombëtar i Banesave përmes njoftimit u bën thirrje të gjithë qytetarëve të pastrehe, banues në banesat ish pronë e subjekteve të shpronesuara, duhet të paraqiten pranë zyrave rajonale të EKB-se per verifikimin e emrit të tyre ne listat e dërguara nga bashkitë përkatse dhe të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm, me qëllim që të mundësohet dërgimi i emrave të tyre në bënkën BKT për kreditim, në kushtet 30 vjet me 0% interes vjetor.
Por cilat janë pretendimet e këtyre banorëve që jetonë në banesat e ish pronarëve?
Shoqata e Qiramarrësve në Shtëpitë Shtetërore Ish-Pronë Private" kërkon prej gjykatës shpalljen si antikushtetues të këtij aktit normativ, pasi bie ndesh me të drejtat kushtetuese dhe me qëndrimin e mbajtur nga Gjykata Kushtetuese në vendimet e saj të mëparshme në lidhje me këtë kategori qytetarësh. Deri në mbarim të gjykimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese, kërkohet pezullimi i zbatimit të Aktit Normativ. Ankuesit pretendojnë se me anën e këtij Akti Normativ kërkohet që kësaj kategorie qytetarësh, që banojnë me qira në banesat e ish pronarëve , t'u imponohen zgjidhje të reja, haptazi të pafavorshme, e cilësisht te dallueshme nga ata të mëparshmet. Ata shprehen se ndryshimet përkeqësojnë pozitën juridike, sociale dhe ekonomike të kësaj kategorie, pjesa më e madhe të cilëve janë pensionistë dhe nuk kanë madje as mundësitë ekonomike të shlyerjes së kredisë, sado e lehtësuar që ajo të jetë.

Por gjithashtu Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve Publike, Arminda Qylafku, ka sqaruar para disa ditësh në një konferencë për shtyp detajet e këtij procesi. “Në përputhje me Aktin Normativ për lirimin e banesave të ish-pronarëve, Enti Kombëtar i Banesave, ka dorëzuar pranë Bankës Kombëtare Tregtare listën e të gjithë personave që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve dhe që përfitojnë kredi me interes zero për një afat deri në 30 vjet, për të zgjidhur problemin e strehimit të tyre dhe për të liruar ambientet ku banojnë aktualisht. Lista me 3289 persona që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve, ku peshën kryesore e zënë Bashkia Tiranë, me 908 raste, Durrës me 869 dhe Shkodër me 605, u dorëzua në bankë sot në mesditë. Nga ky moment, të gjithë personat që gëzojnë statusin e të pastrehut dhe që banojnë në shtëpi të ish-pronarëve, duhet të aplikojnë pranë kësaj banke për të përfituar kredinë për strehim. Në përputhje me Aktin Normativ, ata duhet që brenda datës 1 nëntor 2012 të përfundojnë procedurat e kredisë, të zgjidhin përfundimisht problemin e strehimit dhe të lirojnë banesat e ish-pronarëve”, – sqaroi Qylafku. Ndërkaq, Ministria e Punëve Publike fton të gjithë pronarët që ende nuk disponojnë pronën e tyre, që të mbikëqyrin këtë proces dhe, nëse brenda datës 1 nëntor 2012 shtëpitë e tyre nuk janë liruar, të bëjnë njoftimin përkatës pranë Entit Kombëtar të Banesave që, në përputhje me autorizimin që Akti Normativ i jep këtij institucioni (EKB), të bëjë verifikimin respektiv dhe t’i drejtohet gjykatës për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për lirimin e banesës. “E gjithë procedura pranë gjykatave për llogari të ish-pronarëve do të kryhet nga Enti Kombëtar i Banesave. Duke ftuar që të gjithë ata që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve të aplikojnë pa humbur kohë për kredi dhe duke ftuar ish-pronarët të ndjekin me vëmendje procesin, Ministria e Punëve Publike njofton se Enti Kombëtar i Banesave dhe degët e tij në rrethe do të jenë në dispozicion të të gjithë personave të interesuar për çdo sqarim të kërkuar”, – u shpreh më tej zëdhënësja e Ministrisë së Punëve Publike.

KOMENTE