English

Fabrika e prodhimit të këpucëve FITAL, vizitohet nga kryeministri Berisha

Fabrika e prodhimit të këpucëve FITAL, është vizituar sot nga Kryeministri Berisha. Fabrika e cila është e vendosur në Bathore, Kamzë, është një sipërmarrje shqiptare në industrinë fason. Fabrika aktualisht ka 750 të punësuar plus. Vetëm brenda një viti, kjo fabrikë ka arritur të rrisë numrin e të punësuarve me rreth 120 vetë. Industria fason ka kaluar tashmë nga prodhimi i konfeksioneve/tekstileve, në prodhimin e veshjeve me material porositës. Shumë kompani po operojnë në vend, për llogari të markave të njohura në tregjet e Europës Perëndimore.

Tashmë numërohen disa dhjetëra sipërmarrës në sektorin e veshjeve, të cilët blejnë lëndën e parë nga jashtë dhe kanë kaluar si eksportues të mirëfilltë, në vende si Itali, Gjermani, Holandë, Francë. Kjo industri është mbështetur me një sërë programesh nga qeveria dhe organizma të huaj. Ajo është orientuar nga modernizimi i teknologjive, rritja e performancës në tregun e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, në hapjen e vendeve të reja të punës.

Në kuadër të këtij aktiviteti, Dhoma e Biznesit Kamzë i akordoi Kryeministrit Berisha titullin “Mirënjohja e biznesit”, me motivacionin: “Për përkrahjen e vazhdueshme, ndihmën favorizuese, politikën e taksave të ulëta si dhe modernizimin e shërbimeve të regjistrimit, licencimit dhe zhvillimit të aktiviteteve tona”.

Përfaqësuesit e biznesit falënderuan me shumë mirënjohje Kryeministrin Berisha për të gjitha politikat lehtësuese që qeveria ka ndërmarrë në favor të bizneseve të tyre. “Ju na keni rritur imazhin tonë nga dita në ditë, nga viti në vit”, theksuan ata.

Kryeministri Berisha, duke falënderuar komunitetin e biznesit, tha se ky vlerësim është një shtysë më tej për të bërë së bashku përpjekje të tjera edhe më të mëdha. Ai siguroi se qeveria ka projekte të ardhshme që lehtësojnë gjithnjë e më shumë aktivitetin e biznesit.

Në këtë kontekst, Kryeministri u shpreh se qeveria, duke marrë parasysh edhe zërat e shprehur nga industria fason, do të bëjë të mundur që, për të gjitha makineritë që kjo industri importon për prodhim, pavarësisht nga çmimi, të mos ketë më TVSH. “Kjo vjen në dëgjim të zërit tuaj, që u ngrit pas vendimit të qeverisë që përcaktonte një prag prej 500 mijë euro e sipër për importim të makinerive. Industria fason nuk do të ketë prag dhe ju do të importoni çdo makineri që ju duhet për prodhim dhe ajo do të jetë përfundimisht e përjashtuar nga TVSH”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri nënvizoi se është jashtëzakonisht e rëndësishme që krizën ekonomike në Evropë ta shndërrojmë në një mundësi të madhe për investitorët vendas e të huaj. Duke iu referuar informacionit të dhënë nga Kryetari i Bashkisë së Kamzës, se gjatë viteve të shkuara janë shpërngulur nga Tirana në Kamëz, 16 kompani fason, kjo vetëm e vetëm për shkak të klimës së favorshme të biznesit të krijuara në këtë bashki, Kryeministri tha se qeveria do të vazhdojë t’i qëndrojë politikës së uljes së barrës fiskale për biznesin, si politikë që nxit punësimin dhe zhvillimin në vend.

KOMENTE